1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fyle shpall fillimin e studimit të fizibilitetit për Kosovën

Studimi i fizibilitetit për Kosovën është një proces që do të identifikojë fushat ku vendi duhet të shënojë progres për negociatat për MSA.

Komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle

Komisioneri i BE-së për zgjerimin Stefan Fyle

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle, shpalli në Prishtinë zyrtarisht fillimin e studimit të fizibilitetit për Kosovën, proces ky që i paraprin marrëveshjes së Stabilizim Asocim ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Fillimin e studimit të fizibilitetit për Kosovën, që ka për synim të identifikojë fushat ku vendi duhet të bëjë progres, Stefan Fyle e shpalli gjatë inaugurimit të Këshillit Kombëtar të Kosovës për Integrime Evropian. Ky mekanizëm kosovar synon të bashkërendojë dhe krijojë konsensus nacional në lidhje me integrimet evropiane të Kosovës. Gjatë një fjalimi, komisoneri për zgjerim Stefan Fyle, tha se fillimi i studimit të fizibilitetit shënon një fazë të re në marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Studimi i fizibilitetit do ta shohë Kosovën nga një përspektivë tjetër

“Është me rëndësi që studimi i fizibilitetit do ta shohë Kosovën nga një perspektivë ndryshe nga raporti i progresit. Studimi i fizibilitetit do të përfshijë arritjet e Kosovës sa i përket përafrimit ekonomik, politik dhe ligjor, se çfarë duhet të bëjë Kosova më tutje në mënyrë që të jetë në pozitë të negociojë dhe zbatojë një marrëveshje për stabilizim-asociim. Tregtia tregtia do të jetë komponenti kryesor”, tha Stefan Fyle.

Integrimi i pakicave është me rëndësi thelbësore

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle, tha se integrimi i pakicave në Kosovë është me rëndësi thelbësore për vendin.

“Ju kërkoj që t'u ofroni komunitetit serb kudo në Kosovë përkushtimin tuaj dhe t'i adresoni sfidat për të drejtat pronësore të serbëve. Tani është koha që Kosova të arrijë sukses dhe të kryejë punën. Ju duhet të na ndihmoni në mënyrë që ne të mund t'ju ndihmojmë. Rekomandimet e studimit të fizibilitetit do të varen nga ajo çfarë mund të ofroni gjatë muajve të ardhshëm”, tha Stefan Fyle.

Komisioneri shtoi se Bashkimi Evropian gjatë këtij viti dëshiron të bëjë përparim vendimtar lidhur me procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën, për tregtinë dhe pjesëmarrjen e Kosovës në programet e Bashkimit Evropian. Stefan Fyle konfirmoi se Kosova do ta marrë zyrtarisht udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në fund të pranverës së këtij viti.

Është koha për komunikim dhe jo për konfrontim

Komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim, Stefan Fyle, foli shkurt edhe për veriun e Kosovës. Ai i dha mbështetje qeverisë që të hartojë një axhendë gjithëpërfshirëse për veriun e Kosovës.

“Ne do t'Ju mbështesim në përkushtimin tuaj, në përgatitjen dhe zbatimin e axhendës afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse për veriun e Kosovës. Duhet të ndërmerren hapa për të rritur besimin atje. Është koha për komunikim dhe integrim dhe jo për konfrontim”, tha Stefan Fyle.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga

Autoritetet e Prishtinës zyrtare u shprehen të hapur edhe për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se ky dialog do të sjellë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Serbia të ketë kujdes në politikat e saj fqinjësore

“Dialogun që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, e vlerësoj si tejet të dobishëm për dy vendet tona. Kjo nuk është vetëm rruga më e mirë, por edhe rruga e vetme që ne të normalizojmë raportet mes nesh dhe si të vetmen mënyrë që ta obligojmë Serbinë që të përmbushë obligimet e veta, të pranojë realitetin e krijuar dhe të sillet konform rregullave dhe normave ndërkombëtare në politikat e saj fqinjësore”, tha presidentja Atifete Jahjaga.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, do të udhëheqë Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian. Ky mekanizëm synon ndërtimin e konsensusit institucional e shoqëror dhe gjithashtu rekomandon konkretizimin e veprimeve në procesin e integrimit evropian.

Vendimi i BE-së për fillimin e Studimin të Fizibilitetit për Kosovën, pasoi marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale me anë të fusnotës.