1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fushata zgjedhore në Maqedoni zhvillohet në një klimë të ashpër politike

Më 5 qershor zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Të drejtën për të votuar e kanë rreth 1 milion e 835 mijë qytetarë. Në këto zgjedhje për herë të parë votojnë edhe shtetasit e Maqedonisë në diasporë.

Nga fushata zgjedhore e SDSM nö Shkup për zgjedhjet parlamentare

Nga fushata zgjedhore e SDSM nö Shkup për zgjedhjet parlamentare

Në pamjen e përgjithshme zgjedhjet e parakohshme, që zhvillohen ditën e dielë në Maqedoni, kanë pothuajse të njëjtët aktorë politikë. Edhe sloganet, që ata përdorin nëpër mitingje, apo debatet mediatike në fushatën zgjedhore prej 20 ditësh, si dhe premtimet, ishin gati të njëjta: “Angazhim për realizimin e 1200 projekteve“(VMRO-DPMNE), „Do shkojmë përtej Marrëveshjes së Ohrit”(BDI), “Ardhmëri më të mirë për shqiptarët”(PDSH), “Fund dallimit dhe ndarjes midis investitorëve të huaj dhe vendorë”(LSDM), “Investime në infrastrukturë dhe krijimi i kushteve për një bujqësi të zhvilluar”(Demokracia e Re), “Hapje e vendeve të reja të punës”(RDK) etj. Partitë shqiptare në Maqedoni për herë të parë e zhvilluan fushatën, duke pasur si kartë premtimi tërheqjen e 25 për qind-shit nga buxheti i shtetit për shqiptarët. Ajo që i bashkon të gjithë është thirrja për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike. Për këtë 30 parti politike nënshkruan ditë më parë Kodin e Sjelljes gjatë zgjedhjeve parlamentare, pas apelit për sjellje korrekte zgjedhore nga SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe OSBE-ja.

Fushatë zgjedhore pa ide dhe vizione

Nga fushata zgjedhore e VMRO DPMNE

Nga fushata zgjedhore e VMRO DPMNE

Klima politike mes partive maqedonase ka qenë mjaft e ashpër. Mungon vizioni i tyre për të ardhmen, mungojnë duelet në medie, mekanizmat konkretë për realizimin e programeve të tyre etj. Kjo ka krijuar pakënaqësi tek njerëzit, mendon drejtori i Institutit për Demokraci në Shkup, Vladimir Misev: „Njerëzit janë të pakënaqur me këtë fushatë zgjedhore, sepse ajo është karakterizuar nga tone negative. Kjo është zhgënjyese, sidomos për votuesit e pavendosur“.

Edhe për analistët shqiptarë fushata zgjedhore ka qenë pa ide, e shoqëruar me zënka banale deri në fyerje personale mes liderëve të partive nga blloku maqedonas dhe nga një fjalor pa mesazh të qartë nga blloku politik shqiptar. Gjatë fushatës nuk u trajtuan problemet reale, që kanë qytetarët, që ka Maqedonia. Partitë politike, si ato maqedonase edhe ato shqiptare, këto probleme i kaluan në heshtje, mendon analisti Imer Ismajli: “Një fushatë që kaloi pa ide, një fushatë që kaloi në zënka banale deri në fyerje personale mes liderëve nga blloku maqedonas dhe heshtje, ose një fjalor pa mesazh të qartë politik nga blloku politik shqiptar. Këto janë zgjedhjet më absurde në Maqedoni, sepse problemet reale, që ka ky vend, kaluan në heshtje. Pra nuk u diskutuan problemet konkrete reale të shoqërisë, por u morën me problemet, që kanë klasat politike, ose oligarkitë politike vetë në Republikën e Maqedonisë."

Nga fushata elektorale e PDSH-së në Tetovë, 27.05.2011

Nga fushata elektorale e PDSH-së në Tetovë, 27.05.2011

Ndryshe e vlerëson fushatën Besim Hoda nga shoqëria civile dhe kryetar i organizatës së veteranëve të luftës, OVL.

Sipas tij, në krahasim me fushatat e mëparshme, kjo fushatë ka qenë nga më të mirat, më të qetat për shqiptarë në veçanti. Merita më e madhe sipas tij është e popullit, që është ndërgjegjësuar për përgjegjësinë, që mban, pavarësisht nga premtimet boshe, që bëjnë liderët partiakë: "Fatmirësisht mund të themi që kjo fushatë zgjedhore, nëse e krahasojmë me të gjitha fushatat e tjera brënda këtyre 20 viteve, ka qenë një ndër fushatat më te qeta realisht. Sigurisht që meritat më të mëdha i ka vetë populli, që është ndërgjegjësuar definitivisht. Kuptohet që krerët politikë kanë vazhduar avazin e vjetër me premtime boshe në këtë fushatë, pa treguar mekanizmat për zgjidhjen e problemeve dhe halleve. Mungesa e mekanizmave konkretë për realizimin e premtive lë ende për të dëshiruar".

Edhe shtetasit maqedonas jashtë vendi do të votojnë

Drejtori i Institutit për Demokraci në Shkup, Vladimir Misev

Drejtori i Institutit për Demokraci në Shkup, Vladimir Misev

Për parlamentin e ri prej 123 vendesh në këtë fundjavë do të votojnë për herë të parë edhe shtetasit maqedonas që jetojnë jashtë vendit. Vota e tyre do të zgjedhë tre deputetë për Kuvendin e ri.

Sipas sondazheve ka gjasa që qeveria e ardhshme të mbetet në duart e koalicionit të deritanishëm. Ndoshta atyre u duhen më shumë patnerë të tjerë për koalicion. Nga anketimet duket se do të jetë e pamundur që VMRO të arrijë përsëri shumicën absolute si para tre vjetësh, prandaj për të pasur dy të tretat e mandateve i duhet të bëjë koalicion me patnerë të tjerë.

Fituesin e presin detyra të vështira

Kjo për arsyen se gjendja ekonomike në Maqedoni është shumë larg nga mesatarja e BE-së. Papunësia është mbi 30 për qind dhe shumë qytetarë jetojnë në varfëri. Paga mesatare është rreth 335 euro. Perspektiva e të rinjve për të ardhmen është jo e mirë. Mungon interesi i investitorëve të huaj për të qenë më aktiv në këtë vend. Një anëtarësim i vendit në BE dhe NATO duket se i ka bërë skeptikë qytetarët e Maqedonisë, për shkak të çështjes së pazgjidhur të emrit të shtetit.

Autor: Mimoza Cika Kelmendi

Redaktoi: Angjelina Verbica