1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Futbolli i femrave drejt konsolidimit të një sporti “tabu”

4 Korrik 2011

Në një kohë që botërori i femrave në futboll, ka hyrë në një fazë kulmore, sporti më popullor në planet gjen vend edhe në seksin e dobët në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/11oim
Për herë të parë një ekip shqiptar do të luajë në Ligën e Kampioneve për femra
Për herë të parë një ekip shqiptar do të luajë në Ligën e Kampioneve për femraFotografi: DW

Prej pak javësh është mbyllur kampionati i dytë kombëtar i futbollit shqiptar për femra duke kurorëzuar fituesen e dytë, ndërsa për herë të parë një ekip shqiptar do të luajë në Ligën e Kampioneve për femra.

Genc Ymeri, presidenti i klubit të futbollit për femra, “FK Tirana”, nënvizon të ardhmen në ngritje, si dhe të rejat e turneut që sapo u mbyll, si dhe shpreson që futbolli i femrave të gjejë përkrahje më të madhe në Shqipëri. “Futbolli i femrave në Shqipëri po gjen gjithnjë e më shumë vëmendje, dhe në kampionatin e dytë profesionist, ne patëm një rritje të numrit të ekipeve. Madje, një prej ekipeve të reja është shpallur kampione, Ada e Velipojës” shpjegon Ymeraj.

Kampionia e re në futbollin e femrave, Ada e Velipojës do të luajë në Champions League,
Kampionia e re në futbollin e femrave, Ada e Velipojës do të luajë në Champions League

UEFA Champions League në horizont

Kampionia e re në futbollin e femrave, Ada e Velipojës do të luajë në Champions League, turne ku një ekip femrash shqiptar, merr pjesë për herë të parë. Formacioni shqiptar, do ketë startin e tij në raundin e parë kualifikues në grupin 6, ku bëjnë pjesë edhe Unia Raciborz (Poloni), PK-35 Vantaa (Finlandë), dhe Sllovan Bratislava (Sllovaki). Formati i eliminatoreve konsiston në 8 grupe me nga 4 skuadra. Sfida e parë e Adës së Velipojës është më 11 Gusht.

Ana Baro, fituesja e “Këpucës së Artë”

Drejt elitës së profesionistëve po shkon edhe futbollistja më e mirë shqiptare, Ana Baro. Ajo po përgatit këto ditë hapin më të madh të karrierës, kalimin në një klub profesionist në Gjermani. Ana ka fituar dy herë kurorën e golashënueses më të mirë në po kaq kampionate dhe tani është në kontakte të vazhdueshme me ekipe si Magdeburgu, apo Turbin Pocdam.

Kupa e futbollit
Kupa e futbollitFotografi: DW

“Jam duke u përgatitur për një provë të madhe në skuadrat gjermane dhe kam pasur tratativa me Magdeburgun, ekip me të cilin e kam gati të sigurt një marrëveshje. Por ajo që më entuziazmon është interesi i Turbine Pocdam, që është ekipi kampion në Gjermani, dhe kjo mund të ndryshojë gjërat për më mirë” thotë Ana Baro. Ajo ka fituar 2 herë “Këpucën e Artë” në Shqipëri, dhe shpreson të ketë të njëjtin rendiment edhe në Gjermani.

Ndërkohë edhe kombëtarja e femrave e Shqipërisë ka pasur disa grumbullime ku dhjetëra lojtare kanë zhvilluar testet e para për krijimin e një ekipi përfaqësues. Me një emër si Altin Rraklli në pankinë, Shqipëria fitoi 1-0 miqësoren e parë para pak javësh ndërsa po shkon drejt konsolidimit baza e skuadrës.

Ana Baro
Ana BaroFotografi: DW

Autor: Aurel Boriçi

Redaktoi: Aida Cama