1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gaddaf-it po i shtrëngohet gjithnjë e më shumë laku - kryengritësit sulmojnë qytete bregdetare në perëndim të vendit

15 Gusht 2011

Luftimet mes kryengritësve dhe trupave qeveritare në Libi u përqëndruan në fundjavë në qytetin bregdetar Al-Savija. Sipas të gjitha gjasave kryengritësit libanë pushtuan pjesë të këtij qyteti me rëndësi strategjike.

https://p.dw.com/p/12GOa
Kryengritës libianë në frontin perëndimor
Kryengritës libianë në frontin perëndimorFotografi: DW
Harta e Libisë
Harta e Libisë

Aksioni ishte padyshim i përgatitur dhe planifikuar mirë. Në të njëjtën kohë, në tre vende të ndryshme përgjatë rrugës bregdetare të gjatë 200 kilometra mes kalimit kufitar me Tunizinë, Ras Ajdir dhe Tripolit, kryengritësit arritën të përparojnë në qytetet Zabrata, Surman dhe Al-Savija. Gjatë aksionit ka pasur përleshje të ashpra me trupat libiane. Në Al-Savija i cili shtrihet rreth 40 kilometra jashtë kryeqytetit, banorët kanë vrapuar për të kaluar në anën e kryengritësve. Burra të armatosur dhe të rinjtë i ndihmuan kryengritësit që të marrin nën kontroll pjesën më të madhe të qytetit.

Regjimi i Gaddafit nuk bindet - Al Savija nuk është në duart e rebelëve

Moussa Ibrahim - mohon çdo sukses të kryengritësve
Moussa Ibrahim - mohon çdo sukses të kryengritësveFotografi: dapd

Të shtunën në mbrëmje (13.8.) zëdhënësi i qeverisë libiane, Musa Ibrahimi, minimozoi para gazetarëve ndërkombëtare në Tripoli, zhvillimet ushtarake në bregdet. Al-Savija nuk është në duart e rebelëve, tha ai. "Absolutisht jo, jo, absolutisht jo. Ju nuk më keni zënë asnjëherë duke ju gënjyer sa i përket çështjeve ushtarake. Al-Savija është tërësisht nën kontrollin tonë. Ajo çfarë ka ndodhur është kjo. Një grup i vogël i rebelëve u përpoq për të lëvizur në jug - ishin më pak se 100 veta. Ata u ndaluan nga trupat tona. Ishte një grusht njerëzish që jetojnë në Al-Savija dhe të cilët kanë qenë në pritje që edhe të tjerët vijnë në qytet."

Sipas njoftimeve, kryengritësit tani ndodhen në qytet, ata po bastisin duke kërkuar njësitë e shpërndara të Muammar al-Gadafit. Siç njoftoi televizioni arab Al Xhazira kryengritësit arritën të arrestojnë ushtarë të cilët u dorëzuan të njësive ushtarake libiane. Ata janë ngarkuar në kamionë dhe janë larguar nga qyteti. E ardhmja e tyre është e pasigurt.

Dëshmitarët okularë të cilët nga luftimet janë arrtisur për në Tunizi u kanë thënë gazetarëve se trupat qeveritare të Gaddafit po përpiqen të mbrojnë pozicionet përreth kalimit kufitar Ras Ajdir. Ata siç duket po përdorin edhe armatimin e rëndë për të mbrojtur pikëkalimin kufitar. Zëdhënsi i qeverisë Mussa Ibrahim sërish me parullat e tij nxitëse: "Ne jemi të fuqishëm. Dhjetëra mijëra vullnetarë janë të armatosur në këtë moment. Nuk është me rëndësi se sa po përparon Nato, nëse rebelët po përparojnë apo jo. Ata do të jenë gjithmonë të gatshëm të luftojnë edhe pas një, dy apo tre vitesh."

Kryengritësit vazhdojnë betejën kundër regjimit të Gaddaf-it

Kryengritës libianë duke transportuar armë
Kryengritës libianë duke transportuar armëFotografi: AP

Marshimi i kryengritësve në drejtim të bregut perëndimor u ka kushtuar me jetë dhjetëra luftëtarëve. Katër prej tyre janë vrarë prej të ashtuquajturave ""friendly fire" - pra goditjeve nga aleatët: Nato konfirmoi se gjatë sulmeve ajrore të së shtunës (13.8.) ka shkatërruar dy tanke të trupave libiane. Njëri prej tyre më parë kishte rënë në dorë të kryengritësve. Ata vdiqën pastaj nga goditjet e avionëve luftarakë të Natos.

Nga ana tjetër trupat kryengritëse njoftojnë se po luftohet ende për marrjen nën kontroll të një rafinerije në afërsi të Savijas. Në termocentralin e kësaj rafinerie deri vonë është prodhuar energjia elektrike me të cilën është furnizuar kryeqyteti Tripoli. Nëse kjo rafineri bie në duart e kryengritësve atëherë ky do të ishte një triumf i madh në luftë kundër Gaddafit.

Një gjë mbetet e qartë: nëse kryengritësit arrijnë të mbajnë pozicionet e tyre në rrugën 200-kilometërshe bregdetare midis Tripolit dhe kufirit tunizian atëherë ata do të kenë mundësi për të gjunjëzuar Al-Gaddafi dhe qeverinë e tij. Kjo është pastaj vetëm një çështje kohe. Kjo për faktin se përmes kësaj rruge bregdetare kryhen të gjitha furnizimet e regjimit, për popullatën dhe trupat libiane. Ushqimet dhe benzina. Duket sikur laku në qafën e al-Gaddafi po shtrëngohet gjithnjë e më shumë.

Autor: Peter Steffe / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama