1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

1914 - Lufta e I Botërore

Futbolli është jeta e saj!

Futbolli është sot sport tërheqës për shumë vajza të reja në Gjermani. Edhe për Kim Kulig, e cila sot luan me ekipin e Hamburgut në kategorinë e parë si dhe me kombëtaren e femrave në futboll.

Futbollistja gjermane Kim Kulig.

Futbollistja gjermane Kim Kulig.

Flokë të verdha me disa fije të kuqe, një margaritar në veshin e majtë, sy të kaltër, një fytyrë e rrumbullakët dhe trup i trajnuar mirë. Kaq tërheqës duket futbolli i grave 'made in Germany'. Kim Kulig, 19 vjeç, që prej një viti është në kombëtaren gjermane, e cila këtë vit fitoi titullin e kampionit të Evropës. Kjo ka bërë që mesfushorja të jetë në qendër të vëmendjes, të bëhet e njohur dhe që tifozët prej saj të kërkojnë autografe. Futbollin e ka filluar në Poltringen, në një ekip ku luanin vetëm djemtë.

Sport dhe mësim - koha e Kimit ndahet mes shumë interesave

"Shokët më morën në stërvitje. Shumë prej tyre nuk e kanë ditur fare që jam vajzë, sepse kam pasur flokë të shkurtra. Por kur e morën vesh se jam vajzë dhe mund t'i kaloja lehtë me top, atëherë filluan të sillen më ndryshe. Natyrisht që ka pasur edhe lojtarë që nuk ma kalonin topin fare, vetëm pse jam vajzë, por me kalimin e kohës gjërat ndryshuan dhe ata filluan të luanin me mua", kujton Kim.

Futbollistja Kim Kulig gjatë ushtrimeve të nxehjes.

Pasioni për topin!

Kim Kulig është e katërta nga gjashtë fëmijët e familjes. Ajo bën atletikë dhe nget biçikletë BMX. Por futbollin e ka pasion dhe pa futboll nuk kalon asnjë ditë. Katër herë në javë ka ushtrime, në fundjavë luan në kampionatin gjerman dhe turne të ndryshme, ndërkohë që shpesh ka dhe ushtrime të veçanta. Paralelisht me të gjitha këto ndjek edhe gjimnazin.

"Atje kanë shumë mirëkuptim. Mbështetje kam nga e gjithë shkolla dhe mësuesit, sepse e dinë që luaj për kombëtaren apo më duhet që gjatë javës të shkoj në ndonjë ndeshje me ekipin. Mësuesit janë të gatshëm të më ndihmojnë, kur për një kohë të gjatë mungoj në mësim. Besoj se në ndonjë shkollë tjetër normale do të kisha më shumë probleme", tregon Kim.

Sportive dhe femërore - imazhi i ri i futbollisteve

Historia e saj dëshmon se futbolli i femrave në Gjermani ka krijuar një bazë të mirë. Për fat! Në vitin 1955 ishte ndryshe, sepse Federata Gjermane e Futbollit (DFB) nuk lejonte që femrat të merreshin me futboll. Vendimi u pezullua 15 vjet më vonë, por fermat edhe për një kohë të gjatë janë përballur me paragjykimet e meshkujve.

Kulig gjatë ndeshjes Gjermani - Norvegji, e vlefshme për Euro 2009. 24 gusht 2009.

Gjatë ndeshjes Gjermani - Norvegji, e vlefshme për Euro 2009. 24 gusht 2009.

Para ca kohësh një kabaretist bënte shaka se femrat ndërkohë luajnë një futboll të mrekullueshëm, por ato nuk janë më femra. Kim Kulig vetëm buzëqesh dhe vëren: futbollistet tani duken më femra se kurrë më parë: "Ndërkohë po shihet se futbollistet janë zbukuruar. Nuk dua të më keqkuptojnë futbollistet e dikurshme, por sot në fushë shohim femra me shtat të bukur si kukulla, e megjithatë luajnë futboll shumë të mirë. Për mua është shumë me rëndësi që edhe në fushë të dukem bukur. Madje edhe pas goditjes së topit me kokë, flokët duhet të duken mirë. Në kombëtare kemi një problem të madh, pasi në kokë nuk lejohet mbajtja e rrethit për flokët. Për meshkujt është shumë më lehtë, të paktën sa i përket flokëve. Ndonjëherë kam dëshirë që të kem flokë të shkurtra - por vetëm gjatë lojës së futbollit."

Bukuria në futboll dhe futbolli i mirë nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Kim Kulig bën një lojë të mirë teknike dhe dinamike. Idhulli i saj është portugezi Luis Figo, por ajo nuk dëshiron të luajë si ai, apo meshkujt tjerë: "Këto janë dy lloje të ndryshme futbolli. Në qoftë se do të luanim kundër kombëtares gjermane të meshkujve, do të përjetonim humbje të pamëshirshme, sepse ata janë më të shpejtë dhe më të fuqishëm - bëjnë lojë më të shpejtë. Por teknikisht besoj se ndërkohë mund të matemi deri diku."

Kampionati botëror në Gjermani - ëndrra e Kimit

Viti 2011 është për futbollistet gjermane i jashtëzakonshëm, sepse në vendin e tyre zhvillohet kampionati botëror i femrave. Kulig do të donte të ishte në ekip: "Kampionati botëror në vendin tënd, është një ngjarje që sjell interesim zgjedhin këtë sport. Kur u zhvillua kampionati i meshkujve në Gjermani, kam qenë vetëm shikuese, ndërsa tani dua të jem në fushë. Të luash për kombëtaren në kampionatin botëror është një ëndërr për këdo. Në ndeshjet e fundit të kombëtares u shënuan deri në 45.000 shikues dhe kjo të bën të lumtur."

Autor: Ute Hempelmann / Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 02.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LIhC
  • Data 02.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LIhC