1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gaddafi hedh poshtë rezolutën e OKB-së - Sulmet në Libi vazhdojnë

Gaddafi të shtunën e cilësoi rezolutën e OKB-së si të pavlefshme. Luftimet në Bengazi kanë vazhduar.

default

Shpërthim në Bengazi të shtunën (19.03) kur një avion luftarak i Gaddafit u rrëzua nga kryengritësit

Përgatitjen e sulmit kundër tij Gaddafi e cilësoi "një agresion të pastër". Ai e hodhi poshtë rezolutën e OKB-së. Në një letër dërguar presidentit amerikan Barack Obama, atij francez Nicolas Sarkozy, kryeministrit britanik David Cameron, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon ai është shprehur se libianët janë gati të vdesin për të, perëndimi do të pendohet për sulmin, dhe se fuqitë botërore nuk kanë të drejtë të përzihen në punët e brendshme të Libisë, tha zëdhënësi i Gaddafit, i cili lexoi para mediave letrën: "Libia nuk është juaja, është e të gjithë libianëve. Rezolutat e OKB-së janë të pavlefshme."

Të enjten Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën për Libinë që lejon vendosjen e armëpushimit "me të gjitha masat e mundshme". Në rezolutën e tij KS i OKB-së kërkoi fundin e menjëhershëm të luftimeve dhe vendosi për një zonë ndalim-fluturimi mbi Libinë. Rezoluta e miratuar në KS të OKB-së urdhëron diktatorin libian Muammar al-Gaddafi që të mbajë në tokë aviacionin e tij.

UN Libyen Diplomatie Flugverbotszone

KS vendos ndalimfluturimin mbi Libinë

Luftime në Bengazi

Qendra e qytetit libian Bengazi, kryeqendra e kundërshtarëve të Gaddafit është sulmuar të shtunën nga trupat e Gaddafit, të cilat i janë afruar periferive të qytetit. Televizioni Al Xhazira duke u bazuar tek korrespondentët e tij njofton se qyteti është sulmuar nga ajri. Një avion i trupave të Gaddafit është rrëzuar. Luftime ka pasur edhe në Misrata, në perëndim të vendit.

Të premten ka pasur edhe të vdekur, njoftojnë agjencitë. Megjithëse të premten zyrtarisht Libia njoftoi fundin e menjëhershëm të luftimeve dhe ministri i Jashtëm libian Mussa Kussa u shpreh se vendi i tij e pranon rezolutën e Kombeve të Bashkuara, armëpushimi nuk u respektua.

Gjermania nuk e sheh veten të izoluar pas abstenimit

Gjermania, e cila krahas Kinës dhe Rusisë, abstenoi rezolutën e KS të OKB-së, nuk e sheh veten të izoluar, pas kritikave në vend për qëndrimin kundër ndërhyrjes ushtarake.

Deutschland Staatssekretär Werner Hoyer EU zu Libyen

Werner Hoyer, ministër shteti në Ministrinë e Jashtme në Berlin

Qeveria gjermane do të përdorë të gjitha mundësitë "jashtë intervenimit ushtarak" për të ndaluar gjakderdhjen në Libi, u shpreh ministri i shtetit në Ministrinë e Jashtme, Werner Hoyer (FDP) për gazetën e së shtunës "Hamburger Abendblatt". Hoyer kundërshtoi zërat se Gjermania u izolua me abstenimin. Shumë partnerë e ndajnë "skepticizmin gjerman kundrejt një misioni ushtarak", tha ai. "Edhe ata që vendosën për një ndërhyrje ushtarake në Libi, kanë treguar respekt dhe mirëkuptim për qëndrimin tonë", ka theksuar Hoyer.

Autor: AG/Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM

  • Data 19.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10cVt
  • Data 19.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10cVt