1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Fundjavë e përgjakshme në Siri - Regjimi injoron sanksionet

Edhe pas fundit të muajit të agjërimit dhe të festave pas Ramazanit dhuna në Siri vazhdon. Njerëzit i ekspozohen asaj në mbarë vendin sapo dalin bashkarisht në rrugë.

Ceremoni mortore për të vrarët në protestat kundër regjimit në Siri.

Zi për viktimat e dhunës shtetërore në Siri.

Sirianët mbajnë zi për viktimat e dhunës shtetërore - një ritual ndërkohë i zakonshëm pas gati gjysmë viti protestash qytetare dhe reagimi ushtarak të regjimit. Ishte një fundjavë e përgjakshme: grupet e aksionit numërojnë rreth 50 të vrarë; 2.200 viktima regjistron OKB-ja që prej fillimit të protestave në mars. Është e dyshimtë nëse te kjo mund të ndryshojë gjë shefi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar (i cili gjendet tani në Damask) dhe së shpejti përfaqësuesi i Ligës Arabe.

Reagimi i Perëndimit nuk ka efekt

Një vajzë e re proteston me flamurin e vendit në Siri.

Toni i opozitës po ashpërsohet.

Perëndimi mjaftohet me protesta, me ndalim hyrjeje për përfaqësues të regjimit dhe me bllokimin e llogarive të tyre, masa këto qartazi të paefektshme. Edhe vetë arma më e fortë deri tani, ndalimi i importeve për naftën siriane në BE, rrezikon të mbetet pa efekt. Hyrja e saj në fuqi jo më herët se mesi i nëntorit, i lë Damaskut kohë të mjaftueshme për të kërkuar klientë të rinj, për shembull në Kinë, thotë eksperti i naftës Julian Lee:

"Gati të gjitha eksportet siriane shkojnë në Evropë. Atyre do t'u duhet pak kohë për riorientim, por për një kohë relativisht të shkurtër kanë blerës të rinj. Është e dyshimtë se ç'efekt të vërtetë ka embargoja për të ardhurat në valutë të Assadit. Mendoj, se BE-ja para së gjithash donte të tregonte: 'Po bëjmë diçka!' Por nuk besoj, se kjo do të ketë efekt të madh; as në planin afatmesëm."

Rusia mbështet edhe më tej Assadin

Para së gjithash Rusia vazhdon t'i qëndrojë pa u lëkundur përkrah Assadit dhe e dënon embargon. Masat ndëshkuese nuk zgjidhin probleme, thuhet në Moskë. Ajo është livruesja më e madhe me armë e Sirisë.

Me gjasa armët luajnë rol edhe në konfliktin midis popullit dhe pushtetit shtetëror. Ky i fundit thotë që prej fillimit për protestën, se ka synime terroriste. Një gazetë siriane akuzon tani një opozitar të vjetër, të respektuar, Michel Kilo, se u ka bërë thirrje demonstruesve që të armatosen. Propaganda po punon me kapacitet të plotë. Shumica dërrmuese e lëvizjes opozitare vazhdon të duket paqësore dhe e refuzon ndërhyrjen e huaj si në Libi. Por verbalisht toni po ashpërsohet:  në Damask protestuesit bëjnë thirrje për ekzekutimin e Bashar al-Assadit.

Autor: Ulrich Leidholdt / Elert Ajazaj

Redaktoi: E. Xhani