1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Fushatë zgjedhore në kohë të pasigurisë së brendshme

Partitë gjermane po bëjnë nxehjen para startimit të fushatës për zgjedhjet parlamentare që zhvillohen në shtator. Përpara qytetarëve qëndron fushata më e ashpër zgjedhore prej dekadash.

Le të flasim fillimisht për ata që e presin me gëzim ditën e zgjedhjeve: Liberalët. Ata janë të vetmit që janë më të çliruarit. Jo pa arsye. Partia blu-e verdhë vërtet nuk ka ç'të humbasë më, sepse ata ndërkohë janë rrëzuar - prej katër vitesh ata janë jashtë derës së Bundestagut. Megjithatë ata ende janë prezentë. Së paku njëri prej tyre: Christian Lindner. Ai është partia liberale, FDP, të tjerët nuk bien në sy. Me Lindnerin 38 vjeçar kjo parti përpiqet të rigjejë veten. Kanë kaluar kohët, kur liberalët godisnin me grusht në tavolinë, tani ata përdorin tone më të zbutura, janë bërë më kokëulur, të qetë dhe faktikë. Kështu mund t'ia dalin të kapërcejnë kufirin e 5% për në Bundetag, kjo sepse që nga fillimi ata nuk e mirëpritën pranimin e pakontrolluar të refugjatëve.

Merkel: Përhapje optimizmi në defensivë

Ndryshe është pozicioni i Angela Merkelit dhe unionit të saj. Bonusi i saj i simpatisë është shpenzuar ndërkohë, fjalia e saj e famshme „do t'ia dalim mbanë" është diskredituar. Me forcat e veta, ajo nuk mund ta mbijetojë politikisht natën zgjedhore në shtator. Ajo ka nevojë për partinë, që dhjetë vjet rresht qëndroi gatitu për të. Në vend të periudhës frymëshkurtër të kulturës së mirëseardhjes, të cilën romantikët e ngritën lart si bukurinë e rrallë të politikës, prej kohësh ka filluar periudha e debatit të sigurisë së brendshme.

Shumë gjëra që ishin të vetëkuptueshme në periudhën para-refugjatëve kanë humbur: Besimi në funksionin mbrojtës të shtetit, besimi tek Europa. Në vend të tyre ka zënë vend frika nga terrori, sot më të kërkuarit janë politikanët e ligjit dhe rendit. Kjo në një kohë kur populizmi lulëzon. Partia AfD nuk ka nevojë të bëjë asgjë, dhe prapë sondazhet tregojnë vlera gjithnjë e më në rritje të saj. Vendimtare ka për të qenë pyetja: Sa do të humbasë unioni tek partia e re e të zemëruarve, partia e recetave të thjeshta? Megjithatë Merkel, kancelarja afatgjatë ka shanse të mira, megjithëse politikisht e dëmtuar e me një shuplakë nga zgjedhësit, të mbijetojë zgjedhjet. Pse? Sepse ajo shihet si simbol i stabilitetit. E këtë e vlerësojnë gjermanët - përtej partive.

Gabriel: Jo i preferuari i votuesve

Ka gjasa për një mandat të katërt për Merkelin, bashkë me socialdemokratët- pra edhe një herë koalicion me bazë të gjerë. Ai nuk është shumë i preferuar tek votuesit, por më i munduri në bazë të llogaritjeve. Shanset do të zvogëloheshin, vetëm nëse SPD do të margjinalizohej edhe më shumë. Ajo ka ngecur tek 20%, me tendencë rënieje, pra parti popullore ajo mbetet vetëm në statutin e saj. Por ka edhe më keq, kryetari i saj, Sigmar Gabriel - kandidati për kancelar me sa duket i kësaj partie, megjithëse nuk është bërë publike - nuk gëzon popullaritet. Madje edhe mes vetë socialdemokratëve. Megjithëse i pranuar si politikan profesionist, ai nuk gëzon simpati. Pse duhet të votojë dikush për kreun socialdemokrat, kur vetëm 75% e anëtarëve të partisë e mbështesin atë? Siguria e brendshme ka qenë kompetencë e njohur e socialdemokratëve, por pikërisht kjo duket se do të jetë kryetema e kësaj fushate zgjedhore.

Të Majtët dhe të Gjelbrit –munden të bëjnë shumë, por jo sigurinë e brendshme

Edhe Të Majtët dhe Të Gjelbrit kanë kompetenca të tjera, por jo sigurinë e brendshme. Në kohë terrori, populizmi dhe krize të BE-së shumë mesazhe politike kalojnë në plan të dytë. Nëse sallami vegjeterian duhet të emërtohet si sallam, megjithëse nuk ka brenda përbërjen e sallamit – kush merret tani me tema të tilla duket sikur nuk është brenda realitetit, në një kohë kur shteti vuan prej humbjes së kontrollit. Kemi për të pasur këtë vit një fushatë zgjedhore, që do të zhvillohet para një sfondi tërësisht të ri. Një fushatë që do të jetë më e ashpër se kurrë, që do të kulminojë, nëse terrori e godet edhe njëherë Gjermaninë.

Ju mund të jepni opinionin Tuaj në fund të këtij artikulli. Ne ju mirëpresim!