1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Fundi i luftës në Irak: SHBA tërheq të gjithë ushtarët

"Pas gati nëntë vitesh do të përfundojë lufta e Amerikës në Irak," sqaroi presidenti amerikan në Shtëpinë e Bardhë. Irakianët marrin në duart e veta sigurinë e vendit.

Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë

Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë

Në foto Barack Obama dhe Nuri al-Maliki

Në foto Barack Obama dhe Nuri al-Maliki

Në mëngjesin e ditës së premte (21.10.) presidenti amerikan Barack Obama ka folur me telefon me kryeministrin irakian Nuri al-Maliki dhe të dy kanë rënë dakord për hapat e mëtejshëm, theksoi Obama. Një marrëveshje përkatëse nga viti 2008  e lidhur nën presidencën e George W. Bushit, para se Obama të kishte marrë pushtetin në SHBA, ishte përcaktuar si datë për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku 31 dhjetorin e vitit 2011.

Njëkohësisht në këtë ditë përfundon edhe imuniteti i trupave amerikane në tokën irakiane. Negociatat për zgjatjen e imunitetit duket haptazi se kanë dështuar. Kryeministri irakian ka sqaruar gjatë javës së kaluar, se amerikanët mund të mbeten për të trajnuar forcat e armatosura të Irakut, por ata nuk mund të gëzojnë imunitet. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, imuniteti për trupat e saj, megjithatë është parakusht themelor për një mision afatgjatë.

"Raporte mes shteteve sovrane"

Një ushtar amerikan në Irak

Një ushtar amerikan në Irak

Marrëdhëniet me Irakun tani hyjnë në një fazë të re, sqaroi më tej presidenti Obama: "Do të jetë një marrëdhënie normale mes shteteve sovrane, një partneritet i balancuar, i cili do të bazohet në interesin dhe respektin reciprok. Unë kam ftuar kryeministrin Maliki që në dhjetor të vizitojë Shtëpinë e Bardhë dhe ne do të vazhdojmë për të diskutuar se si Shtetet e Bashkuara do të mund të ndihmojnë në trajnimin e forcave të sigurisë në Irak ashtu siç ne mbështesim vende në mbarë botën", theksoi presidenti amerikan. Irakun e presin ende ditë të vështira dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuar për një "Irak stabil, të sigurt dhe të pavarur."

Denis McDonough, zëvendëskëshilltar për çështje të sigurisë kombëtare i presidentit amerikan e përshkroi luftën në Irak si një "sukses". Sipas tij ka funksionuar strategjia e presidentit për të trajnuar forcat irakiane të sigurisë: "Raportet për forcat irakiane të sigurisë njëri pas tjetrit kanë dëshmuar se: këta djem janë të gatshëm, ata janë të aftë, ata e kanë dëshmuar veten e tyre pjesërisht në situata shumë të rrezikshme me të cilat ata do të përballen edhe në të ardhmen." Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të kënaqura, thotë McDonough. Por amerikanët do të vazhdojnë të trajnojnë irakianët për sistemet e armëve, të cilat sapo i kanë blerë.  Poashtu do të ketë edhe trajnime të përbashkëta. Mes 4000 dhe 5000 forca  private të sigurisë do të përkujdesen ndër të tjera për mbrojtjen e ambasadës amerikane dhe përfaqësive diplomatike në vend.

Përmbushja e premtimit

Ushtarët amerikanë bëhen gati të kthehen në shtëpi

Ushtarët amerikanë bëhen gati të kthehen në shtëpi

Lidhur me situatën e sigurisë në Irak, Tony Blinken, këshilltar për çështje të sigurisë i zëvendëspresidetnit amerikan Joe Biden, vë në dukje se irakianët kanë mësuar shumë në dy - tre vitet e fundit se si ata mund të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre nëpërmjet një procesi politik. Kjo ka zbutur në shkallë të konsiderueshme problemin e dhunës në mes të grupeve etnike. Përderisa në vitin 2008 kishte 1500 incidente në javë këtë vit regjistrohen vetëm 100.

Me tërheqjen nga Iraku Obama përmbush një premtim elektoral. Qysh në gusht të vitit të kaluar ai kishte njoftuar për fundin e luftimeve dhe kishte filluar me tërheqjen e trupave. Në dy muajt e ardhshëm do të kthehen në shtëpi edhe  40.000 trupat amerikane të cilat aktualisht ndodhen në Irak. Lufta kishte filluar më 20 mars të vitit 2003, në Irak kanë shërbyer deri tani mbi një milionë ushtarë. Kjo luftë u kushtoi me jetë mbi 4.400 ushtarëve amerikanë. Numri i irakianëve të vrarë vlerësohet në 100.000. Kostoja financiare e luftës në Irak për amerikanët vlerësohet të jetë afro një bilionë dollarë.

Autor: Christina Bergmann / Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi