1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gauck: "Gjermania nuk duhet të fshihet"

Conrad, Naomi/Dagmar Engel/Pandeli Pani22 Shkurt 2014

Në intervistë me DW Presidenti gjerman Joachim Gauck shprehet për një Gjermani që duhet të marrë përgjegjësi globale dhe si mjet të fundit për forcën e armëve për të parandaluar konfliktet.

https://p.dw.com/p/1BDcF
Fotografi: Bundespresseamt/Jesco Denzel

Gjermania duhet të bëhet e vetëdijshme për përgjegjësinë e saj, tha Presidenti gjerman Joachim Gauck në një intervistë televizive për Deutsche Welle-n. Dikur ai nuk kishte dashur të ishte gjerman, për shkak të krimeve të brezit të prindërve të tij. Por Gjermania ka ndryshuar dhe është pjekur në dekadat e fundit hap pas hapi. "Gjermania është një vend krejt tjetër nga ai që ishte në kohën mes dy luftrave," tha Gauck. Sot ai nuk sheh as në krahasim me vendet e tjera evropiane, deficite në kredibilitetin demokratik të vendit. Në Gjermani mbizotëron siguria ligjore, por edhe një ekuilibër social ndërmjet njerëzve. E gjithë ka bërë që Gjermania të perceptohet jashtë vendit si një model i demokracisë.

Jo përmbajtjes elegante

Prej këtyre ndryshimeve shtohet një përgjegjësi e caktuar për të cilën Gjermania duhej të bëhet e vetëdijshme. Si vendi më i madh në Evropë, Republika Federale e Gjermanisë nuk duhet të përmbahet me elegancë përballë dhunës në Ukrainë, por - së bashku me vendet e tjera evropiane - të marrë rolin e ndërmjetësit në krizë. Gjermania nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj asaj që po ndodh në Ukrainë. Në të njëjtën kohë ai i bëri thirrje qeverisë së Ukrainës, e cila e ka humbur fort besimin e popullsisë, që të heqë dorë nga dhuna dhe të angazhohet për një dialog me opozitën.

Gauck DW Interview 21.02.2014
Fotografi: Bundespresseamt/Jesco Denzel

Parandalimi i Krizave - para së gjithash i krizave etnike - është një mjet i rëndësishëm i politikës së jashtme të përgjegjshme tha Gauck. Gjermania duhet të shikojë edhe se si është situata e konflikteve në pjesë të tjera të botës, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Mesdhe dhe të pyesë veten nëse dëshiron të marrë një rol ndërmjetësi. Përgjegjësi do të thotë gjithashtu të angazhohesh edhe në rajone të largëta për mbrojtjen e klimës dhe energji të ripërtëritshme tha Presidenti duke iu referuar ndihmës gjermane për zhvillimin.

"Ndonjëherë është më keq kur të mirët i mbajnë fshehur armët e tyre"

Në raste serioze përgjegjësi do të thotë gjithashtu edhe dërgimi i ushtarëve në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare. "Gjermania e rritur, e cila është një garant i stabilitetit dhe i demokracisë, nuk duhet të fshihet." Nuk është mirë kur përdoren armët, theksoi Gauck ", por ndonjëherë është edhe më keqe, kur njerëzit e mirë i fshehin armët e tyre dhe ua lënë ato të këqinjëve." Në Srebrenicë apo Ruandë është bërë e qartë se çfarë mund të ndodhë, nëse nuk ndërhyhet. Kjo nuk ka të bëjë me shprehje dhune nga pala gjermane, por me solidaritetin.

Në fillim të muajit mars presidenti Gauck do të shkojë për një vizitë zyrtare në Greqi. Në këtë vend të tronditur nga kriza po duken shenjat e para të stabilizimit. Atje ai do të flasë për periudhën e hidhur historike që lidhet me gjermanët, por edhe do të ushtrojë një kritikë të butë. Gauck thotë se fondet evropiane nuk janë përdorur gjithmonë në mënyrë optimale. Edhe Gjermania mund të ndihmojë për ta bërë administratën greke të tillë që të përmbushë standardet evropiane. Por nëse për çdo gjë fajësohet kancelarja Angela Merkel, atëherë kufirit të tij të mirëkuptimit i ka ardhur fundi.

Duke iu referuar Gjermanisë Gauck kritikoi që shumëkush këtu ka frikë prej emigracionit. Por në këtë rast përveç arsyeve demografike ka edhe shumë arsye kulturore "se pse ne mund të gëzohemi për këtë gjë." Kjo do të thotë që Gjermania nuk ende nuk ka arritur në fund të zhvillimit të saj demokratik.