1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Furtuna Sandy trazon fushatën elektorale në SHBA

Në një kohë kur ndihmësit në bregdetin lindor të SHBA fillojnë të pastrojnë territorin, debati pak ditë para zgjedhjeve presidenciale është përqendruar në pasojat eventuale të furtunës në rezultatin e zgjedhjeve.

Pasoja të Sandyt - Karoline e Veriut

Pasoja të Sandyt

Vërtet që diskutimi në politikën e brendshme në SHBA për pasojat e mundshme të furtunës gjithmonë ka të bëjë edhe me taktikën e fushatës elektorale. Ky diskutim i ngjan ndërkohë edhe leximit të filxhanit të kafesë. Megjithatë Sandy ka ndikuar që tani mbi fushatën elektorale në SHBA. Furtuna e kufizoi në shtetet e prekura të bregdetit lindor në mënyrë drastike mundësinë për ta dhënë votën paraprakisht, ndërsa në shtetin federal të Marylandit kjo mundësi në fillim të javës u ndërpre.

Edhe në Virxhinia, në një shtet si të thuash shesh beteje, shumë lokale zgjedhore u mbyllën para kohe duke penguar votimin paraprak. Kjo në një kohë kur gjithnjë e më shumë njerëz në SHBA përdorin mundësinë për të votuar para ditës së votimit. Zgjedhës të demokratëve e shfrytëzojnë këtë të drejtë si tendencë më shumë se zgjedhësit e republikanëve.

Pasoja të vogla

Pavarësisht nga këto kufizime dhe nga fakti se sa shkatërrimtare do të jenë në të vërtetë pasojat e furtunës- disa zgjedhës mund të jenë të martën e ardhshme të zgjedhjeve thjesht të preokupuar me gjëra të tjera në vend që të shkojnë për votime, pasojat e furtunës për vota parashikohen të vogla.

"Unë do të çuditesha shumë po të luante një rol kjo", i thotë DW Irwin Collier, profesor në Institutin John F. Kennedy të Universitetit të lirë të Berlinit. Koha deri ditën e zgjedhjeve është e shkurtër për t'i vlerësuar me të vërtetë pasojat e furtunës dhe menaxhimin e krizës nga qeveria e SHBA. Veç kësaj, shtetet e prekura bregdetare nuk janë ato që vendosin zgjedhjet, kryesore janë Ohio dhe shtete të tjera federale, thekson Collier.

Prof. Irwin Collier, Instituti John F. Kennedy i Universitetit të lirë të Berlinit

Prof. Irwin Collier, Instituti John F. Kennedy i Universitetit të lirë të Berlinit

Sipas një vlerësimi të përgjithshëm, pushtetmbajtësit përfitojnë në periudha krize nga bonusi që u jep posti dhe nga shtimi i vëmendjes mediatike, në një kohë kur sfiduesit politikë janë të detyruar të sillen në mënyrë pasive.

Pa gabime

Kjo mund të vlejë edhe për presidentin Obama, nëse ai rezulton si menaxhues i mirë në krizë, thekson Heinz Gärtner, ekspert i SHBA në Institutin Austriak për Politikën Ndërkombëtare në Vjenë. "Po mund të ndodhë edhe që furtuna ta ulë pjesëmarrjen në votime, gjë që do të prekte para së gjithash zgjedhësit e demokratëve, zonat e banimit të të cilëve janë të prekura nga furtuna.

Deri tani Obama i ka bërë të gjitha si duhet. Si reagim ndaj krizës ai e fokusoi fushatën elektorale menjëherë te menaxhimi i krizës dhe u kthye në Uashington, për të marrë në mënyrë të dukshme për të gjithë komandën mbi shtabin e krizës. Ndërsa sfiduesi i tij Mitt Romney është i detyruar t'ia lërë presidentit skenën politike dhe aktualisht vetëm mund të lutet për viktimat e furtunës.

Autor: Michael Knigge/ Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj