1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Fundi i përkohshëm i një loje të pështjelluar

Rasti Chen Guangcheng nxjerr në pah dy aspkete, që Kina dhe SHBA-ja mund t’i menaxhojnë konfliktet dhe që në Kinë nuk ekziston shteti ligjor, komenton Matthias von Hein.

Fillimisht u duk si një fitore e shkëlqyer e demokracisë amerikane, më pas si një ankth për Hillary Clinton. Në fund duket të konturohet një zgjidhje për rastin e aktivistit kinez të të drejtave të njeriut, Chen Guangcheng: Leja për të shkuar për studime në SHBA.

Duhet formuluar me shumë kujdes, se sa shumë treguan ditët e fundit. Të duhet të shohësh se sa vlerë kanë premtimet kineze. Chen "si çdo qytetar tjetër mund të aplikojë përmes rrugëve të zakonshme në qendrat përkatëse për udhëtimin e tij", tha zëdhënësi qeveritar Liu Veimin.

Ministria e Jashtme kineze është dukshëm më e zhdërvjellët dhe më e rafinuar në raport me botën e jashtme krahasuar me të tjera dikastere kineze. Ajo do ta mbyllë miqësisht rastin Chen. Por në strukturat e pushtetit kinez Ministria e Jashtme nuk bën pjesë ndër ato me influencën më të madhe - kësisoj ajo mund të diktohet prej përfaqësuesve të vijës së fortë siç është Ministria për Sigurinë e Brendëshme.

Tani për tani duket të jetë kapërcyer kriza më e rëndë në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës, që pas përplasjes së një avioni amerikan spiunazhi me një avion luftarak kinez në vitin 2001. Kjo ka mjaft vlerë në një vit elektoral në SHBA dhe në një vit, në të cilin Kina po instalon një gjeneratë të re udhëheqjeje. Nervoziteti është më i lartë se zakonisht dhe retorika më e ashpër. Kjo dëshmon profesionalitetin e të dyja palëve, që pavarësisht presionit të jashtëzakonshëm është gjetur një zgjidhje dhe që krahas rastit Chen në "dialogun strategjik dhe ekonomik" janë trajtuar edhe një sërë temash të rëndësishme të politikës botërore - duke nisur qysh nga qëndrimi ndaj krizës në Siri, programet bërthamore në Korenë e Veriut dhe në Iran e deri tek grindjet territoriale në detin Jugor të Kinës.

Strehimi i aktivistit 40-vjeçar në ambasadën amerikane dhe ec e jaket prej ditësh për një zgjidhje tregojnë edhe, se cilat janë deficitet që ka fuqia e dytë ekonomike në botë në një sektor thelbësor: shteti ligjor. Duhet theksuar qartë, se arresti i shtëpisë, prej nga u arratis Chen Guangcheng, ishte ilegal edhe në bazë të ligjit kinez. E me sa duket qeveria qendrore në Pekin nuk është në gjendje të zbatojë ligjin kinez atdheun e Chen-it në provincën Shandong. Përse fshati i Chen-it  Dongshigu edhe sot vazhdon të jetë i rrethuar prej rojeve jozyrtare, të cilët pa asnjë bazë ligjore duke kërcënuar i ndalojnë hyrjen çdo të huaji? Përse forcat kineze të sigurisë mund t'i rrahin brutalisht përkrahësit e Chen Guangcheng përpara spitalit Chaoyang në Pekin? Përse qeveria e Pekinit duhej t'i ofronte Chen-it të nderuar të mërkurën një "ambjent të sigurtë" në një provincë tjetër? Mos vallë ai duhej mbrojtur si një dëshmitar nga pritat e mafiofëzve - të cilët janë vetëm funksionarët e partisë komuniste?

Partia sunduese ndodhet në një dilemë: kokat e mençura të saj e kanë kuptuar, që atyre u duhet ligji për të qeverisur vendin. Por shumë të tjerë i trëmben pikërisht ligjit. Sepse ai do ta kufizonte pushtetin e tyre. Edhe në rastin e Chen është ende shpejt të thuhet, se kush do t'ia dalë mbanë në fund. Megjithatë kësaj here bota do të shohë. Kjo jep shpresë për burrin e verbër me këmbën e thyer në një spital të Pekinit.

Autor: Mathias von Hein

Redaktoi: Vilma Filaj - Ballvora