1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gabriel: Kohë të vështira në marrëdhëniet gjermano-turke

Dy javë pas marrjes në arrest të korrespondentit të gazetës "Welt", Deniz Yücel, gjykatësi turk bëri të ditur mbajtjen në paraburgim pa afat të gazetarit. Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel e kritikoi vendimin.

Deniz Yücel (picture-alliance/Eventpress)

Gazetari Deniz Yücel

13 ditë qëndroi në arrest në policinë e Stambollit korrespondenti i "Welt" Deniz Yücel. Të hënën (27.02) një gjykatës pranoi kërkesën e prokurorisë për mbajtjen e gazetarit në paraburgim, ndryshe në burg hetimor për një kohë të pacaktuar. Korrespondenti 43 vjeçar akuzohet për "propagandim të një organizate terroriste dhe nxitjen e popullsisë." Personat e dyshuar për vepra të tilla në Turqi mund të mbahen deri 5 vjet në arrest me burg.

Kritika nga ministri i Jashtëm gjerman

Yücel ka pasaportë gjermane dhe turke dhe është korrespondenti i parë gjerman që mbahet në arrest me burg që nga ardhja në pushtet e partisë konservatore islamike, AKP në vitin 2002. Vendimi i gjykatësit hasi kritika të forta. Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel u shpreh se "ky është një vendim shumë i ashpër dhe i papërshtatshëm." Politikani socialdemokrat bëri fjalë për "kohë të vështira në marrëdhëniet gjermano-turke" dhe shtoi se rasti i Deniz Yücel hedh një dritë të fortë në dallimet që ekzistojnë mes dy vendeve, për atë se si zbatohen parimet e shtetit ligjor dhe se si vlerësohet liria e shtypit dhe e shprehjes." Gjykatësi Mustafa Cakra ka dënuar në të shkuarën disa gazetarë të gazetës kritike "Cumhuriyet", bën të ditur gazeta "Welt".

Shkallë e re e përndjekjes

Edhe organizata "Reporterë pa kufij" reagoi menjëherë pas vendimit. "Kur një korrespondent i një redaksie të njohur duhet të mbrohet kundër akuzave të tilla, kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një shkallë të re të përndjekjes, që i kalon ato të tanishmet si ndalimin e hyrjes në vend apo refuzimin e akreditimeve", shkruan "Reporterë pa kufij". Para ambasadës turke në Berlin është paralajmëruar për të martën një protestë, bën të ditur deputeti gjerman i Të Gjelbërve, Özcan Mutlu. "Po qe se Turqia do të tregojë se është demokraci, duhet të marrë fund kjo farsë dhe të mbrohet liria e shtypit", thotë Mutlu. Vetë Yücel është shprehur se "ndjehet mirë" dhe se nuk është ushtruar dhunë ndaj tij, megjithë tonin e ashpër të policëve turq.