1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gauck angazhohet për tema të reja

Ai e kishte prej kohësh besimin e gjermanëve. Tani Asambleja Federale e zgjodhi President Federal të Gjermanisë: Joachim Gauck. Ai do të angazhohet për tema të reja - kjo i bën mirë postit, mendon Ute Schaeffer.

Joachim Gauck - Presidenti Federal i Gjermanisë

Joachim Gauck - Presidenti Federal i Gjermanisë

Një president i zemrave të njerëzve? Ndoshta, popullor ish-drejtuesi i Zyrës së Administrimit të Dokumentave të Stasit është pa diskutim. Joachim Gauck-un e mbështesin të gjitha partitë e përfaqësuara në qeveri dhe ato në opozitë, me përjashtim të partisë E Majta. Dhe ai gëzon besimin e 80 përqind të gjermanëve. Një fillim i mirë, i cili është siç e dëshiron Gauck-u. Sepse ai dëshiron të jetë një president i qytetarëve: një president që kërkon dialogun e drejtpërdrejtë. I cili nuk u shmanget temave, që preokupojnë njerëzit në vendin tonë. I cili është i interesuar që politika dhe politikanët t'u shërbejnë njerëzve në vend.

Politika dhe shoqëria para përgjegjësisë

Politika pret nga Gaucku, që t'i japë postit dinjitetin, të cilin ai e ka humbur nga dorëheqjet e parakohshme të paraardhësve të tij. Njerëzit në vend duan që ai të angazhohet për temat e tyre: për më shumë drejtësi sociale, për një politikë më të mirë për familjen, për një zhvillim si një të vetme të Gjermanisë 22 vjet pas ribashkimit.

Këto janë tema më të afërta për Gauck-un, se sa kriza e financave apo politika e jashtme gjermane.

Ai është i interesuar që t'i afrojë politikën dhe shoqërinë me njëra-tjetrën. Vetëm kur të dyja e mbajnë parasysh përgjegjësinë në një shtet demokratik, atëherë është e mundur mbrojtja afatgjatë dhe zhvillimi i demokracisë, shtetit juridik dhe liria e individit.

Mbrojtje e të drejtave qytetare, që ruajnë lirinë

Përgjegjësia dhe liria, këto janë të dyja vlerat, ndaj të cilave ndihet i detyruar pozicioni i Gauck-ut - dhe për këtë ai ka shkaqe të forta dhe përvojë personale. Në RDGJ, në diktaturën pa të drejta njeriu, veprimtari i të drejtave të njeriut Gauck, i datëlindjes 1940 luftoi për këto të drejta qytetare. Sot, në Gjermaninë demokratike ai kërkon me këmbëngulje nga qytetarët që t'i mbrojnë këto të drejta, të shprehin mendimin e tyre, të ndërtojnë përmes politikës. Gauck-u e kritikon apatinë politike, ai sheh një kulturë jo të mirë të pakënaqësisë në Gjermani. Ai e konsideron të nevojshme, që njerëzit në Gjermani të angazhohen më fort politikisht - në mënyrë që zhvillimi dhe përparimi të ecin përpara, në mënyrë që politika të bëhet më e parashikueshme dhe më e afërt me jetën.

Asambleja Federale për zgjedhjen e Presidentit

Asambleja Federale për zgjedhjen e Presidentit

Që të mos keqkuptohemi: këto nuk janë tema që Gaucku i mblodhi për postin Presidentit Federal të Gjermanisë. Këto janë temat e jetës së tij, është formimi i tij dhe bindjet e tij. Si prift në RDGJ atij i është dashur si shumë vetëve që të vërë në balancë guximin dhe përshtatjen. "Ne jemi populli!"- në këtë thirrje të lëvizjes qytetare, pjesë e së cilës ka qenë edhe Gaucku përmbahej kërkesa: na ktheni të drejtat, ne jemi sovrani!

Për këtë zhvilloi debate Gaucku në kohën e kthesës në lëvizjen qytetare, ai përjetoi forcimin e ndërgjegjes qytetare në një shtet totalitar dhe e mbështeti atë. Diktatura, e cila përpiqet të pushtojë të gjithë njeriun, siç e ka përshkruar njëherë Gaucku, u rrëzua. Për të kjo është një ngjarje me rëndësi kyçe.

As majtas, as djathtas

Bindjet e Gauckut dhe temat e tij nuk janë as të majta dhe as të djathta, pozicionet e tij nuk janë në përputhje me doktrinën e pastër të ngjyrave politike. Njëherë ai e quajti veten "konservator liberal të majtë". Kjo provokon, para së gjithash politikanët dhe shtypin. Qytetarët në Gjermani e shohin më të shpenguar këtë qëndrim mbipartiak, ndoshta edhe si përparësi. Në përparësitë bën pjesë që Joachim Gaucku nuk është as politikan profesionist dhe as revolucionar. Për pozicionin e tij mund të diskutosh dhe ai mund të provokojë individë të veçantë, por për të kanë përparësi dialogu, diskursi.  Prandaj mund të presësh disa gjëra nga personi i ri në post. Para së gjithash, që Presidenti Federal të bëhet më në fund sërish ai, që prek tema të parehatshme, që nxit debate politike dhe shoqërore - kjo do t'i bënte mirë postit, edhe vendit!

Autor: Ute Schaeffer

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM