1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fundi i një samiti polemik në Teheran

Andreas Zumach ILindita Arapi1 Shtator 2012

Përpjekje e dështuar. Merr fund pa sukses samiti i Lëvizjes së vendeve jashtë blloqeve në Teheran. Interesat e përfaqësuesve në samit ishin shumë të ndryshme.

https://p.dw.com/p/161lH
Presidenti egjiptian, Muhamed Mursi
Presidenti egjiptian, Muhamed MursiFotografi: FARS

Samiti i Lëvizjes së vendeve të Painkuadruar në Teheran nuk u zhvillua ashtu siç kishin menduar organizatorët: Shumë të ndryshme ishin interesat e të ftuarve nga Venezuala deri në Afganistan. Takimi i kryetarëve të shteteve dhe ministrave të Jashtëm të 120 shteteve u zhvillua në një atmosferë mjaft të polemizuar, si dikur në vitet 70-të

Asokohe ishte konflikti i armatosur i dy vendeve fqinje Indi dhe Pakistan që ndau lëvizjen e të painkuadruarve. Këtë vit ishte presidenti egjiptian, Mohamed Mursiu ai që ndezi grindjen me kritikën e tij të ashpër ndaj regjimit të Asadit. Mursi e deklaroi si "detyrim etik" "mposhtjen e një regjimi të tillë shtypës".

Presidenti egjiptian premtoi "ndihmë për të gjithë ata që në Siri kanë luftuar për liri dhe drejtësi." Gjatë fjalimit të tij, Mursi ishte ende me mandatin e kryetarit të Lëvizjes së të Painkuadruarve. Një funksion që e kishte marrë para tre vitesh paraardhësi i tij, Hosni Mubarak. Në fund të këtij samiti, funksioni i kaloi udhëheqjes iraniane.

Pamje nga samiti
Pamje nga samitiFotografi: MEHR

"Përzierje në punët e brendshme të Sirisë"

Presidenti egjiptian ishte ende duke folur, kur delegacioni sirian i drejtuar nga ministri i Jashtëm, Valid al-Mualim braktisi sallën. Sipas palës siriane, Mursi me ndërhyjen e tij në punët e brendshme të Sirisë, ndezi edhe më tej konfliktin në këtë vend. Por më të zemëruar reaguan organizatorët e samitit, Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Huesin Sheikholesslam tha se egjiptianit i mungon "pjekuria e duhur politike" për të drejtuar një samit të shteteve të painkuadruara. Fillimisht iranianët kishin shpresuar shumë në pjesëmarrjen e presidentit egjiptian. Që nga koha kur Republika Islamike për shkak të marrëveshjes së paqes mes Egjiptit dhe Izraelit i pati ndërprerë marrëdhëniet me Kajron, asnjë president egjiptian nuk kishte vizituar Teheranin.

Përpara samitit, presidenti egjiptian kishte kërkuar një konferencë rajonale për zgjidhjen e konfliktit në Siri, me pjesëmarrjen e Turqisë dhe Arabisë Saudite, por edhe të Iranit. Këtë propozim e kishte kërkuar më parë edhe ish-ndërmjetësuesi i OKB-së për Sirinë, Kofi Annan. Por propozimet dështuan nga refuzimi amerikan. Uashingtoni së bashku me Izraelin ndjek strategjinë e izolimit ndërkombëtar të Teheranit.

Bota nuk i beson programit atomik iranian
Bota nuk i beson programit atomik iranianFotografi: picture-alliance/dpa

Pikërisht sepse Mohamed Mursi e cilëson këtë strategji si të gabuar, ai mori pjesë në samitin e Teheranit. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon mori pjesë në këtë samit, pavarësisht nga presioni i madh të qeverisë së Obamës. Por në të njëjtën kohë, si presidenti egjiptian ashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, ishin të kujdesshëm që të mos instrumentalizoheshin nga qeveria iraniane.

Qeveria iraniane e izoluar

Për shkak të konfliktit mes sunitëve dhe shiitëve në shtete islamike të Lëvizjes së të Painkuadruarve nuk gjeti mbështetje propozimi iranian për zgjidhjen e konfliktit sirian në samit. Ban Ki Moon në fjalimin e tije formuloi hapur kritikën ndaj udhëheqjes iraniane, e cila mohon Holokaustin dhe të drejtën e ekzistencës së Izraelit. Në bisedimet e tij kokë më kokë me udhëheqësin shpirtëror Ayatollah Khomenei, Ban, sipas zëdhënësit të tij, shprehu shqetësimin e thellë për programin atomik iranian dhe paralajmëroi Teheranin që të përmirësojë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare Atomike. Por për kërkesat e Ban Ki Moon nuk u raportua në mediat iraniane.