1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

081011 Israel Gewalt

8 Tetor 2011

Forcat izraelite të sigurisë qëndrojnë të pafuqishme para dhunës së kolonëve radikalë hebrenj. Pas ndezjes së një xhamie në veri të Izraelit, policia ka arrestuar një person të dyshuar. Por rreziku nuk është mënjanuar.

https://p.dw.com/p/12oAw
Dhunë mes izraelitëve dhe palestinezëve
Dhunë mes izraelitëve dhe palestinezëveFotografi: dapd

Në Izrael nuk mungojnë paralajmërimet. Pas sulmit ndaj një xhamie në fshatin verior beduin Tuba Sangria ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak, thotë se dhuna e kolonëve radikalë hebrej po kthehet në një problem. Edhe pse Baraku përpiqet, që fajin të mos ua lërë vetëm kolonëve. „Në të dyja palët vihet re një potencial radikal. Kohët e fundit kemi mundur të shohim në anën tonë raste të tilla. Kjo është një fuqi shumë e rrezikshme baruti në të dyja anët. Prandaj duhet të veprojmë në përputhje me rrethanat. Dhe kjo do të thotë, ne duhet të zbatojmë ligjet në kuadër të shtetit të Izraelit."

Kolonët izraelitë radikalizohen

Këtu puna e forcave të sigurisë bëhet gjithnjë e më e vështirë njofton shërbimi i brendshëm izraelit. Gazeta ditore „Haaretz“ shkruan, se edhe ushtarët dhe policët janë prej kohësh në fokus të radikalëve, veçanërisht në Bregun Perëndimor të Jordanit të pushtuar nga Izraeli. Problemi më i madh është edhe mungesa e bashkëpunimit, thotë ish-punonjësi i shërbimit të fshehtë, Menachem Landau: „Më shqetëson fakti se udhëheqësit e lëvizjes së kolonëve i dënojnë vazhdimisht veprat e tilla. Por dënimi nuk është i mjaftushëm. Ata duhet të punojnë me forcat e sigurisë, sepse pa ndihmën e tyre edhe burimet e shërbimit të fshehtë nuk kanë asnjë shans."

Ehud Barak, ministër izraelit i Mbrojtjes
Ehud Barak, ministër izraelit i MbrojtjesFotografi: dapd

Shfajësim për sulmin?

Shumë kolonë radikalë kultivojnë idenë se lëvizja e tyre përndiqet nga shërbimi i fshehtë izraelit dhe lihet pas dore nga shteti. Udhëheqësi i kolonëve Itamar Ben Gvir jeton në Kiryat Arba, në afërsi të Hebronit, në territor palestinez. Për të sulmi në xhaminë në Izrael nuk ishte çudi. „Ishte e parashikueshme. Sepse në një komunitet, i cili vazhdimisht ndjehet i braktisur, i fyer dhe i shkelur, është veçse normale, që nga ky komunitet të dalin individë dhe të kryejnë të tilla akte."

Akte si sulme kundër xhamive, dëmtime të makinave palestineze, prerje të ullinjve dhe marshime demonstrative në fshatrat palestineze. Ato quhen hakmarrje, si për shembull për gjuajtjen me gurë të makinave izralite nga palestinezët. Të inkurajuar kolonët ndjehen nga ushtria izraelite. Si fuqi pushtuese në Jordanin Perëndimor ajo shkatërron puse dhe rezervuare uji të palestinezëve dhe shtëpi, për të cilat nuk ka leje ndërtimi.

Palestinezët të mbledhur rreth një motorçiklete të shkatërruar, viktima të sulmit izraelit mbetën edhe tre palestinezë
Palestinezët të mbledhur rreth një motorçiklete të shkatërruar, viktima të sulmit izraelit mbetën edhe tre palestinezëFotografi: dapd

Një i dyshuar në paraburgim

Zëdhënësi i policisë Micky Rosenfeld thotë, se numri i sulmeve ndaj palestinezëve dhe pronës së tyre ka pësuar rritje prej disa muajsh. „Në vitin e kaluar ka patur shumë incidente në Judea dhe Samaria, pra në Jordanin Perëndimor. Policia ka ngritur një njësi speciale, që merret me këto incidente të veçanta, do me thënë me sulmet ndaj automjeteve palestineze dhe për fat të keq edhe me disa dëme në xhamitë në Judea dhe Samaria.“

Pas vënies së zjarrit në xhaminë Tuba Sangria policia ka arrestuar disa të dyshuar. Së paku njëri nga të dyshuarit ndodhet aktualisht në paraburgim.

Autor: Torsten Teichmann/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi