1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gëzim tek të gjitha partitë, trishtim në SPD

Në kohën e krizës Gjermania votoi për një koalicion klasik: Unionin Kristiandemokrat e Kristiansocial dhe atë liberal. Partia Socialdemokrate shënoi rezultatin më të dobët në historinë e saj.

Angela Merkel gëzon me mikrofon

Angela Merkel

Pas mbylljes së qendrave të votimeve dhe numërimeve paraprake të votave kancelarja Angela Merkel doli përpara qindra simpatizantëve të Unionit Kristiandemokrat në qendrën e partisë "Konrad-Adenauer Haus" në Berlin, me një buzëqeshje në fytyrë: "Jam e lumtur, ne arritëm diçka të mrekullueshme, ne arritëm synimin që i kishim vënë vetes në këto zgjedhje," - tha ajo.

Merkel: Dua të jem kancelarja e të gjithë gjermanëve

Angela Merkel në festën pas fitores me këngëtaren Heidi Fuellgraf

Angela Merkel në festën pas fitores me këngëtaren Heidi Fuellgraf

Për Unionin Kristiandemokrat e Kristiansocial, megjithëse rezultati i zgjedhjeve ishte relativisht i dobët me afro 34 për qind, hapet kështu rruga për të krijuar një koalicion konservator-liberal, por Merkel premtoi se ajo do të punojë edhe për ata që nuk e zgjodhën: "Unë dua të jem kancelarja e të gjithë gjermanëve," - tha ajo. Ajo nuk donte ta prishte atmosferën euforike që mbizotëronte në selinë qendrore të partisë, prandaj edhe sfidat që i dalin përpara qeverisë së saj në kohë krize i përmblodhi me një fjali: "Ka shumë probleme që duhen zgjidhur në vendin tonë."

Edhe në Mynih, ku ka selinë partia motër e Unionit Kristiandemokrat, Unioni Kristiansocial (CSU), mbizotëronte gëzimi, megjithëse me 41% të votave CSU nuk e arriti dot shumicën absolute që ka pasur tradicionalisht në landin e Bavarisë.

Negociata për një koalicion konservator-liberal

Kryetari i FDP-së Guido Westerwelle dhe Angela Merkel

Kryetari i FDP-së Guido Westerwelle dhe Angela Merkel

Sot (28.09) Merkel ka ndër mend të fillojë negociatat për një koalicion qeveritar me liberalët. Partia e Lirë Demokratike (FDP) është fitimtarja e vërtetë të zgjedhjeve, pasi jo vetëm që arriti rezultatin më të mirë në historinë e saj (14,6%), por edhe sepse pas 11 vjetësh në opozitë, ka rastin të kthehet përsëri në kabinetin qeveritar. Guido Westerwelle, kryetari i partisë, dukej i emocionuar, kur doli para simpatizantëve të tij në mbrëmje në Berlin: "Ne gëzohemi për këtë rezultat të shkëlqyer, por jemi të vetëdijshëm që kjo do të thotë para së gjithash përgjegjësi, të cilën jemi të gatshëm ta marrim përsipër," - tha Westerwelle, i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë ministri i Jashtëm i Gjermanisë në katër vitet e ardhshme. Një post, i cili nga viti 1974 deri në vitin 1998, pra për 30 vjet me radhë, ka qenë në dorë të liberalëve: Walter Scheel, Hans-Dietrich Genscher dhe Klaus Kinkel.

Humbje katastrofale për socialdemokratët

Më e humbura në zgjedhje doli Partia Socialdemokrate, që me afro 23,1% humbi gati 11 përqind të votave në krahasim me zgjedhjet e vitit 2005 dhe ra në rezultatin më të dobët të historisë e saj. "Kjo është një ditë shumë hidhur për socialdemokracinë" - tha kandidati për kancelar Frank-Walter Steinmeier para simpatizantëve në Berlin.

Frank-Walter Steinmeier, dhe kryetari i SPD-së Franz Muenterfering

Frank-Walter Steinmeier, dhe kryetari i SPD-së Franz Muenterfering

Këta e pritën kandidatin e tyre me duartrokitje çuditërisht të gjata duke shprehur kështu respektin dhe mirënjohjen për angazhimin e tij me gjithë rezultatin e dobët. "Unë nuk do t'i shmangem përgjegjësisë" - tha Steinmeier dhe paralajmëroi se në parlamentin e ri ai do të jetë në dispozicion të partisë si kryetar i grupit parlamentar. Ndryshe nga ç'kishte pritur opinioni, kryetari i aktual i partisë, Franz Myntefering, nuk e paralajmëroi dorëheqjen nga posti, në të cilin ishte kthyer vetëm një vit më parë, për të ndihmuar socialdemokratët të dilnin nga kriza brenda partiake.

Gëzim te E Majta, nota keqardhjeje tek Të Gjelbrit

Dy partitë e tjera opozitare, E majta dhe Të Gjelbrit, po ashtu i pritën me gëzim rezultatet e zgjedhjeve. Sidomos E Majta e cila arriti 12,1 përqind, pra afro 3% më shumë se në zgjedhjet e mëparshme. Kryetari i partisë, Lothar Bisky, u premtoi simpatizantëve që festonin në Berlin: "Me këtë rezultat dyshifror E majta do të tregojë se çfarë është në gjendje të bëjë" dhe shtoi: "Ne do të jemi forca sociale në parlamentin gjermane". Në krah të tij ishin edhe dy kandidatët Gregor Gysi dhe Oskar Lafontaine, falë të cilëve partia, që rrjedh kryesisht nga partia e dikurshme shtet e RDGJ-së, arriti të kthehej në një parti mbarëgjermane.

Kandidatët kryesorë të ambientalistëve Jyrgen Tritin dhe Renate Kynast

Kandidatët kryesorë të ambientalistëve Jyrgen Tritin dhe Renate Kynast

Të gjelbrit, me gjithë rezultatin më të mirë të historisë së tyre, 10,5%, u treguan paksa të zhgënjyer për humbjen e thellë të socialdemokratëve: "Sado të shkëlqyer të jenë të Gjelbrit, ata nuk mund ta kompensojnë rezultatin katastrofal të socialdemokratëve" - tha njëri nga dy kandidatët, ish-ministri i Ambientit Jyrgen Tritin.

Varianti klasik

Rezultati i zgjedhjeve tregoi, se në kohën e krizës gjermanët iu kthyen një koalicioni klasik: Unionin Kristiandemokrat e Kristiansocial dhe liberalët. Këto janë dy partitë të cilat që nga krijimi i Republikës Federale të Gjermanisë në vitin 1949 e kanë pasur kryesisht në dorë timonin e qeverisjes së vendit. Me 72 përqind pjesëmarrja në zgjedhje ishte më e ulta në historinë e Gjermanisë Federale. Gjithsej për të marrë pjesë në zgjedhjet e 17-ta për parlamentin federal ishin ftuar 62,2 milionë gjermanë me të drejtë vote. Në garën për Bundestagun konkurronin 27 parti.

Autor: Anila Shuka
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 28.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JqTV
  • Data 28.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JqTV