1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Fundi i një djaloshi të preferuar

Ish-menaxheri i njohur Thomas Middelhof u dënua për shkak të shpërdorimit të mjeteve me heqje lirie. Ky është një vendim i drejtë, megjithatë shtron disa pyetje.

Çfarë rrëzimi! Vendin në kronikat e historisë së ekonomisë gjermane, Thomas Middelhofi e ka të sigurtë përgjithmonë. Sigurisht, në dekadat e fundit ka pasur procese gjyqësore që kanë tërhequr vëmendjen kundër menaxherëve. Edhe dënimi me tri vjet heqje lirie, me të cilin Middelhofi u dënua në shkallën e parë të gjykimit nuk i siguron atij vend kryesues në listën e menaxherëve problematikë të ekonomisë. Eshtë diçka tjetër: është shkëlqimi që rrethonte dikur Middelhofin. Ai, të cilin e thërrisnin "djaloshin e preferuar të kapitalizmit të vrullshëm", i cili e nxorri dikur koncernin mediatik Bertelsmann nga qoshja e pluhurosur në të ardhmen multimediale. Ai që u angazhua për ta shpëtuar koncernin mëmë të Karstadtit, Arcandor. Atë që e arriti te Bertelsmanni- atje ai e dyfishoi qarkullimin brenda katër viteve që qëndroi atje si shef, në rastin e Arcandorit dështoi plotësisht. Ai mori vendime që u kthyen në barrë financiare për sipërmarrjen. Në katër vitet e veprimtarisë së tij atje, çmimi i aksioneve ra nga dhjetë në një euro. Në mars 2009, Middelhofi u largua, sigurisht i pasuruar me disa miliona. Një gjysmë viti më vonë, Arcandori shpalli falimentimin. Kjo në një kohë kur Middelhofi nuk i pati kursyer shpenzimet që ta shpëtonte në njëfarë mënyre sipërmarrjen: avokatët e tij u betuan para gjyqit që klienti i tyre pati punuar 24 orë në ditë, asnjë minutë nuk duhej të mbetej e pashfrytëzuar. Po a duhen me këtë 600 fluturime me avion privat, deri në Nju Jork, gjë që i kushtoi firmës rreth 90.000 euro? Jo: këtu njëri e pati humbur çdo kontroll.

Në të gjithë veprimtarinë e tij, ish-menaxheri u ngatërrua me sa duket në një rrjet të komplikuar financiar, që të kishte mundësi të kujdesej për stilin e tij të shtrenjtë privat të jetesës. Procesi që përfundoi tani para gjykatës së Landit në Essen është vetëm njëri prej shumë proceseve, në të cilat Middelhofi merr pjesë si paditës ose si i paditur. Nga njëra anë, kreditorët duan që ai t'u kthejë para, të cilat ai nuk është në gjendje t'i paguajë, sepse një bankë private e bllokon pasurinë e tij. Nga prona e tij në Saint Tropez të Francës së Jugut, vitet e fundit ai u largua vetëm për të ardhur në Gjermani në turne nëpër salla të ndryshme gjyqesh.

Sigurisht, Middelhofi nuk është rast i veçuar. Nga menaxher i famshëm - në burg, këtë ka pasur të tjerë para tij që e kanë arritur. Vetëm se tipa si ai e ushqejnë edhe më tepër imazhin negativ të menaxherit të pafrenuar. Ai ishte mjeshtër për të paraqitur veten. Çështja mbetet: çdo sipërmarrje ka një bord kontrolli. Çfarë nuk ecën si duhet atje në sistem, kur këshillat mbikqyrës e lejojnë veten të mashtrohen prej një personi si Middelhofi?