1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gazetarët në rrezik në Mal të Zi

Qeveria e dënoi zyrtarisht një incident, por autorët e krimit nuk janë identifikuar: Ky nuk është rast i vetëm në Mal të Zi.

Në Mal të Zi, u sulmua me TNT gazetari Tufik Softiq që punon për gazetën kritike ndaj qeverisë "Vijesti". Në kohën e shpërthimit ai ishte në shtëpi së bashku me gruan dhe dy fëmijët. Edhe pse askush nuk u plagos, sulmi tregon qartë se gazetarët kritikë ende jetojnë rrezikshëm në shtetin më të vogël ballkanik në Malin e Zi.

Tufik Softic

Tufik Softiq

Në dy-tre vitet e fundit, unë kam shkruar një numër artikujsh rreth krimit të organizuar në Ballkan dhe Malin e Zi ", tha Softiq në intervistë me DW. "Sulmi i fundit lidhet me grupe kriminale që janë aktive në qytetin tim Berane" - thotë ai.

Përfaqësuesit e qarqeve gazetareske në Mal të Zi, të cilët dëshirojnë të mbeten anonim, kanë shpjeguar në një intervistë me DW se arsyeja drejtpërdrejtë për sulmin ndaj Softiq ishte një artikull në lidhje me tregtarin vendor të drogave Vladan Simonoviq. Simonoviq gjendet në listën e të kërkuarve të Interpolit për krime në Danimarkë. Meqë midis Danimarkës dhe Malit të Zi nuk ka marrëveshje ekstradimi Simonoviq jetonte i patronditur në qytetin e vogël Berane - derisa u arrestua në fillim të gushtit me dyshimin e pastrimit të parave në Mal të Zi.

Frikësim për gazetarët investigativë

Nedjeljko Rudoviq, zëvendësredaktor i "Vijesti", ankohet se mungon vullneti politik për të sqaruar sulmet mbi gazetarët. "Sulmi i fundit thellon dyshimet nëse Mali i Zi është një vend i qytetarëve apo i kriminelëve dhe përdhunuesve, që kanë mbrojtës të fuqishëm në aparatin e sigurisë dhe gjyqësor." - tha Rudoviq në një intervistë me radion serbe B92.

Gjashtë vjet më parë, në nëntor të vitit 2007, Tufik Softiq u rrah për spital nga dy njerëz me fytyra të mbuluara para derës së shtëpisë. Që nga viti 2007 ka pasur shtatë sulme ndaj punonjësve të gazetës "Vijesti": Ndër të tjera, ka pasur tre sulme me bomba në të cilat u shkatërruan disa vetura të gazetës .

Në maj të vitit 2004, u vra një gazetar: por vetëm një bashkëpunëtor i cili ishte i përfshirë në vrasjen e Dushko Jovanoviq, botues i gazetës opozitare "Dan", u dënua me burgim prej 18 vjetësh. Fajtorët deri tani nuk janë kapur.

Christoph Dreyer Pressereferent Reporter ohne Grenzen

Christoph Dreyer

Sulmet e së kaluarës dhe bomba para shtëpisë së Softiq "targojnë qartë se synimi është të frikësohen gazetarët investigativë", thotë Christoph Dreyer i organizatës Reporterët pa Kufij, në një intervistë me DW. "Fjala është për gazetarë që merren me çështje të ndjeshme si krimi i organizuar, abuzimi i pushtetit dhe ngatërrim i politikës me krimin e organizuar".

Dënime të lehta për autorët

Edhe pse qeveria malazeze i dënon zyrtarisht sulmet ndaj gazetarëve - nuk ka shenja solidaritetit të sinqertë me viktimat. Disa prej tyre nuk i pëlqejnë qeverisë: kryeministri Milo Gjukanoviq, i cili ka 22 vjet në pushtet, i quan kritikët e tij - ndër ta dhe gazetarët e gazetave malazeze "Vijesti", "Dan" ose "Monitor" - si agjentë të cilët gjoja janë të kontrolluar nga shërbimet sekrete të Serbisë. Po ashtu edhe autorët e krimeve ndëshkohen me dënime të lehta.

Mali i Zi renditet në fushën e lirisë së shtypit në vendin 113 të listës së Reporterëve pa Kufij - madje pas Kirgistanit dhe Katarit.