1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

G20: Samit plot kontradikta

3 Korrik 2017

Më 7 dhe 8 korrik takohen në Hamburg krerët e qeverive dhe shteteve të 20 vendeve lidere botërore. Angela Merkel do të jetë mikpritësja. Por kaq pak unitet nuk ka pasur kurrë më parë.

https://p.dw.com/p/2fmXi
Deutschland G20 in Hamburg
Fotografi: Getty Images/M.MacMatzen

Në 12 vitet e qeverisjes, kancelarja Merkel ka përjetuar disa samite - ndonjërin madje e ka organizuar edhe vetë. Në vitin 2007 ajo ishte mikpritësja e samitit të G8-s në Heiligendamm, në vitin 2015 ajo priti krerët botërorë në samitin e G7-s në Elmaun bavarez. Tani Hamburgu bëhet skenë e një evenimeti gjigand - samitin e 20 vendeve lidere botërore. Por ky samit dallon nga të tjerët jo vetëm nga numri më i lartë i të ftuarve. "Samiti i G20-s zhvillohet nën kohë e sfidash të mëdha", është shprehur kancelarja Merkel. "Po përmend disa nga sfidat kryesore: Terrorizmin, ndryshimin e klimës, proteksionizmin dhe të gjitha këto tema do të jenë në rend të ditës. "Bota është e trazuar, ajo është më pak unike."

G20 Gipfel Bundestag Angela Merkel
Fotografi: Getty Images/J.MacDougall

Tre burra të fortë

Kjo mungesë ujdie mishërohet në radhë të parë tek presidenti amerikan, Donald Trump, presidenti rus, Vlladimir Putin dhe ai turk, Recep Tayyip Erdogan. Të tre do të jenë në Hamburg, dhe që tani është kuptuar - ata do të kenë në fokus interesat e tyre.

Donald Trump do të përdorë samitin për t'u takuar me presidentin rus, Putin. Temat e bisedimeve nuk janë të pakta: Nga kriza e Ukrainës, lufta në Siri dhe sanksionet kundër Rusisë deri tek ndikimi i dyshuar i Rusisë në zgjedhjen presidenciale të SHBA-së. Këshilltari i Trumpit për sigurinë, H.R. McMaster është shprehur së fundmi, se Trump do të angazhohet që Perëndimi të zhvillojë "një marrëdhënie konstruktive me Rusinë."

Debat për klimën

Dihet se çfarë dëshiron Trump të sjellë në tryezën e bisedimeve në Hamburg. Ai kërkon të bllokojë mbiprodhimin e çelikut, dhe nuk ka për të lëvizuar asnjë milimetër nga vendimi i tij për tërheqjen e SHBA-së nga Marrëveshja e Klimës.

"Nuk mund të presim në Hamburg bisedime të lehta", tha Merkel. "Mungesa e konsesusit është e dukshme, dhe nuk do të ishte e drejtë ta fshihnim këtë." Megjithatë Merkel nuk do ta izolojë Trumpin. "Ne po punojmë nga njëra anë të bëjmë të qartë pozicionin tonë - ne i qëndrojmë besnik Parisit. Por po punojmë edhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta."

Temat ekonomike - prioritet i samitit

G20 është forumi më i rëndësishëm për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar, prandaj temat ekonomike dhe ato financiare do të jenë në krye të axhendës së shteteve anëtare. Por një rol të rëndësishëm do të luajë edhe tregtia e lirë. "Jam e bindur, se proteksionizmi nuk është zgjidhje", këmbëngul Merkel. "Ai i dëmton të gjithë aktorët në tregti. Prandaj kemi nevojë për tregje të hapura dhe qëllimi im është që samiti i G20-s të jetë një sinjal i qartë për tregje të lira, kundër izolimit, si edhe një pranim i qartë i sistemit tregtar multilateral."

Deutschland G20 in Hamburg
Fotografi: Getty Images/M. MacMatzen

Një nga pikërëndesat e samitit është edhe bashkëpunimi me Afrikën. Përmes iniciativës "Compact with Africa", që duhet të veprojë jo në vend të ndihmës së zhvillimit, por si shtojcë e re e politikës për Afrikën, do të tërhiqen investitorë privatë dhe ata publikë në Afrikë.

Për të raportuar mbi samitin në Hamburg janë regjistruar 4800 gazetarë nga 65 vende. E gjithë bota i drejton sytë nga Hamburgu për të parë, se ç'do të arrihet këto dy ditë. Qëllimi i Merkelit: Nga ky samit të dalë një sinjal vendosmërie, përmes të cilit krerët e qeverive dhe vendeve të G20-s të bëjnë të qartë se e kanë kuptuar përgjegjësinë që kanë për botën.