1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

„Gëzim naiv për lirinë“

Nga prifti protestues gjermanolindor tek presidenti i vendit: Biografia e Joachim Gauck, presidentit gjerman në largim, është edhe një kapitull i historisë gjermane e gjermanolindore.

Në mesin e shkurtit 2012: 72 vjeçari Joachim Gauck ndodhet në taksi, duke u kthyer nga aeroporti, kur jeta e tij merr edhe një kthesë tjetër. Zilja e celularit bie, në anën tjetër është kancelarja, Angela Merkel, e cila i thotë, se partia e tij dëshiron ta emërojë atë si kandidat për president. Gauck e falënderon dhe thotë, se është i vetëdijshëm, se kjo nuk ka qenë e lehtë. Ai e di se njëherë kancelarja ka thënë, "një gjë dihet, Gauck nuk do të bëhet.” Por ai u zgjodh president. Në raundin e dytë, me shumicën e Asamblesë Federale. Merkel e kishte penguar kandidaturën e tij një vit e gjysmë më parë. Gauck vinte nga Gjermania lindore, por ai konsiderohej kokë më vete dhe i paparashikueshëm.

Në fundin e mandatit të tij në kështjellën Bellevue ka disa gjëra që mbeten në kujtesë. Gauck i mbështet dëmshpërmblimet për krimet e nazistëve në Greqi, ndërsa qeveria i ikën kësaj teme. Apo gjenocidin turk në Armeni ai e quan qartë „gjenocid", më parë se qeveria ta bëjë këtë. Sa duhet të përzihet një president në politikën e ditës? Gauck eci në një shtresë të hollë akulli, kur kërkoi më shumë angazhim ushtarak të Gjermanisë, ose kur kritikoi zgjedhjen e një kryeministri të majtë në Turingen.

Një ent shtetëror që mban emrin e tij

Meklenburgasi i lindur në vitin 1940 nuk ka vetëm retorikë të fuqishme, „kam qenë një nxënës llafazan", kujton ai. Ai solli në postin e presidentit një ndërgjegje të re. Në të gjithë Gjermaninë, por sidomos në Perëndim, biografia e tij si prift kundërshtues i regjimit të RDGJ-së i solli atij më shumë besueshmëri, sesa një karrierë brenda partive të mëdha. Ai rivendosi dinjitetin në postin e presidentit, pas dy vitesh të shkurtra të mandatit të Christian Wulff dhe presidentit të mëparshëm të dorëhequr para kohe, Horst Köhler.

Shpejt ai i bëri konkurrencë Angela Merkelit në sondazhe. Gauck është më shumë i preferuar në Perëndim se në Lindjen gjermane. Në Lindje qëndrimet ndahen, pas punës së tij si "I ngarkuar i posaçëm për dosjet e ish-Ministrisë për Sigurinë e Shtetit”. Kritikët thanë, se ai është më shumë administrator se gjykatës apo akuzues i këtyre dosjeve. Enti shtetëror i drejtuar prej tij u njoh më vonë si "Institucioni Gauck.”

Fati i babait si "me efekt edukimi"

Ngritja kundër sistemit të RDGJ-së nga ana e Joachim Gauck bazohet në një përvojë të dhimbshme. Kur ka qenë 11 vjeç, babai i tij internohet në një kamp pune në Siberi për shkak të një kontakti me Perëndimin. Fati i babait ka pasur mjaft "efekt edukimi”, dhe përjashtoi çdo mundësi pranimi të sistemit, shkruan Gauck në kujtimet e tij. Prandaj ai nuk u bë gazetar, siç kishte dëshiruar më parë, por studioi teologji. Gauck bëhet pastor, organizon punën me të rinjtë, më vonë ditët e kishës protestante, i vëzhguar me dylbi nga sigurimi shtetëror i Erich Mielkes. Në dosjen e tij shkruhet se "ai është një antikomunist i papërmirësueshëm", që punon "nën mbulojën e punës paqësore të kishës”.

Në vitin 1989 Gauck i bashkohet lëvizjes qytetare të re „Forumi i Ri", bëhet deputet në tre dhomat e para popullore të zgjedhura, dhe nga këtu zgjidhet drejtues i autoritetit shtetëror për dosjet e Stasit. Gauck u kthye në një figurë qendrore të procesit të bashkimit brenda gjerman. Ai kërkon një hapje të rregulluar me ligj të dosjeve, paralajmëron nga heqja vizë ndaj të së shkuarës. Pas dy mandatesh në autoritetin e dosjeve ai e vlerëson si shumë të rëndësishëm faktin e krijimit të një ligji të posaçëm, që "ndikoi në delegjitimimin e diktaturës”.

Mësues për demokracinë

Në vitet në vazhdim, Gauck kthehet në "një mësues demokracie në udhëtim”, para se të vijë telefonata e kancelares. Tema e tij kryesore mbetet liria, dhe kësaj ai i mbetet besnik edhe si president. Tema tjetër e rëndësishme mbetet pajtimi me fqinjët. Udhëtimin e parë si president, Gauck e bëri në Poloni, fotot e tregojnë atë dorë më dorë me presidentin francez, François Hollande në Oradour, me presidentin grek, Karolos Papoulias në Lingiades me presidentin ukrainas, Petro Poroshenko në Babyn Jar – vende të masakrave maziste.

Përfaqësues i një epoke

Për një kohë të gjatë Joachim Gauck nuk u prononcua në opinionin publik, nëse do të ishte i gatshëm për një mandat të dytë. Në qershor 2016, ai pranon, se nuk do të jetë në dispozicion, një vendim i imponuar me sa duket edhe nga dobësitë e moshës. Por sigurisht një vendim jo i lehtë. Kriza e refugjatëve dhe forcimi i AfD-së nuk e lënë presidentin të qetë. Në fund të mandatit të tij mbyllet edhe rrethi i ndikimit politik të Gauck. Ngjarjet e vitit 1989, vitet e çlirimit kanë qenë për të përvoja më e rëndësishme e jetës së tij politike, thotë Gauck në një vizitë lamtumire në autoritetin e dosjeve. "Liria është e bukur, por çlirimi është më emocional.”