1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fuqizimi i gruas në zonat rurale në Kosovë

Edhe pse fuqizimi i gruas është njëri ndër synimet zhvillimore të Mijëvjeçarit, gratë e zonave rurale në Kosovë edhe më tej vazhdojnë të jenë të shkëputura nga jeta shoqërore, larg kontakteve me institucionet

Shqiponjë H., 26 vjeçare nga komuna e Istogut dhe Sadije B. 34 vjeçare nga komuna e Pejës, njëra nënë e tre fëmijëve ndërsa tjetra nënë e një vajze, jetojnë një jetë të qetë në familjet e tyre. Por edhe pse ambicjet e tyre nuk shkojnë përtej shtepisë dhe familjes, ato do të dëshironin një pozitë më të mirë në shoqëri.

“Paj, kisha thanë me i pas të gjitha të drejtat, si nëpër shtetet tjera. Por nuk të japin kurrfarë të drejte. Shkon ankohesh e prapë vazhdojnë vetëm në të veten”, thote Sadija, e cila nuk mban mend t´i ketë trokitur në derë dikush nga pushteti, që ta pyesë nëse ka nevojë për diçka si qytetare, madje as në kohën e zgjedhjeve dhe vizitat e vetme, që iu bëhen janë nga inkasantët e shërbimeve publike, megjithëse ato shërbime në të shumten s´janë as për së afërmi nevojave të tyre.

Jo, unë për vete s´kam pa as gra as burra të na vinë, përveç gjatë fushatave. Na vinë veç për pagesë të rrymës e të ujit, se tjetërkush kurrë. Se, me ardhë ndoshta kemi diçka ma mire...”, thotë Shqiponja, përderisa Sadija lutet: “Inshallah na vinë, që bile edhe ne t´i dimë të drejtat tona si gjithë të tjerët”.

Gratë e zonave rurale ballafaqohen me vështirësi të shumta

Gruaja në Kosovë ballafaqohet me vështirësi të shumta, të cilat janë më të theksuara nëpër zonat rurale, mendon Sadete Terrnava Osmani, zyrtare e lartë për monitorim të pushtetit lokal në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE) në Kosovë, sipas së cilës është mentalitetli ai, i cili i pengon ato të kërkojnë të drejtat e tyre, sidomos ato pronësore.

“Dhuna në baza gjinore, problemi i braktisjes së shkollës, ekziston megjithatë një shkallë e analfabetizmit, qasja ndaj shërbimeve publike është më e veshtirësuar se ato të grave në qytete, liria e kufizuar e lëvizjes e imponuar nga familjet, shqetësimet e varfërisë dhe çështja e punësimit, janë ato që vështirësojnë jetën, por edhe mungesën e iniciativave vendimmarrëse, qoftë nga grupet e tjera të interesit. Dhe për më tepër, mungesa e vullnetit të institucioneve për të punuar dhe hulumutar me tepër këtë problem. E gjithë kjo ndoshta edhe pse gratë bartin në vete frikën e stigmatizimit”, thotë z. Terrnava, sipas së cilës gratë më lehtë jetojne me rrezikun, sesa te raportojnë.

Implementimi i Ligjit mbi Barazinë Gjinore jo i kënaqshëm

UN Women Frauenrechte

Montorimi i OSBE-së nëpër komunat e Kosovës lidhur me zbatimin aktual të Ligjit mbi Barazinë Gjinore në nivel komunal, i cili rezulton me një pjesëmarrje të vogël të grave në proceset vendimmarrëse, përfaqësim të mangët nëpër komisione të ndryshme dhe mbizotërimi i meshkujve në këte drejtim, ka nxitur formimin e grupeve të grave në nivele lokale për t´i identfikuar brengat dhe nevojat e grave në zonat urbane e me theks të veçante në ato rurale, si dhe për t´u dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejt problemeve të tyre, thotë z.Tërrnava, sipas se cilës shembulli i komunës së Gjilanit me 2009 është shpërndarë nëpër 20 komuna të Kosovës për faktin se:

“Gratë në përgjithësi konsideroj se akoma nuk i njohin të drejtat e tyre mirë, në të kundërtën do të kishin më shumë kërkesa për t´i zbatuar të drejtat e tyre. Andaj konsideroj që me tërë punën e madhe, që është bërë dhe ndryshimet, të cilat i shohim, ngritja e vetëdijes nuk ka arritur deri në ate masë, sa të mund të themi se jemi të kënaqur. Shpresojmë se kjo do të ndërtojë një qeveri më të përgjegjshme lokale, sa i përket barazisë gjinore. Në përgjithësi ne do të donim të rritet bashkëpunimi i një trekëndëshi ekzistues : gratë në kuvendin komunal, zyrtaret komunale për barazi gjinore dhe gratë e tjera nëpër komuna”.

Grupet e Grave Asambleiste synojnë përafrimin me gruan në nivel lokal

Kosova e ka Grupin e Grave Deputete, ndërsa formimi i Grupeve të Grave Asambleiste ka për qëllim përafrimin me gratë dhe fuqizimin e tyre në nivel lokal, duke identifikuar nevojat e grave të zonave rurale, për t´ua prezantuar kuvendeve komunale për aprovim dhe fonde. Ndër të 20 grupet aktuale të grave asambleiste është edhe ai i Pejës, kryesuese e të cilit është dr.Ilirijana Gafurri.

“Ne megjithëse në forumet e grave të subjekteve politike jemi n´kontakt me to, si grup i organizuar në këtë mënyrë synojmë që të jemi shumë më pranë tyre në terren, te mos i vizitojmë ato vetem gjate fushatave, por t´jemi prane halleve të tyre, t´i bartim ato te kuvendi komunal, në mënyrë që të arrijmë sa më shumë që t´i zbatojme në realitet. Pra të jemi pranë këtyre grave dhe t´iu demonstrojmë se cfarë munden, cfarë të drejtash kanë, si mund t'i fitojnë dhe të luftojnë për to", thotë dr.Gafurri.

Gruaja të jetë e përkrahur nga vetë gruaja

Teuta Haxhiu

Teuta Haxhiu

Teuta Haxhiu, deputete në Parlamentin e Kosovës, inkurajon gratë të ngrisin zërin e tyre, pavarësisht se ai mund të has në vesh të shurdhër.

“Zëri ynë nuk dëgjohet, aq sa ne do të dëshironim, por kjo nuk do të thotë se ne do të kthehemi pas. Një mesazh shumë i shkurtër është se vërtetë, femra ka nevojë për përkahjen e femrës në radhë të parë. Por neve na duhet një mirëkuptim i gjinisë tjetër për t´kuptu se Kosova nuk do të ecë në rrugën, të cilen e ka përpara, po qe se nuk është e përfaqësuar femra në vendimmarrje. Po qe se femra është në vendet udhëheqëse e pa ndikuar nga gjinia mashkullore, ajo do të ecte me hapa më të sigurtë dhe do ta çonte vendin përpara.”

Formimi i Grupeve të Grave në nivelin lokal ka për qëllim mbështetjen dhe fuqizimin e gruas në proceset vendimmarrëse, rritjen e vetëdijes për rëndësine e rolit të femrës, ngritjen e kapaciteteteve, si dhe të bashkëpunimit dhe pjesëmarrjes më të gjërë në nivel qendror.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Angjelina Verbica