1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Fundi i përkëdheljeve - Kthesë në politikën amerikane ndaj Kinës

Në bisedimet me presidentin kinez Hu Jintao presidenti amerikan Obama do të trajtojë edhe problemin e të drejtave të njeriut duke shënuar një kthesë në qëndrimin e deritanishëm të qeverisë së tij ndaj Kinës.

default

Hillary Rodham Clinton dhe Hu Jintao

Fjalët e MPJ amerikane Hillary Clinton javën e kaluar ishin të qarta: "Amerika do të vazhdojë ta ngrejë zërin e saj dhe do ta vërë Kinën nën presion në rast se censuron blogerët dhe burgos aktivistët, në rast se nuk lejon lirinë e besimit, në rast se arreston avokatët, sepse ata mbrojnë klientët e tyre që kritikojnë qeverinë apo si disa si Chen Guangcheng, që përndiqen edhe pasi lirohen."

Ky ton ndryshon nga ai i shkurtit të vitit 2009. Gjatë një vizite në Kinë Hillary Clinton deklaroi asokohe se respektimi i të drejtave të njeriut është pjesë e rëndësishme e politikës së jashtme amerikane, por theksoi se të drejtat e njeriut nuk duhet të jenë pengesë për interesat e tjera.

Sophie Richardson

Sophie Richardson, drejtore e sektorit të Azisë te Human Rights Watch në Washington, DC.

Aktivistë të të drejtave të njeriut si, Sophie Richardson, e organizatës Human Rights Watch e kritikuan ashpër këtë lloj qëndrimi. Richardson thotë se e vetmja politikane që erdhi në pushtet dhe ndoqi vijën e një qëndrimi të vendosur në lidhje me të drejtat e njeriut ka qenë kancelarja Angela Merkel. Gjithësesi ajo mendon se fjalët e atëhershme të znj. Clinton nuk ishin linja e politikës së jashtme të qeverisë së re të Obamës, por lidhen me situatën e re deri tani të panjohur: "Eshtë hera e parë që bota ka përballë një qeveri me kaq pasuri dhe pushtet dhe e cila i shkel në këtë mënyrë normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe rregullat diplomatike."

Qeveria e Obamës e kuptoi se duke mbajtur një qëndrim të paepur nuk arrin gjë. Dan Twining që punon pranë German Marshall Fund thotë:

"Situata në Korenë e Veriut është më e keqe se para dy vjetësh. Para disa muajsh Koreja e Veriut sulmoi për herë të parë që prej vitit 1953 sërish me armë Korenë e Jugut. Unë nuk mendoj se Kina ndikon ndaj Koresë së Veriut për ndonjë arritje paqësore, përkundrazi.

Dan Twining

Dan Twining

Në rastin e presionit ndërkombëtar kinezët e kanë marrë në mbrojtje Korenë e Veriut dhe kjo ka bërë që Koreja e Veriut t'i kalojë kufijtë e saj dhe të destabilizojë rajonin."

Twining thekson se qeveria amerikane duhet ta kuptojë se nuk ka të njëjtat interesa si Kina. Kjo vlen edhe për grindjen atomike me Iranin, për të cilën qeveria amerikane thotë se Kina e ka mbështetur ashpërsimin e sanksioneve. Sipas tij "Kina vërtet nuk vuri veton kundër rezolutës, por u kujdes që marrëveshjet të ishin më të dobta nga sa synonin shumica e shteteve."

Që Kina nuk mund të jetë e vetmja partnere bisedimesh për zgjidhjen e problemeve globale e theksoi edhe MPJ Clinton, e cila deklaroi se nuk ka ndonjë gjë të tillë si ndonjë "G2".

Kjo kthesë filloi që në dhjetor të vitit 2010, kur Kina nuk e lejoi disidentin Liu Xiaobo të shkonte për të marrë në Stokholm çmimin Nobel. Presidenti Obama shprehu keqardhjen e tij për një veprim të tillë. Po ashtu të enjten e kaluar Obama priti në Shtëpinë e Bardhë pesë kritikues të qeverisë kineze. Ndër të tjera ai i pyeti ata se ç'pasoja ka politika rigoroze e pushtetit që ndjek qeveria kineze në jetën e përditshme të njerëzve.

Aktivistët e të drejtave të njerut shpresojnë se dialogu për të drejtat e njeriut mes SHBA-së dhe Kinës do të mbushet tani me jetë. Qëndrimi më i vendosur i SHBA-së ndaj Kinës duhet t'i gëzojë edhe aleatët evropianë, sepse kjo do të thotë se SHBA-ja do të konsultohet sërish më shpesh me ta.

Autor: Christina Bergmann / Pandeli Pani

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 19.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zzLd
  • Data 19.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zzLd