1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Funksionimi i Parlamentit për zgjidhjen e krizës

17 Mars 2017

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë pas konsultimeve me BDI-në, BESËN, LR-PDSH-në dhe 67 nënshkrime deputetësh ka dorëzuar nismën për vazhdimin e seancës konstituive të Parlamentit të Maqedonisë.

https://p.dw.com/p/2ZQkV
Mazedonien Skopje Demonstration
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë pas konsultimeve me BDI-në, BESËN, dhe LR-PDSH-në dhe deponimin e 67 nënshkrimeve të deputetëve edhe zyrtarisht ka dorëzuar nismën për vazhdimin e seancës konstituive të Parlamentit të Maqedonisë në të cilën duhet të zgjidhet kryetari i ri i Parlamentit.

"Iniciativën e dorëzuam që të mos ketë më arsyetime për sigurimin e shumicës parlamentare pasi që dorëzuam 67 nënshkrime të deputetëve. Presim që Trajko Veljanovski menjëherë të thërrasë seancën konstituive të Parlamentit dhe më në fund ky insitucion që përfaqëson popullin të fillojë punën në interes të shtetit”, ka deklaruar Oliver Spasovski nga LSDM. Sipas tij, zgjedhja e kryetarit të Parlamentit do të hiqte arguementin e fundit të paarsyeshëm të presidentit Ivanov, i cili është i obliguar t'ia japë mandatin LSDM-së për formimin e Qeverisë. Nëse Veljanovski nuk e mbledh seancën atëherë ai sipas Spasovskit  shkel rregulloren, sepse ai duhet të jetë në shërbim të detyrës, të ketë përgjegjësi dhe të mos i mbajë peng insitucionet.

BDI optimiste për mbajtjen e seancës së Parlamentit

Deputeti i BDI-së Talat Xhaferi beson që Veljanovski nuk do ta pengojë procesin e konsitutimit të Parlamentit, sepse kjo sipas tij do të nënkuptonte përgjegjësi penale. "Besoj se Veljanovski do të reflektojë kundrejt kërkesës së 67 deputetëve që të vazhdojë me seancën konstituive, sepse në të kundërtën ai do të bëhet pjesëmarës i një vepre penale, për pengimin e sistemit juridik të vendosur me Kushtetutë,” shprehet Talat Xhaferi. Ditë më parë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në një intervistë është prononcuar se për vazhdimin e seancës konstitutive të Parlamentit duhet të ketë pajtim edhe nga ana e VMRO-DPMNE-së. Gjithnjë sipas liderit të BDI-së, pa një marrëveshje mes LSDM-së, VMRO-së, BDI-së dhe partive të tjera nuk mund të bëhet eksperiment dhe prova si në teatër dhe të shkohet në Parlament pa një marrëveshje paraprake.

LR-PDSH: Edhe pa VMRO mund të mbahet seanca e Parlamentit

Lëvizja për reforma-PDSH nuk pajtohet me këtë qëndrim. Sipas zëdhënësit të LR-PDSH-së , LSDM, BDI, Besa, dhe LR-PDSH kanë vota të mjaftueshme për të thirë seancën e Parlamentit dhe të zgjedhin kryetarin e ri.

"VMRO-DPMNE tanimë prej kohësh ka zgjedhur sabotimin dhe ngërçin për ta penguar shumicën parlamentare që të krijojë qeveri, andaj nuk duhet doemos edhe pajtim i VMRO-DPMNE-së për mbajtjen e seancës konstituive”, thotë Elmir Sejfullai zëdhënës i LR-PDSH-së

Analistët vlerësojnë se VMRO-DPMNE me çdo kusht do të pengojë seancën

Analistët politikë vlerësojnë se rruga e vetme për dalje nga ngërçi politik, është mbajtja e seancës së parlamentit dhe  formimit të qeverisë së re. Analisti politik Alajdin Demiri edhe përkundër përpjekjeve të LSDM-së dhe BDI-së për të mbledhur Parlamentin shprehet pesimist për një gjë të tillë, duke pasur parashysh kërcënimet ndaj deputetëve nga ana e protestuesve që tani më prej dy javësh protestojnë kundër platformës së partive politike shqiptare dhe formimit të qeverisë së re.

"Kjo krizë mund të zgjidhet në rastëse BDI i tërheq ministrat e vet nga qeveria aktuale. Atëherë obligohet presidenti të mandatojë këdo qoftë për qeveri teknike, qeveri politike apo të mazhorancës. Kërcënimet ndaj deputetëve se mund të hyjnë por nuk mund të dalin nga parlamenti është një veprim strategjik i VMRO-DPMNE-së, që e gjithë kjo krizë të përfundojë me përleshje”, vlerëson Demiri.

Politologu Mitko Gaxhovski thotë se Trajko Veljanovski ka mundësi të taktizojë me thirjen e seancës konstituive, por një gjë e tillë nuk mund të zgjasë shumë. Ai nuk pret ndonjë incident serioz në seancën ku do të zgjidhej kryetari i Parlamentit, por në seancën ku do të duhej të zgjidhej qeveria.

"Vlerësoj se nuk do të vjen deri tek ndonjë përshkallëzim i situatës edhe pse për çdo ditë para godinës së Parlamentit marshojnë me mijëra protestues, dhe nuk besoj që ata do të hyjnë në parlament. Elektrizim i situatës dhe tensione më të mëdha do të ketë në seancën ku do të duhej të votohet qeveria e re sepse deputetët e VMRO-DPMNE-së në çdo mënyrë do të tentojnë ta pengojnë formimin e qeverisë”, vlerëson Mitko Gaxhovski.

Sipas analistit Xhelal Neziri, thirja e seancës konstituive e Parlamentit mund të ndodhë në ditën e paralajmërimit të vizitës së eurokomisionerit të BE-së për zgjerim Johannes Hahn në Shkup.

"Mendoj se po pritet prania e Johannes Hahn në Shkup që të mbahet seanca konstituive e Parlamentit. Kjo do të mundësonte që në opinion të vlerësohet se VMRO-DPMNE nuk ka lëshuar pe, por që është arritur marrëveshje me ndërmejetësim të BE-së”, thotë Xhelal Neziri.

Sipas rregullores së parlamentit të Maqedonisë, kryetari në largim  mund të konvokojë seancë me kërkesë të së paku 20 deputetëve. Nëse kryetari nuk konvokon seancën atëherë në ditën e 21, seancën mund ta konvokojë deputeti më i moshuar. Kryetari i ri i emëruar i Parlamentit me shkrim duhet ta informojë presidentin e shtetit, se në parlament është formuar shumica parlamentare dhe atëherë sipas nenit 90 nga Kushtetuta, presidenti është i obliguar në afat prej 10 ditësh nga konstituimi i parlamentit, mandatin për formim të qeverisë t'ia japë kandidatit,  respektivisht partive që kanë formuar shumicën në parlament.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut