1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Fundi i erës djathtiste në Holandë"

Evropa dhe kriza e borxheve kanë bërë që të dështojnë shumë qeveri. Kështu ishte javën e kaluar dhe në Holandë. Por duket se atje do të gjehet një rrugëdalje.

Kryeministri holandez Mark Rutte dhe zv/kryeministri Maxime Verhagen

Kryeministri holandez Mark Rutte dhe zv/kryeministri Maxime Verhagen

Populisti i djathtë Geert Wilders shkatërroi koalicionin qeveritar holandez para disa ditësh, për shkak të paketës së kursimeve. Momenti është shumë i pavolitshëm sepse Brukseli do të dijë deri të hënën se cilat janë planet e Holandës për të zbritur përqindjen e borxheve të reja nga 4,5 në 3 %, sa është e lejueshme. Dhe kur e gjithë puna e qeverisë dhe partive në koalicion ishte bllokuar, dy ditët e fundit në Holandë ndodhi ajo që nuk e ka pritur askush: planet për kursime i kanë mbështetur liberalët e djathtë dhe kristiandemokratët.

Populisti i djathtë holandez Geert Wilders

Populisti i djathtë holandez Geert Wilders

Është kjo një situatë shumë interesante, tha shefi grupit parlamentar të kristiandemokratëve Van Haersma Buma. "Kjo është një ditë shumë e veçantë. Nën presion të jashtëzakonshëm kohe partitë kanë rënë dakord dhe duket se me të vërtetë është e mundur që në Bruksel të dërgohen një letër e përbashkët ku të sigurohet se Holanda do t'i bëjë të gjitha që janë në mundësinë e saj që vitin e ardhshëm t'i përmbushë kriteret evropiane", theksoi ai

Masat e parashikuara

Ministri holandez i Financave Jan Kees de Jager

Ministri holandez i Financave Jan Kees de Jager

Paketa për kursime e miratuar në momentin e fundit parashikon ngritjen e moshës për dalje në pension, shkurtime sociale dhe ngritjen e taksave për disa produkte. Do të ketë edhe shkurtime të tjera që prekin të gjithë qytetarët, thotë liberali Stef Blok. Por në sektorin e arsimit dhe mbrojtjes së ambijetit shkurtimet do të jenë më të vogla se sa ishte planifikuar. "Të gjitha partitë duhet të bëjnë kompromise. Kur pesë vetë ulen në një tavolinë, të gjithë duhet të bëjnë lëshime. Mendoj se kështu më së shumti fiton Holanda", pohon Blok.

Unioni konservator protestant dhe dy parti të majta kanë mundësuar papritur arritjen e marrëveshjes. Për paketën e kursimeve kanë votuar edhe ekologjistët, të cilët në këtë mënyrë duket se kanë dashur të dëmtojnë edhe Geert Wildersin. Jolande Sap, shefja e grupit parlamentar GroenLinks thotë: "Ne jemi të kënaqur që në këtë mënyrë mund t'i japin fund erës së djathtë politike e cila ka mbizotëruar kohët e fundit në vend. Ne kemi rënë dakord me paketën e kursimeve. Natyrisht që shkurtimet janë të dhimbshme, por kjo është kohë krize dhe duhet kursyer."

Në paralment tani është krijuar një shumicë e ngushtë që qëndron pas buxhetit për vitin e ardhshëm. Një shumicë me të cilën nuk ka llogaritur askush dhe e cila ka kontribuar për qetësimin e tregjeve financiare.