1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

G7: Assadi duhet të largohet

Shtatë shtetet më të zhvilluara industriale në botë kërkojnë largimin e presidentit të tanishëm të Sirisë. Me Assadin nuk mund të ketë zgjidhje politike, thonë ata. Tillerson shkon në Moskë.

Ministrat e jashtëm të shtatë vendeve më të zhvilluara industriale (G7) janë unike në qëndrimin se për zgjidhjen e konfliktit në Siri, presidenti i Sirisë Baschar al-Assad duhet të largohet nga pushteti. Nuk ekziston asnjë zgjidhje politike e cila do të nënkuptonte mbetjen e Assadit në pushtet, theksoi ministri i Jashtëm francez Jean-Marc Ayrault, në kornizat e takimit të G7-ës, në Luka të Italisë. Hapi i parë dhe vendimtar është vendosja e armëpushimit dhe mbikqyrja e këtij armëpushimi nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Nga Rusia kërkohet bashkëpunim

Njëkohësisht shefat e diplomacive të shtatë vendeve më të zhvilluara - SHBA, Gjermania, Kanadaja, Japonia, Britania e Madhe, Franca dhe Italia - sipas fjalëve të Ayrault, kanë ftuar Rusinë për një bashkëpunim më të ngushtë në zgjidhjen e  këtij konflikti dhe përfundimin e luftës qytetare atje. Moska duhet të marrë përgjegjësi dhe jo të tregohet e papërgjegjshme në këtë konflikt, tha ministri i Jashtëm francez. Rusia, Irani dhe milicët e hizbollahut janë aleatë të regjimit të Assadit.

Gabriel kërkon zgjidhje politike

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel shpjegoi se shtetet anëtare të G7 duan zgjidhje paqësore. "Asnjë vend i G7-tës nuk do të donte që gjendja të shkallëzojë, por të gjendet një zgjidhje politike e konfliktit dhe të përfundojë spirala e dhunës", tha Gabriel. Këtë qëndrim ka theksuar në veçanti edhe ministri i Jashtëm amerikan Rex Tillerson, i cili me këtë mbështetje është nisur në takimin e tij në Moskë me ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov. Gabriel angazhohet për përfshirjen e Rusisë në përpjekjet për zgjidhjen politike të konfliktit. "Pa Moskën dhe Teheranin" nuk mund të ketë zgjidhje, thotë Gabriel.