1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fyle në Prishtinë: ditët e ardhshme esenciale për Kosovën

Komisioneri i BE, Stefan Fyle, e viziton Prishtinën një ditë para takimit Thaçi-Daçiç. Ai tha se marrëveshja Kosovë-Serbi do të ishte mirë të arrihej, sepse do të ishte në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

Stefan Fule

Stefan Fule

Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle e mbështet dialogun Kosovë-Serbi dhe e përshëndet progresin e arritur, dhe thotë se “ditët në vijim janë esenciale për të ardhmen e Kosovës”. Stefan Fyle tha se Kosova dhe Serbia janë më afër që të përmbushin detyrat e tyre, e që kanë të bëjnë me atë që të jenë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Këto komente, Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle, i bëri të martën (19.03.), gjatë një vizite që po realizon në Prishtinë. Në këtë kuadër ai pati takime me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe Ministren e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.

Stefan Fyle e vizitoi Prishtinën pas një vizite që pati në Berograd, vetëm një ditë para takimit në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç.

“Marrëveshja Kosovë-Serbi do të ishte mirë të arrihej sepse kjo do të ishte në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve, si dhe do të forconte aspiratat për integrime evropiane”, tha Stefan Fyle.

Në qershor të këtij viti BE flet për Kosovën

Stefan Fyle e vlerësoi progresin e bërë deri tash në Kosovë, përsa i përket kritereve afatshkurtra të përcaktuara nga Komisioni Evropian duke thënë se “ky progres është rezultat i punës së madhe që ka bërë Kosova dhe për hapat tjerë do të vendosin shtetet anëtare në qershor”.

“Kosova duhet të shfaqë kurajë më të madhe në sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik, vazhdimin e reformave për rrugën e saj drejt Evropës”, tha Stefan Fyle, duke i siguruar autoritetet e Prishtinës se do ta kenë përkrahjen e Komisionit Evropian.

Kryeministri Hashim Thaçi nuk ndodhet në Kosovë, por zëvendësi i tij, Hajredin Kuçi tha se “Kyeministri Hashim Thaçi në takimin që pritet të mbahet të mërkurën në Bruksel me kryeministrin serb, Ivica Daçiç do të shkojë me vullnetin për të arritur marrëveshje, me qëllim të paqes, stabilizimit dhe normalizimit të raporteve”. Sipas Kuçit, kjo marrëveshje duhet të ketë parasysh respektimin e sovranitetit të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, tha se në takimin me komisionerin Fyle ka kërkuar “që të përshpejtohet procesi sa i përket marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit si dhe liberalizimit të vizave”, Sipas Kuçit Kosova pret hapa konkret nga Komisioni Evropian muajin e ardhshëm.

Autor: Bekim Shehu/Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi