1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Fund i shoqërisë multikulturore? Politikani holandez Wilders shpallet i pafajshëm!

Një gjykatë në Amsterdam e shpalli politikanin Gerd Wilders të pafajshëm nga akuza e nxitjes së urrejtjes kundër myslimanëve. A shënon ky hap një largim nga ideja e një shoqërie multikulturore?

Geert Wilders i kënaqur nga vendimi i gjykatës

Geert Wilders i kënaqur nga vendimi i gjykatës

Një "fitore për lirinë e mendimit" e quajti populisti i djathtë hollandez Geert Wilders lirimin e tij në instancë të fundit para një gjykate në Amsterdam të enjten (23.06.2011). Wildersin e hodhën në gjyq, sepse ndër të tjera e quajti fenë islame një fe të dhunshme. Përfaqësues të grupeve që ngritën aktpadinë për këtë shkak u treguan të zhgënjyer me vendimin e gjykatës. Vendimi e bën të qartë se gjykatat nuk i mbrojnë minoritetet fetare, thanë ata. Ata planifikojnë që ta paraqesin rastin para Gjykatës së OKB-së për të drejtat e njeriut në Gjenevë, pasi në Hollandë janë konsumuar tani të gjitha mjetet juridike.

Kritika ndaj fesë islame në një kontekst të gjerë

Kryegjykatësi Marcel van Oosten tha se Wildersi kishte qenë me deklaratat e tij në "kufijtë e së lejuarës", por në asnjë moment ai nuk ka bërë thirrje për dhunë kundër myslimanëve. Veç kësaj, Wildersi pati deklaruar se ai nuk ka asgjë kundër myslimanëve që integrohen dhe përvetësojnë vlerat e Hollandës.

Deklarata e Wildersit se feja islame është një fe e dhunshme dhe kërkesa e tij për një ndalim emigrimi për myslimanët duhen parë në kuadër të një debati më të madh për politikën e integrimit, u shpreh më tej gjykatësi.

Kursin e gjuhës emigrantët në Holandë duhet ta paguajnë vetë

Kursin e gjuhës emigrantët në Holandë duhet ta paguajnë vetë

Me të vërtetë, tema migracion diskutohet prej disa kohësh në Hollandë, në një vend që për shumë kohë konsiderohej si model i integrimit. Në dhjetë vitet e shkuara refuzimi i asaj që quhet shoqëri multikulturore ka qenë i prekshëm, thotë politologu dhe eksperti i Hollandës, Andreas Wagner nga universiteti i Gëtingenit. Për një kohë të gjatë u besua se me tolerancë dhe liri mendimi mund të arrihej shumë. Por tani, shumë njerëz kanë fituar përshtypjen se "toleranca ia ka lënë vendin injorancës dhe se ishte nevoja për një dorë më të fortë ose për një ndërhyrje më të fortë", shprehet shkencëtari i shkencave politike.

Përshtatu ose zhduku?

Me këtë vendim, Gert Wilders, i cili konsiderohet si garant i shumicës për qeverinë e minoritetit të Hollandës, të përbërë nga liberalët e djathtë dhe konservatorët, merr mbështetje për politikën e tij restriktive ndaj të huajve. Javën e kaluar, ministri konservator i brendshëm, Piet Hein Donner prezantoi një direktivë të re për politikën e integrimit. Në bazë të saj, migrantët nga qarqe kulturore dhe fetare të huaja duhet të përpiqen për integrim pa ndihmën e shtetit. Në bazë të saj, kurset për marrjen e nënshtetësisë janë të detyruara, por ato duhet të paguhen nga xhepi i migrantëve. Ai që nuk e kalon provimin e integrimit, humbet lejen e qëndrimit.

Për udhëheqësin socialdemokrat të opozitës, Job Cohen, ky ndryshim kursi në politikën e integrimit është një "gabim historik." Që migrantët të trajtohen sipas parimit "përshtatu ose zhduku", kjo është një politikë që do të kërkojë haraçin e saj.


Autor: Sabine Faber/ Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 24.06.2011
  • Fjalët kyç wilders
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/11iS4
  • Data 24.06.2011
  • Fjalët kyç wilders
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/11iS4