1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Garë kokë më kokë në Rumani

Në zgjedhjet parlamentare në Rumani, ende nuk dihet rezultatet përfundimtare, por liberalët e presidentit Trajan Basesku janë në epërsi ndaj socialdemokratëve në opozitë.

default

A thua kush do të fitojë?

Zyra qendrore e zgjedhjeve bëri të ditur të hënën në mëngjes (01.12.), në Bukuresht se liberalët e Baseskut kryesojnë me avantazh të lehtë. Ata kanë deri tani 34 për qind të votave. Sondazhet në rradhët e votuesve pas votimit të djelën, flisnin për një fitore të mundëshme të socialdemokratëve, të cilët tani rezultojnë me 33 për qind të votave. Në vend të tretë janë nacional-liberalët e kryeministrit Kalin Popesku Tariçanu, me 18 për qind. Partia e katërt është Liga e Hungarisë, e cila me 6 përqind të votave arriti kufirin për të hyrë në parlament.


Të djelën socialdemokratët të cilët përbëjnë fraksionin më të madh në parlament ndiheshin fitimtarë. Por ka të ngjarë që edhe këtë herë të mos e marrin pushtetin. Në zgjedhjet e kaluara atyre u mungonin partnerët e duhur për koalicion. Socialdemokratët u përpoqën të përfitonin në fushatën elektorale nga kriza ekonomike. Ata premtuan më shumë kontribute sociale, kryesisht për popullsinë e varfër në zonat rurale dhe taksa më të larta për të pasurit. Por rezultati i deritanishëm nuk mjafton për krijimin e një qeverie me forcat e veta. Kryetari i partisë Mirça Xhoana megjithatë nuk heq dorë nga objektivi i tij.

"As ne dhe as politikanë të tjerë nuk mund të injorojnë pas këtyre zgjedhjeve, dëshirën e rumunëve për ndryshime në vend", tha ai.

Por ka më shumë të ngjarë që e majta të mbetet në opozitë. Shifrat flasin për një mundësi më të madhe të një përsëritjeje të koalicionit të qendrës së djathtë, mes partisë nacional-liberale të kryeministrit aktual Tariçanu dhe liberal-demokratëve. Kjo aleancë erdhi njëherë në pushtet në vitin 2004, por shpejt koalicioni u prish. Megjithatë dje (30.11.) nuk dallohej asgjë nga polemikat e viteve të fundit në kampin konservator. Për kryeministrin Tariçanu ky është një kapitull i mbyllur.

"Vizioni im është sigurimi i mirëqënies, forcimi i shtresës së mesme dhe ngritja e standartit të jetesës. Së bashku këtë e kemi arritur deri tani", pohon ai.

Ndërsa kryetari i liberal-demokratëve Emil Boc ishte i bindur se asnjë parti nuk ka arritur shumicën absolute. "Asnjë parti nuk mund të thotë: ne kemi fituar dhe do të qeverisim. Ky është realiteti. Për të qeverisur nevojitet një shumicë në parlament", thekson ai.

Analistët mendojnë se kërkimi i shumicave të qëndrueshme qeverisëse në Rumani sapo ka filluar dhe mund të zgjasë muaj me rradhë.

Pjesëmarrja në zgjedhje me 39,3 për qind ishte sipas komisionit të zgjedhjeve, në nivelin më të ultë historik. Rezultatet e tjera priten të hënën pasdite dhe në mbrëmje.

  • Data 01.12.2008
  • Autor Angjelina Verbica
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/G6nM
  • Data 01.12.2008
  • Autor Angjelina Verbica
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/G6nM