1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Bild" polarizon - edhe 60 vjet pas themelimit

Volker Wagener / Eliana Xhani24 Qershor 2012

Gazeta "Bild" vazhdon të ngjallë opinione të kundërta në Gjermani. Për disa, gazeta është një avokat i njeriut të thjeshtë, për të tjerë, një sinonim i propagandës.

https://p.dw.com/p/15KQV
Një iPhone në ekranin e të cilit shihet gazeta Bild dhe një monedhë dy euro.
Fotografi: picture-alliance/dpa

Redaktorët e "Bild" kanë qenë gjithnjë të aftë në formulimin e titujve të goditur. "Ne jemi Papë" titullonte "Bild" në vitin 2005 kur gjermani Joseph Ratzinger u zgjodh në krye të Kishës Katolike. Një kombimin arrogance me nxitje për identitet. Kush shkruan për "Bild" duhet të zotërojë aftësinë e të qenit konçiz.

"Një titull në 'Bild' është gjithnjë i mirë kur është ekskluziv apo kur emocionon, kur prek ndjenjat e njerëzve. Këto mund të jenë edhe tituj që rezultojnë nga ngjarje tragjike", thotë kryeredaktori i "Bild", Kai Diekmann. Kështu redaksia e "Bild" ditën që pasoi atentatet ndaj World Trade Center vendosi si titull lutjen e shkurtër dhe të zjarrtë: "Zot i madh, qëndrona pranë". Këto fjalë i përgjigjeshin ndjenjave të pjesës më të madhe të lexuesve.

Kryetitulli i "Bild" pas zgjedhjes së kardinalit Joseph Ratzinger në krye të Kishës Katolike.
Kryetitulli i "Bild" pas zgjedhjes së kardinalit Joseph Ratzinger në krye të Kishës Katolike.Fotografi: AP

Nga organ jopolitik në organ të ribashkimit

Vetëm katër fletë i hollë ishte edicioni i parë i "Bild" më 24 qershor 1952. Axel Springer, babai i gazetës, e kishte zhvilluar konceptin e tij sipas gazetave bulevardeske angleze: shumë foto, pak tekst, tema popullore. Vetëm një vit më vonë gazeta "Bild" shitej 500.000 herë në ditë. Politika nuk luante thuajse asnjë rol.

Themeluesi i "Bild", Axel Springer
Themeluesi i "Bild", Axel SpringerFotografi: ullstein bild - Sven Simon

Kjo ndryshoi me ndërtimin e murit të Berlinit. "Perëndimi nuk bën ASGJË!", ishte akuza që lexohej në faqen e parë, rrethuar nga tel me gjemba. Qysh atëherë "Bild" merr karakter më politik dhe themeluesi i saj Axel Springer përmes gazetës së tij përfaqëson gjithnjë e më shumë një politikë të vetën gjermane. Ajo është në kundërshtim me linjën e Adenauerit për lidhje konsekuente me Perëndimin të Republikës Federale. Politika dhe ndërhyrja politike tashmë bëhen pjesë e profilit të gazetës dhe lexuesit i mbeten asaj besnikë.

A ka qenë "Bild" një nga dorasit?

Gjatë trazirave të studentëve në fund të viteve '60 "Bild" nuk është vetëm shoqëruese publicistike e periudhës historike. Gazeta përfundon edhe vetë në shënjestër të kritikës së studentëve. Kur qëllohet mbi liderin karizmatik të studentëve Rudi Dutschke, mijëra vetë dalin në rrugë me sloganin "Bild ishte një nga dorasit". Redaksia në Mynih bëhet pre e shkatërrimit, shtypshkronja në Hamburg bllokohet. Tirazhi bie me një milion. "Bild" ishte pozicionuar plotësisht në anën e dhunës shtetërore. Por prodhuesit e gazetës tregohen fleksibël. Politikës i kushtohet më pak vëmendje, gazetaria e sensacioneve zë më shumë vend.

Protesta kundër "Bild" në prill 1968 në Berlin.
Protesta kundër "Bild" në prill 1968 në BerlinFotografi: picture-alliance/dpa

Edhe me mjete të diskutueshme, siç dëshmoi shkrimtari Günter Wallraff, i cili nën emër të rremë punoi në një redaksi të "Bild". "'Bild' hyn me përdhunë në jetën private, në sferën intime të njerëzve", thotë Wallraff, i cili pretendon se disponon shumë letra lamtumire të njerëzve që pas artikujve me shpifje në gazetë, kishin kryer vetëvrasje. Në këto letra ata, sipas tij, bënin përgjegjës për aktin e tyre gazetën "Bild".

Gazetari investigativ Günter Wallraff denoncon në vitin 1972 metodat e dyshimta të "Bild".
Gazetari investigativ Günter Wallraff denoncon në vitin 1972 metodat e dyshimta të "Bild".Fotografi: picture-alliance/Peter Popp

Fuqia e bulevardit

"Bild" është një pushtet. Kush ka pushtet politik në Berlin nuk e shmang dot gazetën provokuese. Për Friedhelm Ost, zëdhënës i qeverisë së Helmut Kohl-it në fund të viteve '80, gazeta ishte çdo ditë literaturë e detyrueshme. Pasi kryetitulli i saj në një farë mënyre përcaktonte edhe gjendjen shpirtërore të kombit.

Edhe vetë përfaqësitë e huaja në Berlin e lexojnë me kujdes gazetën e shpejtë, pranon Rob Ellis nga ambasada britanike në Berlin. Ajo që transmetohet janë para së gjithash opinioni dhe temat që caktohen. Kjo është me interes për zyrtarët politikë dhe politikanët në Londër.

Rëndësinë e gazetës "Bild" për krijimin e opinionit në vend, e ka përkufizuar si askush tjetër ish-kancelari Gerhard Schröder, i cili pranoi hapur se për të qeverisur i duheshin vetëm "Bild" dhe televizioni. Para "Bild" tulatet i gjithë Bundestag-u, shkruante një herë gazeta alternative Tageszeitung (taz).

Georg Streiter, zëvendës i zëdhënësit të kancelares Merkel, e gjykon ndryshe rëndësinë e gazetës. "Bild" nuk është një pushtet direkt, por ka funksionin e një përcaktuesi axhende. Nëse "Bild" nuk prek aspak një temë të caktuar politike, disa politikanë ndihen të lehtësuar, thotë Streiter, i cili dikur ka punuar si redaktor pranë "Bild". Në përgjithësi sot gazeta është dukshëm më serioze, jo më aq e zjarrtë dhe e dhunshme sa më parë.

Kur mediet rrëzojnë politikanë

Ish presidenti Christian Wulff dhe kryeredaktori i "Bild" Kai Diekmann
Ish presidenti Christian Wulff dhe kryeredaktori i "Bild" Kai DiekmannFotografi: picture-alliance/dpa

Gazeta "Bild" nganjëherë gjunjëzon edhe të mëdhenjtë e politikës - pikërisht atëherë kur ata distancohen nga gazeta. Rrëzimi i ish-presidentit Christian Wulff, krahas gabimeve të tij objektive, është në fund të fundit edhe pasojë e një fushate disajavore të "Bild" kundër kreut të shtetit.

Si kryeministër në Saksoninë e Poshtme Wulff për kohë të gjatë konsiderohej mik i gazetës bulevardeske. Me marrjen e postit më të lartë shtetëror besoi papritur se nuk i duhej më shoqërimi miqësor mediatik i redaksisë së "Bild". Kështu mendon të paktën Gregor Gysi, politikani më i njohur i së majtës në Lindje të Gjermanisë. "Bild" deshi t'i dëshmojë ish-presidentit Wulff se ishte gabuar me këtë vlerësim, thotë Gysi. Ky është ujë që shkon në mullirin e atyre që kanë pretenduar gjithnjë se mund të qeveriset mirë me por jo pa "Bild".

Një gjë është e sigurtë: gazeta, e cila lexohet çdo ditë nga rreth 12 milionë vetë është e etabluar mirë në shoqërinë gjermane. Një gazetë të cilën mund të mos e pëlqesh, por që duhet ta pranosh si fakt.