1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gërdec - dy vjet më pas

Dy vjet pas tragjedisë së Gërdecit, në Tiranë vazhdon ende procesi gjyqësor për të çuar para drejtësisë shkaktarët e saj. Drejtësi kërkojnë të afërmit e 26 personave që humbën jetën më 15 mars 2008.

Shtëpi të reja në Gërdec - dy vjet pas shpërthimit

Shtëpi të reja në Gërdec - dy vjet pas shpërthimit

Adelina Cani është një nga të mbijetuarat e tragjedise se Gërdecit dhe një nga 300 dëshmitaret okulare të akuzës në procesin gjyqësor, që po zhvillohet në Tiranë. Shtëpia e saj, e re , dykatëshe ndodhet rreth 150 metra nga vendi ku dikur ngrihej fabrika e çmontimit të fishekëve dhe predhave të armatimit stok sovjeto- kinez. E rindërtuar në të njëjtin vend, ku para dy vitesh u rrafshua shtëpia e vjetër, ndërtesa e re duket sikur sfidon skeletin e fabrikës së çmontimit dhe mbeturinat e hekurishteve, që duken qartë nga veranda e saj. Kjo pamje ruan të fresket në kujtesën e Adelinës dhe të familjes së saj gjithë sa ndodhi më 15 mars 2008. Çfarë ka dëshmuar ajo për atë ditë në Gjykatën e Tiranës, në procesin gjyqësor për të zbardhur çështjen Gërdeci dhe çuar para drejtësisë fajtorët?

Adelina Cani, 19 vjeç ka dëshmuar në gjykatë për përjetimin e saj dy vjet më parë.Ajo beson në drejtësinë për atë që i ndodhi.

Adelina Cani, 19 vjeç ka dëshmuar në gjykatë për përjetimin e saj dy vjet më parë. Ajo beson në drejtësinë për atë që i ndodhi.

Si sot, dy vjet më parë, po punoja .. po nxirrja barutin nga gëzhojat e fishekëve kur pashë një flakë të madhe.. nuk dita nga shkova, çfarë bëra, u tmerrova, nuk e kuptova nga erdhi, nuk e kuptova që ndërkohë isha djegur. Vetëm kur filloi dhimbja e kuptova që isha djegur. Dola në rrugën kryesore, i ngrita dorën një makine, që më çoi në spital,” thotë Adelina Cani.

Në spital Adelinën 17 vjeçare mjekët e shpëtuan nga vdekja, por jo nga trauma psikologjike

“ Ndiej frikë kur shoh një zjarr të vogël, kur pëlcet një tullumbace më rikthehet gjithë tmerri që përjetova atë ditë.”

Ajo ngre mëngët e një bluze të zezë sportive, të dizenjuar me flutura të bardha e të verdha, dhe atëhere shoh se krahët janë të fashuara me një lloj korseje në ngjyrë mishi. Po kështu edhe këmbët, edhe shpina. Mjekët e lejojnë t'i heqë vetëm kur duhet të përsërisë mjekimin dhe kur bën dush. Kjo e brengos shumë Adelinën..

Jam e re 19 vjeç, dua të vishem edhe unë si shoqet e mia, të mos dal me mëngë të gjata, me pantallona, në mes të verës,” thote me trishtim Adelina.

Adelina kërkon drejtësi.” Besoj se duhet të ketë drejtësi. Besoj se duhet të bëhet drejtësi” thotë ajo me gjallëri. Të njëjtën gjë kërkon edhe i ati, Avni Cani:

Avni Cani, babai i Adelinës pret që fajtorët të nxirren para drejtësisë

Avni Cani, babai i Adelinës pret që fajtorët të nxirren para drejtësisë

Organet shtetërore duhet të jenë në lëvizje për drejtësi. Shteti ka mundësi të nxjerrë të vërtetën, nuk është e pamundur për të çuar shkaktarët para ligjit.”

Që drejtësia të mos mungojë

Që kjo të ndodhë në Gjykatën e Tiranës që prej 7 muajsh vazhdon procesi gjyqësor. Katër persona, drejtues të fabrikës së çmontimit në Gërdec janë arrrestuar dhe 29 të tjerë janë të pandehur. Që nga shtatori i vitit të kaluar, kur u hap procesi ishqyrtimit gjyqësor çdo javë, të hënën dhe të premten zhvillohen seanca gjyqësore për të zbardhur dosjen Gërdeci.

Skelete të depos ushtarake duken ende në Gërdec

Skelete të depos ushtarake duken ende në Gërdec

Prokurori Altin Dumani, që drejton grupin e prokurorëve në këtë proces gjyqësor pohon për DW se ” sot fillon faza e dytë kur në seancën e rradhës do të pyeten jo më dëshmitarë okularë, por zyrtarë të shtetit, ish-ushtarakë, punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes, që kishin dijeni për gjithë sa ndodhte në fabrikën e çmontimit të municioneve në Gërdec dhe për kushtet teknike të mbrojtjes. Se shpejti do të fillojë pyetja e dëshmitarëve amerikanë të akuzës, nga kompania South Ammunition, me të cilën kompania shqiptare Alb- Demil ishte partnere në çmontimin e fishekëve dhe predhave në Gërdec.”


Megjithë këtë grafik të ngjeshur seancash gjyqësore, prokurori Dumani nuk mund të parashikojë se kur mund të përfundojë procesi. Ai thotë se ” ecuria e procesit gjyqësor është normale dhe sfida e Prokurorisë është përshpejtimi i ritmeve të tij. Në fund të fundit e rëndësishme është që drejtësia të shkojë në vend dhe shkaktarët të marrin fajësinë”.

Autor: Ani Ruci/Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 15.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MThz
  • Data 15.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MThz