1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gazetarët në shënjestër - kur quhet tradhëti publikimi i informacioneve sekrete?

Qeveria Obama vepron ashpër kundër nxjerrjes dhe përcjelljes së informacioneve sekrete. Në shënjestër janë vënë edhe mediet. Diskutohet madje për mundësinë e padive kundër gazetarëve.

Nganjëherë një fjali shënon një ndryshim epoke. Ashtu si në 23 qershor 2013, kur David Gregory, moderator i "Meet the press", talkshow-t më të rëndësishëm dhe të vjetër politik, pyeti gazetarin e Guardian dhe zbuluesin e skandalit të NSA-së Glenn Greenwald, nëse ai duhej të paditej për bashkëpunim me Edward Snowden.

Pyetja e Gregory-t dhe përgjigja e Greenwald-it u shpërndanë me shpejtësi të madhe në internet. Indinjata, para së gjithash në radhët e gazetarëve, është e kuptueshme: një nga gazetarët më me emër në Uashingtonin politik kishte supozuar hapur se një kolegu i tij kishte bashkëpunuar për nxerrje sekreti dhe tradhëti ndaj atdheut. Vetëm pak më parë kongresmeni republikan Peter King kishte kërkuar në kanalin Fox News, ndjekje penale për gazetarin Glenn Greenwald. Që Gregory e kishte bërë të vetin këtë supozim, tregon se debati nëse gazetarët që zotërojnë apo publikojnë dokumente sekrete, duhen dënuar, ka mbërritur në politikën e vendit.

Burg i detyruar për mbrojtjen e burimit

Natyrish publikimi i padëshëruar i informacioneve sekrete nga gazetarë dhe medie, ka qenë gjithnjë halë në sy për autoritetet. Kështu gazetarët në SHBA mund të detyrohen me rrugë gjyqësore në kushte të caktuara të bëjnë publike burimet e tyre. Në një nga rastet më të njohura, reporterja e New York Times, Judith Miller, u dënua në 2004 me 18 muaj burg, pasi nuk pranoi të tregonte burimin e informacioneve të veta. Ajo kaloi 12 muaj në burg derisa informatori i saj e çliroi nga obligimi për të heshtur.

Por dënimet me burg për gazetarë, për të arritur tek burimi i informacionit janë raste të rralla. Kështu as gjatë publikimi të të ashtuquajturave "Pentagon Papers" për luftën në Vietnam dhe as gjatë skandalit Watergate, që çoi në rënien e Richard Nixon, reporterët nuk u paditën penalisht.

“Prej një kohe të gjatë gazetarët të paktën në SHBA, me anë lutjesh, kërkesash, apo detyrimi shtyhen të japin informacionet që mund të kenë për tema të rëndësishme për sigurinë", thotë Frederick Schauer, ekspert i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Virxhinias. "Në pjesën më të madhe të rasteve ata nuk e bëjnë. Disa herë detyrohen."

Por ashtu si në kursin e saj të ashpër kundër të ashtuquajturve "whistleblower", administrata Obama duket se po ecën në rrugë të reja edhe në qendrimin ndaj gazetarëve.

Prokurorët kundër gazetarëve

Edward Snowden verlässt Flughafen Moskau

Edward Snowden

Në gjykatat amerikane trajtohen aktualisht tre raste në të cilët qeveria e SHBA-së kërkon të detyrojë gazetarë për zbulimin e burimeve apo i ka marrë ndërkohë informacionet me metoda të shërbimit sekret.

Procesi më i njohur është sekuestrimi sekret i të dhënave telefonike të agjencisë së lajmeve Associated Press (AP). Ministria amerikane e Drejtësisë në një periudhë kohore prej dy muajsh kishte sekuestruar lidhjet me telefon dhe faks të më shumë se 20 numrave në pesë zyra të agjencisë. Edhe lidhje nga celularë dhe lidhje private të shumë reporterëve ishin sekuestruar. AP mësoi për aksionin e spiunazhit vetëm në maj 2013, një vit pasi ai kishte marrë fund. Arsyeja për përgjimet nuk u bë e ditur zyrtarisht; AP dyshon se shkaku ka qenë raportimi prej saj për një atentat të shmangur terrorist.

Rasti dytë ka të bëjë me reporterin e Nju Jork Times dhe ekspertin e shërbimit sekret, James Risen. Një gjykatë apeli vendosi në fund të korrikut se Risen duhet të dëshmojë në procesin për spiunazh kundër një ish punonjësi të CIA-s. Padia e akuzon ish punonjësin e shërbimi sekret se i ka përcjellë reporterit Risen informacione të klasifikuara si sekrete. Informacionet Risen i ka përdorur për një libër të tij për CIA-n, të publikuar në 2006. Risen ka theksuar se nuk do të dëshmojë edhe nëse do të dënohej vetë me burg.

Reporterët si bashkëkomplotues

Rasti i tretë dhe ndosha më i rëndësishëm ka të bëjë me gazetarin e Fox News, James Rosen. Ministria e Drejtësisë sekuestroi jo vetëm lidhjet e tij të telefonit dhe postës elektronike, por hartoi edhe një profil lëvizjeje të Rosen mbi bazën e të dhënave të fletëhyrjes së tij në Ministrinë e Jashtme dhe vizitave të Rosen në atë ministri. Rosen ishte vënë në shënjestër të prokurorëve në kuadër të hetimeve kundër ish punonjësit të Ministrisë së Jashtme Stephen Kim. Kim akuzohet se ka shpërndarë një raport sekret për Korenë e Veriut. Rosen sipas akuzës, ka publikuar më pas një artikull, i cili përmbante të dhëna nga raporti sekret.

Ajo që e bën kaq shpërthyes rastin është fakti që vetë Rosen në mandatin e kontrollit, akuzohet zyrtarisht si bashkëpunëtor e madje "bashkkomplotues". Kjo është një risi. Deri tani në SHBA asnjë gazetar nuk është paditur për spiunazh për shkak të publikimit të informacioneve sekrete.

"Publikimi i mandatit të kontrollit në rastin Rosen tregon se Presidenti Obama po shkel në një terren, në të cilin nuk ka shkelur asnjë president para tij", shkruante juristi James C. Goodale, i cili përfaqësoi gazetën Nju Jork Times në raportimin për Pentagon Papers. Vetëm Richard Nixon i ka shkaktuar lirisë së shtypit dëme më të mëdha se Obama, thotë më tej Goodale në shkrimin e tij në Nju Jork Times.

Publikimi si nxjerrje sekreti

Screenshot Wikileaks

Wikileaks

“Besoj se ekziston mundësia reale, që në një të ardhme jo shumë të largët, të shpallen vendime gjykate, sipas të cilave vetë gazetarët akuzohen për spiunazh kur marrin dhe përcjellin informacione sekrete", thekson Jane Kirtley, profesore për etikën në medie dhe drejtësi në Universitetin e Minesotës.

Deri tani për këtë interpretim të ligjit nuk ka pasur bazë juridike në SHBA, pasi sipas Kirtley gazetarët nuk kanë nënshkruar asnjë deklaratë për ruajtjen e sekretit dhe në SHBA ndryshe nga vende të tjera, si p.sh. Britania e Madhe nuk ka asnjë ligj për ruajtjen e sekretit.

"Por tani ka zëra nga qeveria dhe nga Kongresi, që thonë se edhe vetë publikimi i informacioneve sekrete në internet apo gjetkë është i barazvlefshëm me përcjelljen e tyre në duart e terroristëve apo armiqve", thotë Kirtley. "Kjo është e pabesueshme."

Procesi Wikileaks

Pikërish ky argument u përdor edhe nga prokurorët ushtarakë në procesin kundër Bradley Manning dhe u hodh poshtë nga gjykatësja. Por ka të ngjarë që procesi Manning të ketë qenë vetëm një provë gjenerale për procesin kryesor për tradhëti sekreti: një padi e ardhshme kundër themeluesit të Wikileaks, Julian Assange. Në atë proces pritet të debatohet edhe për pyetjen thelbësore se çfarë është saktësisht gazetaria në shekullin e 21-të.