1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

G20: Evropa rrezikon të humbasë pushtetin

Në takimin e G-20 tema kryesore kriza e borxheve në zonën e euros. BE-së i duhet jo vetëm të tregojë si do të menaxhojë krizën, por edhe të tregojë si do të luftojë humbjen e besimit tek partnerët jo- evropianë.

Evropa para provës së besimit

Evropa para provës së besimit

Kur 20 vendet industriale më të rëndësishme dhe vendet në ekspansion ekonomik do të mblidhen më 18 dhe 19 qershor në Meksikë në një takim të nivelit të lartë, tema kryesore do të jetë kriza e borxheve në zonën e euros. Nga takimi priten shumë. Tregjet globale financiare presin të tensionuara të mësojnë nëse takimi i G-20 do ia dalë mbanë të japë përgjigje për krizën. Për pjesëmarrësit e nivelit të lartë nga BE kryesore është të tregojnë në takim vendosmëri dhe aftësi për të vepruar. Sepse sa më shumë që zgjat kriza aq më shumë bota vë në dyshim vendosmërinë e Brukselit. Takim i G-20 ka të bëjë me krizën financiare, por edhe me imazhin e gjithë BE-së. Unioni ndodhet si institucion ekonomik dhe politik në provë në pokerin global të forcave për pushtet.

BE yll në shuarje?

G20 Takim në Canne

G20 Takim në Canne

Që prej fillimit të krizës financiare Europa nuk ka qenë shumë e besueshme, mendon Almut Möller nga "Shoqata Gjermane për politikën e Jashtme". Në bisedat e zhvilluara gjatë takimeve të ministrave të jashtëm të vendeve jo anëtare të BE-së, "tematizohet gjithnjë humbja e pushtetit të Evropës". Shpesh shtrohet pyetja nëse evropianët janë në gjendje të mposhtin krizën. Kjo mungesë besimi e pengon BE-në në takimet ndërkombëtare të rëndësishme, thotë ekspertja. "Sepse mendimi i pjesëmarrësve është se ylli i Bashkimit Evropian është duke u shuar pa u ndezur mirë," kështu që BE e ka të vështirë të verë në jetë idetë e tij në politikë.

Një vështirësi tjetër është mungesa e vendosmërisë së BE-së. Vendet jashtë BE-së, e kanë të vështirë të kuptojnë konfuzionin e interesave në vendimet e marra nga BE dhe të interesave shpesh kontradiktore të vendeve të veçanta. Shprehja e famshme e ish ministrit të Jashtëm amerikan Henry Kissinger për Evropën është vlerësuar gjithnjë si aktuale. Kissinger ankohej se nuk e dinte kë të merrte në telefon në Evropë, sepse Evropa flet me shumë zëra, dhe jo me një.

Konfuzion në mesin e jo- evropianëve

Gjeopolitikisht BE nuk ka ndikim si një njësi e vetme, kritikon profesor Ludger Kühnhardt nga "Qendra për studimin e integrimit evropian" në Universitetin e Bonit. "Evropa shfaqet në nivel ndërkombëtar për këtë çështje po ashtu si në shumë çështje të tjera shumë keq." Kühnhardt mendon se nuk është mirë që në takimin e nivelit të lartë të G-20, Evropa përfaqësohet me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe me përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së. "Për çdo jo-evropian, sidomos për fuqitë e reja Indonezia, Amerika Latine dhe Afrika e Jugut, kjo sjell konfuzion. Kjo nuk ndihmon për t`i lënë pjesëmarrësve të G-20 përshtypjen e një kontinenti të bashkuar." Kühnhardt thotë se pjesë të politikës dhe ekonomisë kërkojnë prej vitesh që BE të prezantohet në takimet e G-20 me një përfaqësi të përbashkët dhe jo me shtetet e veçanta anëtare.

Ky diskutim është dëgjuar edhe nga kancelarja Angela Merkel. Me një apel "për më shumë Evropë" ajo tregon hapur shqetësimin e saj për rreziqet që paraqet kriza evropiane. Momentin e bërjes së këtij apeli ajo e zgjodhi mirë. Ajo duhet të kërkojë tempo më të lartë, sepse nuk është vetëm takimi i G-20 që pritet të mbahet por edhe zgjedhjet në Greqi në fundjavë. Aty do të vendoset nëse Greqia do të largohet nga zona e euros. Në fund të qershorit zhvillohet takimi i radhës i BE-së, në të cilin do të merren vendimet kryesore për krizën ekonomike.