1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Garë me kohën - Ministrat e jashtëm të BE-së shohin të shqetësuar nga Çekia

27 Tetor 2009

Katër ditë përpara samitit të ardhshëm të BE-së ministrat e punëve të jashtme u mblodhën të hënën (26.10.) në Luksemburg. Në qendër të konsultimeve ishte qëndrimi çek ndaj ratifikimit të Marrëveshjes së Lisbonës.

https://p.dw.com/p/KGaD
Në foto: pamje nga salla e seancës dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese në Brno të Republikës Çeke, 27.10.2009.
15 gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese çeke hapën seancën dëgjimore për Marrëveshjen e Lisbonës.Fotografi: picture alliance/dpa

Në Marrëveshjen e Lisbonës ende mungon firma e Presidentit çek Vaclac Klaus. Më parë ajo duhet të miratohet nga Gjykata Kushtetuese çeke. Për sa kohë kjo nuk ka ndodhur kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së nuk mund të marrin vendime për çështje të rëndësishme personeli në takimin e tyre të nivelit të lartë të enjten dhe të premten (29.-30.10.) e kësaj jave. Bëhet fjalë për emërimin e presidentit të përhershëm të këshillit dhe të një përfaqësuesi të lartë për politikën e jashtme. Klaus kishte kërkuar garanci që të dëbuarit nuk do të ngrinin pretendime duke iu referuar Kartës së të Drejtave Themelore që përmbahet në Marrëveshjen e Lisbonës. Sipas mendimit të përgjithshëm, Marrëveshja e Lisbonës nuk ka të bëjë aspak me këtë çështje, e megjithatë vendet anëtare janë gati të bëjnë lëshime për ta shtyrë presidentin çek të firmosë. Por se si, mbetet ende e paqartë.

Vendet anëtare të gatshme për lëshime ndaj Çekisë

Ministri i Jashtëm italian Franco Frattini.
Ministri i Jashtëm italian Franco Frattini.Fotografi: AP

Ministri italian i Punëve të Jashtme, Franco Frattini i bëri thirrje ndjenjës së nderit të Presidentit Klaus duke i kërkuar të mos pretendojë shumë. "Presidenti Klaus është një xhentëllmen. Dua të them se miratimi i një xhentëllmeni nuk është një pakt me shkrim. E rëndësishmë është përmbajtja. Nëse Çekia na drejton një lutje politike dhe nëse ne vendosim ta plotësojmë atë, atëherë sipas meje firma e Presidentit Klaus është diçka e vetëkuptueshme." - u shpreh Frattini.

Një mundësi do të ishte që Çekia të çlirohet nga detyrimi për të përdorur pjesë të caktuara të Kartës. Edhe për Britaninë e Madhe dhe Poloninë ka përjashtime të tilla. Por edhe nëse Klaus do të nënshkruante pak përpara samitit, koha është shumë e pakët. Presidenca çeke e Këshillit ka propozuar për këtë arsye mundësinë e mbajtjes së një takimi të posaçëm të nivelit të lartë në nëntor. Megjithatë, që tani debatohet ashpër për kandidatët.

Presidenti i ardhshëm i Këshillit duhet të jetë i ndjeshëm ndaj problemeve të anëtarëve më të vegjël

Ish kryeministri britanik Tony Blair.
Tony Blair president i ardhshëm i Këshillit të BE-së?Fotografi: AP

Për postin e presidentit të Këshillit përmendet vazhdimisht emri i ish-kryeministrit britanik Tony Blair. Ministri i Jashtëm i Lituanisë Vygaudas Usackas, pret që kryetari i ardhshëm i Këshillit të ketë këto cilësi: "Bashkimi Evropian është një superstar dhe për këtë arsye kemi nevojë për superstarë që të na përfaqësojnë. Por ata duhet të kenë ndjenjën e përgjegjësisë dhe të jenë të ndjeshëm jo vetëm ndaj vendeve të mëdha anëtare por edhe ndaj të vegjëlve."

Cilësitë e një superstari Blair i përmbush me siguri. Nga ana tjetër vendet e vogla shqetësohen se një president Këshilli nga një vend i madh do të përfaqësonte në radhë të parë të mëdhenjtë. Kritikët thonë se Blair-it i mungon angazhimi i vërtetë evropian, ndër të tjera pasi Britania e Madhe i ka qëndruar larg euros dhe zonës Shengen. Vendimtare do të jetë nëse BE-ja synon para së gjithash një përfaqësim më të fortë nga jashtë apo një harmoni të brendshme.

Gratë pak të përfaqësuara në Këshillin e BE-së

Margot Wallström, zv/presidentja e Komisionit, ankohet ndër të tjera se dhënia e posteve grave nuk është në nivelin e duhur: "Mendoj se në këtë post duhet të jetë një grua. Hidhini një sy emrave që përmenden nga Komisioni. Gratë përbajnë shumicën në popullsi me 52,6 % por këtu reduktohen në pakicë. Mendoj se kjo është e papranueshme në BE-në e vitit 2009."

Steinmeier ndahet me homologët në BE

Frank-Walter Steinmeier, ministri i Jashtëm gjerman në largim.
Frank-Walter Steinmeier, ministri i Jashtëm gjerman në largim.Fotografi: AP

Ministri i Jashtëm gjerman në largim, Frank-Walter Steinmeier, e shfrytëzoi takimin edhe për t'u ndarë me kolegët e tij. Pas ndryshimit të kabinetit në Gjermani, ministër i ri i Punëve të Jashtme do të jetë politikani liberal Guido Westerwelle. Shumë nga homologët e tij të deritanishëm e vlerësuan Steinmeier-in si një diplomat të besueshëm dhe të ekuilibruar. Vetë Steinmeier e cilësoi idenë evropiane si një "projekt të nënvlerësuar në Gjermani".

Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj