1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Fundi apo shpëtimi i euros?

Në prag të samitit të BE-së, duhet të ndërmerren edhe disa masa shumë të rëndësishme për shpëtimin e euros. Koha po kalon, ndërsa formula shpëtimtare për momentin duket se është marrja e kredive prej FMN-së.

Wolfgang Schaeuble dhe Luc Frieden

Minstrat e financave Wolfgang Schäuble dhe Luc Frieden

Fondi i planifikuar evropian për shpëtimin e euros është tepër i vogël dhe me pengesa të shumta financiare e teknike. Aksionarët në mbarë botën kanë dyshime ndaj tij. Nuk ka para të mjaftueshme për të ndihmuar vendet si Italia apo Spanja. Këtë e kanë pranuar të martën në mbrëmje (29.11.2011) edhe ministrat e Financave në samitin e mbajtur në Bruksel. Për shkak të nervozitetit shumë të madh në tregjet financiare, në ndihmë duhet të vijë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. "Ne kemi nevojë për ndihmën e FMN-së", deklaroi ministri i Luksemburgut Luc Frieden dhe shtoi: "Mendoj se ne kemi një ekonomi që ndërlidhet mes vete gjithnjë e më shumë. Ajo që ndodh në Evropë është e rëndësishme edhe për pjesën tjetër të botës. Mendoj se SHBA-ja dhe BE-ja në samitin e tyre kanë bërë të qartë se problemet duhet të shikohen si të përbashkëta. Prandaj FMN-ja është vendi ku Rusia, Kina, Amerika, Evropa dhe të tjerët duhet të kërkojnë zgjidhje të përbashkëta". Duket se Italia po bën negociata me FMN-në për kredi në vlerë prej rreth 400 miliardë euro.

Masat radikale

Euro

Kriza

SHBA dhe shtetet evropiane janë vendet të cilat më së shumti bashkëpunojnë me FMN-në, i cili, sipas planeve më të reja, duhet t'i ndajë kredi Bankës Qendrore Evropiane, në mënyrë që ajo të ndihmojë vendet e rrezikuara nga kriza. Në këtë mënyrë do të evitohej financimi i drejtpërdrejtë e vendeve të BE-së. Por kjo deri tani nuk parashikohet me marrëveshjet evropiane. Këtë mundësi e kundërshton edhe Gjermania. Në Bruksel u tha se tani kemi nevojë për masa radikale. Ministri belg i Financave Didier Reynders konfirmoi se eurozona ka filluar negociatat me Bankën Qendrore Evropiane lidhur me këtë temë. "Kjo bankë është një institucion i pavarur. Ne do të bëjmë propozimet tona, ndërsa ajo duhet të vendosë", tha Reynders.

Banka Qendrore Evropian duhet të shtypë para

Shefi i kësaj Banke Mario Draghi thotë se nuk kanë mbetur shumë mundësi. Ai pohon se kur ulet dhe mendon mirë, e sheh se euros mund t'i vijë fundi, sepse tregjet financiare nuk janë më të gatshme të blejnë letra me vlerë të shteteve si Spanja, Italia apo Greqia. Në qoftë se Banka Qendrore i blen këto letra me vlerë, atëherë asaj i duhet të prodhojë para shtesë, sepse kjo nuk është e mundur pa e shtuar volumin e parave në treg.

Ministrat e financave

Këshillime të shumta

Banka Qendrore Evropiane ka probleme me mbledhjen e parave prej bankave të tjera, ndërkohë që këto para i duhen për të mbajtur nën kontroll tregjet financiare. Në qoftë se ky fenomen vazhdon, Bankës Qendrore Evropiane nuk i mbetet ndonjë zgjidhje tjetër, veçse në mënyrë masive të shtypë para të reja.

Mundësia e marrëveshjeve fiskale jashtë BE-së

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Bankës Qendrore Gjermane Jens Weidmann duhet të zbusin qëndrimin e tyre ndaj Bankës Qendrore Evropiane. Kjo duhet të ndodhë deri 9 dhjetor. Ndryshe do të vështirësohet edhe më shumë rruga që kalon përmes FMN-së, të cilët duan ta ndjekin ministrat e Financave.

Si kundërshpërblim, Gjermania kërkon që BE-ja të ketë të drejtën e ndërhyrjes tek buxhetet e vendeve në krizë. Por për këtë duhet bërë ndryshime në marrëveshjen e BE-së, që për një kohë të shkurtër nuk është e mundur.

Prandaj Gjermania dhe Franca në samitin e ardhshëm do të propozojnë krijimin e një unioni të përbashkët fiskal, jashtë marrëveshjeve të BE-së. Ky union fiskal do të ishte një marrëveshje mes 17 vendeve të zonës së euros, që më vonë mund të futet edhe në marrëveshjet e BE-së.

Orari i përpjekjeve të reja për shpëtimin

Të enjten (01.12.2011) presidenti i Francës Nicolas Sarkozy do të mbajë një fjalim, ku do të paraqesë koordinatat kryesore të rrugës për dalje nga kriza. Franca duhet të stabilizojë buxhetin, sepse kërcënon rreziku i uljes së aftësisë së saj kreditore prej agjencive rating. Të premten (02.12.2011) do të këshillohen Sarkozy dhe kryeministri britanik David Cameron në Paris për ardhmërinë e eurozonës dhe marrëveshjet e BE-së. Cameron është poashtu nën presion, sepse gjendja ekonomike në vendin e tij është më e keqe se sa ishte planifikuar. Cameron angazhohet për ndërhyrjen e Bankës Qendrore Evropiane, por është kundër unionit të përbashkët fiskal. Të hënën (05.12.2011) planet e tij për dalje nga kriza do t'i paraqesë edhe kryeministri italian Mario Monti. Ndërsa të mërkurën (07.12.2011) kancelarja Merkel do të takohet me presidentin e Francës Sarkozy në Marseille, ku do të mbahet takimi i partive konservatore. Më së largu të mërkurën në mbrëmje do të bëhen publike edhe planet për krijimin e një unioni të përbashkët fiskal.

Koha po kalon

5 cent

5 cent

Lidhur me këto plane kryeministrat dhe presidentët e BE-së do të këshillohen në Bruksel të enjten (08.12.2011) dhe të premten (09.12.2011). Në këtë takim do të marrë pjesë ndoshta edhe shefja e FMN-së Christine Lagarde, thonë diplomatët në Bruksel. Gazeta britanike "Financial Times" bëri të ditur të mërkurën (30.11.2011), se disa sipërmarrje të mëdha të BE-së po përgatiten për skenarin e përfundimit të unionit të përbashkët monetar dhe daljen e disa shteteve nga zona e euros. Kjo nuk befason shumë, sepse Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy para një muaji kanë biseduar edhe për mundësinë e daljes së Greqisë nga zona e euros, në qoftë se kjo do të shpëtonte vendet tjera. Jean Pisani-Ferry, drejtor i fabrikës "Bruegel", deklaroi në Bruksel se sipërmarrjet po përgatiten për mundësinë e përfundimit të euros.

Autor: Bernd Riegert/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 01.12.2011
  • Autor Bernd Riegert/Bahri Cani
  • Fjalët kyç BE, euro, kriza, financa
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/13Js1
  • Data 01.12.2011
  • Autor Bernd Riegert/Bahri Cani
  • Fjalët kyç BE, euro, kriza, financa
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/13Js1