1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fytyra e shëmtuar e parajsës turistike

Me shumë patos festohet në fillim të gushtit në Kroaci çlirimi nga trupat serbe. Kjo është një mundësi e mirë prezantimi edhe për radikalët e djathtë.

Qindra-mijëra turistë të huaj vizitojnë këto ditë Kroacinë, "vendin e vogël për pushime të mëdha", si shkruhet në posterat e reklamave. Ata shijojnë diellin, detin dhe vendin e bukur në breg të Adriatikut. Shumica e tyre nuk e flasin gjuhës kroate, por ky nuk është ndonjë problem i madh, sepse një pjesë e madhe e kamerierëve apo shitësve flasin anglisht ose gjermanisht.

Ndonjëherë mungesa e njohurive gjuhësore mund të jetë madje shumë e dobishme për pushimet, sepse tursitët nuk i kuptojnë mbishkrimet nëpër muret e qyteteve të vogla dhe të mëdha kroate, të cilat me përmbajtjen e tyre mund të të prishin humorin.

"Serbët duhen varur" ose "Vriti serbët" lexohet në shumë prej tyre dhe shpesh të bie në sy një "U" e madhe, simboli i regjimit fashist të ustashëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe i thirrjes së tyre luftarake "Za Dom Spremni" (Për atdheun gati). Po ashtu nëpër mure shihen edhe shumtë kryqe të kthyer, simboli i nazistëve, po ato mund t'i anashkalosh rrugës për në plazh apo për ndonjë darkë romantike. Kjo është fytyra e shëmtuar e parajsës turistike.

Ditët e para të gushtit në Kroaci përkujtohet aksioni çlirimtar Oluja (stuhia)

Ditët e para të gushtit në Kroaci përkujtohet aksioni çlirimtar "Oluja" (stuhia)

Ekstremistët e djathtë në jetën e përditshme

Ditët e para të gushtit në Kroaci përkujtohet aksioni çlirimtar "Oluja" (stuhia), kur në vitin 1995 ushtria kroate çliroi brenda pak ditësh territoret e vendit që kontrolloheshin nga serbët, por duke vrarë edhe mjaft serbë dhe duke dëbuar mbi 200.000 serbë nga Kroacia. Me këtë rast, çdo vit në qytetin e vogël të Kninit festohet zyrtarisht, me shumë patos kombëtar dhe demonstrim force ushtarake, çlirimi i Kroacisë. Kjo është po ashtu një mundësi e mirë për radikalët e djathtë dhe neo-ustashët që të shfaqen në publik.

"Ikonografia radikale e djathtë është sot pjesë e jetës së përditshme kroate", thotë Boris Raseta, gazetar dhe analist politik nga Zagrebi. Edhe pse nuk ka dhunë direkte fizike në rrugë, retorika e mprehtë nacionaliste dhe simbolet e qarta radikale të djathta dhe neo-fashiste janë kudo të pranishme." Edhe 20 vjet pas luftës Kroacia jeton në një atmosferë të retorikës së luftës," thotë Raseta. "Kroacia si shtet i pavarur është rezultat i një lëvizjeje politike të djathtë dhe retorika patriotike është ende masa e të gjitha gjërave."

Mungesë vullneti politik

Megjithatë do të ishte gabim po të thuhet se pjesa më e madhe e shoqërisë kroate është radikale e djathtë, thotë analisti politik Zarko Puhovski e Zagrebit. "Sikurse në vendet e tjera evropiane kemi të bëjmë vetëm një pakicë nga tre deri në pesë për qind të votuesve, që mbrojnë pozicione radikale mënyrë të hapur." Problemi në Kroaci qëndron tek fakti se në krahasim me vendet e tjera ata janë shumë më tepër të pranishëm dhe të dukshëm në publik, thotë Puhovski. Po ashtu në Kroaci mungon vullneti politik për t'u treguar vendin ekstremistëve të djathtë.