1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gazetarë e qytetarë gjermanë për statusin kandidat i BE Shqipërisë

Çfarë mendojnë gazetarët gjermanë për statusin e kandidatit të BE Shqipërisë dhe për Shqipërinë? Po qytetarët gjermanë? A e mbështesin qytetarët gjermanë statusin kandidat i BE për Shqipërinë? Një vështrim nga Auron Dodi

Shqiperia kandidate

Lajmi për dhënien e statusit kandidat të BE Shqipërisë tërhoqi vëmendjen e të gjitha medieve qendrore gjermane. Vëmendje ato i kushtuan këtij lajmi që të martën (24.06.2014), kur u mblodhën ministrat e jashtëm të BE. Informuan mediat publike, kanali i parë i televizionit publik gjerman ARD, radioja kombëtare gjermane Deutschlandfunk, më tej mediet e landeve, WDR, MDR. Po të martën, informuan në botimet online revista e njohur 'Der Spiegel', gazetat 'Frankfurter Allgemeine Zeitung' (FAZ), 'Die Zeit', 'Stern' dhe ndonjë gazetë tjetër. Të gjitha këto medie, me një përjashtim (FAZ) dhanë një lajm të zgjeruar, jo komentues. Ishte një lajm në hyrje dashamirës, që një anëtar i ri po i afrohet BE. Por paralelisht theksohen detyrat për Shqipërinë.

Në thelb mediet gjermanë dhanë këtë përmbajtjeje, në versione të ngjashme: që "Shqipëria e kaloi pengesën e parë për një anëtarësim të mëvonshëm në BE". Citohet pastaj komisari i zgjerimit të BE, Stefan Füle, që tha se "me statusin kandidat vlerësohen përpjekjet për reforma të Shqipërisë- por nevojiten reforma të tjera". Të gjitha mediet gjermane citojnë edhe sekretarin e shtetit në ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth. Ai tha se "anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk do të ndodhë automatikisht". "Pa shtet juridik të qendrueshëm dhe luftë konsekuente kundër korrupsionit nuk mund të ketë anëtarësim", tha Roth.

Qytetarët gjermanë për statusin kandidat i BE Shqipërisë

Nga ana tjetër, interesant është edhe mendimi i qytetarëve gjermanë për statusin e kandidatit për Shqipërinë - pasqyruar në forumet e medieve, që dhanë lajmin.
Komentet më të shumta, të përqendruara te Shqipëria, shoqërojnë informacionin e publikuar në faqen në internet të kanalit të parë televiziv gjerman, ARD. Nga 40 komente, statusin kandidat për Shqipërinë e mbështesin vetëm 11. Pjesa më e madhe, 29 janë të rezervuara, deri në kundërshtim për dhënien e statusit.

73 vetë e kanë komentuar lajmin që jep "Der Spiegel" për Shqipërinë. Në mbështetje të statusit kandidat për Shqipërinë janë vetëm 5-6 komente. Të tjerat ose merren në përgjithësi me BE, ose e kundërshtojnë statusin për Shqipërinë.

Me gjithsej 4-5 komente, dhe kryesisht jo në mbështetje të Shqipërisë është komentuar në forume lajmi për statusin në gazetat 'Die Zeit' dhe 'Hannoversche Allgemeine Zeitung'.

Ku ushqehen argumentat kritike të qytetarëve kundër Shqipërisë?

Kur vjen puna për afrim të një vendi ndaj BE, qytetarët gjermanë shtrojnë pyetjet: na i shton problemet tona ky vend i ri, apo na i pakëson? Do të detyrohemi të luajmë zjarrfikësin për këtë vend, duhet ta mbajmë me para, apo përfitojmë dhe ne nga ai?

Argumentet kritike ushqehen nga imazhi jo i mirë i Shqipërisë në Perëndim. Si dhe nga mosnjohja e Shqipërisë. Ose edhe leximi me paragjykim i lajmeve për Shqipërinë. P.sh.nga lajmi që dhanë mediat gjermane për aksionin e suksesshëm në Lazarat, shumë vetëve në forume u kishte mbetur në mend sasia gjigande e drogës së kapur në këtë aksion. Pra, Shqipëria si burim droge për Evropën. Më tej ata ndalen në dobësinë e shtetit shqiptar dhe shprehin drojën që Shqipëria mund të varet nga ndihmat e BE, siç ndodhi me Greqinë dhe Spanjën. Ndërsa komentet pozitive veçojnë burimet natyrore të Shqipërisë. Dhe të drejtën gjeografike e politike të Shqipërisë për t'u anëtarësuar në BE. Padyshim që skepticizmi ushqehet edhe nga momentet që kalon Evropa, siç e pamë në fitoren e populistëve në shumë vende evropiane, në zgjedhjet e fundit evropiane.

Gazetarët gjermanë për statusin kandidat i BE Shqipërisë

Për Gjermaninë: formuesit e opinionit, gazetarët, u shprehën këtë herë në komentet e gazetave qendrore 'Frankfurter Allgemeine Zeitung' dhe 'Handelsblatt'. Janë këtë javë dy komentet e vetme të shtypit gjerman për Shqipërinë.
'Frankfurter Allgemeine Zeitung' veçon që Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe e arritën që ta vendosin Shqipërinë nën një vëzhgim të veçantë të Komisionit Evropian. Vëzhgim që e tejkalon shoqërimin normal të një vendi kandidat. Ky vëzhgim nënkupton verifikimin „e gjerë dhe shumë të detajuar“ të përparimit të reformave në drejtësi, kundër korrupsionit, në mbrojtjen e minoriteteve dhe në frenimin e azilkërkuesve.

Pse ky vëzhgim ndaj Shqipërisë?

E para sepse Shqipëria afrohet me BE në një kohë kur janë ashpërsuar kërkesat ndaj gjithë kandidatëve. Edhe ambasadori gjerman në Shqipëri, Helmut Hoffmann i tha DW, se vëzhgimi ka të bëjë, sa me gjendjen e Shqipërisë - aq edhe me përvojat negative, që tashmë Evropa i ka mbledhur nga anëtarët e rinj të BE. Sidomos me Bullgarinë e Rumaninë.

Së dyti, sepse sipas 'Frankfurter Allgemeine Zeitung', Shqipëria shihet si një nga vendet më të korruptuara të Evropës.

Gazeta me drejtim ekonomik, 'Handelsblatt', e quan në komentin e së enjtes që në nëntitull të gabuar dhënien e statusit të kandidatit të BE Shqipërisë. Komentatori pranon se për këtë status shqiptarët kanë ëndërruar prej kohësh. Por përballë rezultatit të zgjedhjeve evropiane, ku u forcuan partitë populiste, zgjerimi i BE qoftë edhe pas disa vjetësh me Shqipërinë, është sinjal i gabuar ndaj elektoratit evropian, konkludon 'Handelsblatt'. BE duhet të thellohet, pra të integrohet më mirë, jo të zgjerohet, shkruan 'Handelsblatt'.

Politikanët gjermanë në deklarata publike për Shqipërinë

Edhe politikanët gjermanë i janë referuar në disa deklarata publike dhënies së statusit kandidat të BE Shqipërisë. Kancelarja Angela Merkel e përmendi Shqipërinë në një deklaratë qeveritare në Bundestag, në parlament. Merkeli konfirmoi të martën (24.06.2014) se takimi i së premtes (27.06.2014) i nivelit të lartë të BE, pritet t’i hapë Shqipërisë rrugën për në BE. „Por deri në nisjen e negociatave të anëtarësimit do të na nevojiten ende shumë reforma të tjera dhe përparime në zbatim nga Shqipëria. Në mënyrë që të kalojmë në hapin tjetër,“ shtoi kancelarja Merkel para Bundestag-ut.

Nga opozita parlamentare, politikania e të Gjelbërve, Marie Louise Beck u prononcua në një deklaratë dërguar mediave. Ajo e quajti vendim të duhur të BE dhënien e statusit kandidat Shqipërisë. Marie-Louise Beck e cilëson më tej me rëndësi vendimtare që BE të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë.