1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gaz pavarësisht nga Rusia? - BE diskuton koncepte të reja energjie

Në Budapest u zhvillua një takim i ministrave të energjisë të disa vendeve të BE-së, për të diskutuar për mundësinë e çlirimit të Evropës nga varësia prej gazit rus.

Pjesëmarrësit e konferencës për projektin Nabucco, Budapest, 27 janar 2009

Pjesëmarrësit e konferencës për projektin Nabucco, Budapest, 27 janar 2009

Së shpejti në Evropë nuk pritet të ketë më banesa pa ngrohje, meqenëse Rusia dhe Ukraina kanë mosmarrëveshje me njëra-tjetrën. BE-ja duhet të bëhet e pavarur prej furnizimeve me gaz prej Rusisë. Këtë dëshirojnë të paktën vendet, që u prekën më thellë prej mungesës së furnizmeve me gaz javët e kaluara.

Azerbajxhan

Azerbajxhan

Kryeministri hungarez Ferenz Gyurcsany, kërkon madje edhe më tepër: dëmshpërblime prej Rusisë dhe Ukrainës, për dëmet ekonomike të shkaktuara prej mungesës së gazit. Nga Budapesti ai i bëri thirrje Komisionit Evropian që të veprojë: "E prekur është e gjithë BE-ja. Dëmi i shkaktuar është dëm i përbashkët. Kriza e gazit nuk është çështje kombëtare. Për këtë Komisioni i BE-së duhet të kërkojë dëmshpërblime në interes të qytetarëve të tij."

Jo të gjitha vendet e BE-së, e sidomos Gjermania, janë dakord me këtë propozim, aq më tepër që nuk është e qartë nëse fajtore është Rusia apo Ukraina, të cilat ia hedhin fajin njëra-tjetrës.

Varësia e Evropës prej gazit rus ndoshta dikur mund të ndryshojë

Në Budapest u hodhën bazat për një koncept të ri të furnizimit me gaz. Nga Azerbajxhani, i cili ka pasuri shumë të mëdha gazi, ky duhet të vijë në Evropës përmes një gazsjellësi tjetër. Kryeministri i Azerbajxhanit Ilham Alijev, bën reklamë për të përfituar porosi nga Evropa: "Azerbajxhani është një partner i besueshëm, ne e mbajmë fjalën. Ne bëjmë atë që themi dhe jemi të gatshëm ta mbështesim me forcë dhe vepra një projekt të ri furnizimi."

Zgjidhja është Nabucco, një tubacion gazi që do të anashkalonte Rusinë dhe Ukrainën dhe duke kaluar përmes Turqisë do të lidhte rajonin e Detit Kaspik me Evropën. Turqia do ta mbështesë këtë projekt, sepse përmes këtij shpreson të marrë më tepër mbështetje për anëtarësimin në BE.

8 janar 2009 në Gronau, një punëtor i EON Ruhrgas

8 janar 2009 në Gronau, një punëtor i EON Ruhrgas


Sipas kryeministrit çek, Mirek Topolanek, i cili është edhe kryetari i radhës i BE-së, koncepti i energjisë së të ardhmes nuk ka të bëjë vetëm me ngrohjen e banesave: "Le të veprojmë bashkarisht dhe të tregojmë se sa e fortë mund të jetë BE-ja. Ky është një test për integrimin evropian. Ne duhet ta tregojmë solidaritetin tonë me vepra dhe jo me fjalë."

Por BE-ja është ende e përçarë. Gjermania do ta mbështesë në parim ndërtimin e gazsjelësit, por ka ende rezerva. Nga do të vijë gazi përveç Azerbajxhanit, Turkmenistanit dhe Kazakistanit? Frika se mos gazsjellësi 8 miliardësh dikur mund të mbetet bosh, sepse mungojnë ofruesit e gazit është e madhe.

Koncernet energjetike evropiane duan të përfshijnë edhe Iranin në projekt, i cili është vendi i dytë për nga sasia e rezervave të naftës në botë. Me gazin nga Irani gazsjellësi do të punonte me kapacitet të plotë. Por politikisht një gjë e tillë është e diskutueshme. Edhe pse Irani i ofron BE-së përkrahje të plotë, në takim nuk ishte ftuar asnjë përfaqësues iranian. Të pazgjidhura janë edhe problemet financiare. Me rreth 8 miliardë euro, gazsjellësi do të kushtojë dyfishin e parashikimeve.

Konferenca e parë evropiane për energjinë pas krizës së gazit tregon se ende mungojnë perspektiva për furnizimin që do të ishin më të sigurta se furnizimet nga Rusia.

(PP/ACA)


  • Data 28.01.2009
  • Autor Andreas Meyer-Feist
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GhkE
  • Data 28.01.2009
  • Autor Andreas Meyer-Feist
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GhkE