1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ftohje në marrëdhëniet mes Berlinit dhe Moskës

Marrëdhëniet ndërmjet Gjermanisë dhe Rusisë prej kohësh nuk kanë qenë kaq të ngrira. Partneriteti strategjik, i nisur dikur, ngarkohet gjithnjë e më shumë nga zhvillimet politike në Rusi.

Kur Lothar de Maiziere shkon të mërkurën në Moskë (29.08.2012) për të marrë pjesë në takimin e kryesisë së forumit gjermano-rus në kuadër të Dialogut të Petersburgut, atmosfera ka gjasa të jetë e tensionuar. "Situata politike mes Gjermanisë dhe Rusisë aktualisht nuk është e lehtë", i tha Deutsche Welles kryetari i komitetit drejtues.

Gjyqi kundër grupit muzikor rus Pussy Riot, i kritikuar ndërkombëtarisht, nga i cili tri gra të reja u dënuan në mesin e gushtit me dy vjet burg, është vetëm një shembull. Në Rusi ka zhvillime, që nuk mund të barazohen me demokracinë perëndimore, thotë de Maiziere. "Ne do të duhet të flasim për këtë", tha politikani konservator, duke iu referuar takimit të Dialogut të Petersburgut në mes të muajit nëntor në Moskë.

Kritikë ndaj dialogut të Petersburgut

Lothar de Maiziere

Lothar de Maiziere: Dialogu i Petersburgut duhet forcuar

Dialogu i Petersburgut konsiderohet si projekt model. Forumi u themelua në vitin 2001 nga presidenti rus Vladimir Putin dhe kancelari gjerman Gerhard Schröder. Ai duhet të shërbejë në radhë të parë për shkëmbimin e pikëpamjeve mes shoqërive civile. Por pikërisht kjo kritikohet si e pamjaftueshme. Gazetarja nga Berlini Gemma Pörzgen mendon "se shumë tema kritike përjashtohen". Reforma është urgjentisht e nevojshme.

Pikërisht këtë synon të arrijë Andreas Schockenhoff. Nënkryetari i grupit parlamentar CDU në parlamentin gjerman është koordinator për bashkëpunimin gjermano-rus në ministrinë e Jashtme dhe njëkohësisht kreu i ri i grupit të punës "shoqëria civile" në Dialogun e Petersburgut. Në një intervistë gazete ai njoftoi se do ta tematizojë më fort zhvillimin e demokracisë në Rusi. Schockenhoff nuk përjashtoi edhe ndërprerjen e dialogut të Petersburgut, në qoftë se nuk "do të jetë më i mundur një shkëmbim i hapur i shoqërive civile". Por Lothar de Maiziere e refuzon një veprim të tillë. Dialogu i Petersburgut nuk duhet ndërprerë, por duhet forcuar, thotë ai.

Shenja të ftohjes

Andreas Schockenhoff

Shkaktoi zemërim në Moskë, Andreas Schockenhoff

Rusia iu përgjigj me zemërim deklaratave të Schockenhoffit. Jemi të habitur nga "arroganca politike" e politikanit të CDU-së, citoi agjencia ruse e lajmeve "Interfax" në mes të gushtit një burim anonim të ministrisë sö Jashtme të Moskës.

Ndodh rrallë, që ndërmjet Moskës dhe Berlinit të flitet në këtë ton. Marrëdhëniet gjermano-ruse sot duken aq të ftohta sa kurrë më parë.Vendimin kundër grupit muzikor Pussy Riot më 17 gusht kancelarja gjermane Angela Merkel e quajti "joproporcional". Ajo gjithashtu tha: "Unë kam frikë, se shoqëria civile është frikësuar nga ky gjykim."

Ka edhe shembuj të tjerë, që tregojnë një ftohje në marrëdhëniet mes Berlinit dhe Moskës. Gjatë vizitës së tij të parë më 1 qershor presidenti Putin bëri një ndalesë të shkurtër në Berlin në rrugën e tij nga Minsku në Paris. Hapja e vitit të Gjermanisë në Rusi më 20 qershor në Moskë, ndryshe nga sa ishte planifikuar fillimisht, u mbajt pa Putinin dhe presidentin gjerman Joachim Gauck. Në fillim të korrikut ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, shkaktoi me një pamaturi acarim me qeverinë gjermane. Në një takim me homologun e tij gjerman Guido Westerwelle në Moskë kryediplomati rus citoi nga një takim Merkel Putin mbi Sirinë.

Pauzë apo stanjacion?

Këngëtaret e grupit Pussy Riot

Këngëtaret e grupit Pussy Riot

"Në marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Rusisë aspekti pragmatik deri tani është mbivlerësuar," thotë analisti politik nga Moska, Jevgeni Minçenko. Gjermania në fakt është e interesuar për bashkëpunimin ekonomik me Rusinë, por ka probleme ideologjike, që duket se janë " të pakapërcyeshme". Gjyqi kundër Pussy Riot ka bërë të qartë këto dallime, tha eksperti.

Një tjetër politolog nga Moska, Sergei Markov, i cili është edhe anëtar i partisë së Kremlinit "Rusia e Bashkuar", flet për një "pauzë" në marrëdhëniet mes Berlinit dhe Moskës. "Ky pushim ka të bëjë me ndryshimin e pushtetit në Rusi, si dhe me dallimet në qëndrimet lidhur me konfliktin sirian," tha Markov. Për një "stanjacion" në marrëdhëniet gjermano-ruse flet nga ana tjetër Alexander Kakejew nga Instituti i Moskës për Ekonominë Botërore dhe Politikën e Jashtme. Në këto marrëdhënie nuk ka "asgjë të re". Fajtore për këtë është në rradhë të parë Rusia.

Kujtesa e skandalit Quadriga

Die Quadriga Preis Pressefoto: diequadriga.com

Çmimi Quadriga

Edhe pse marrëdhëniet mes Berlinit dhe Moskës janë të karakterizuara momentalisht nga ngjarjet aktuale, ia vlen të hedhësh një vështrim në të kaluarën. Në korrik 2011 një skandal hodhi hije mbi marrëdhëniet gjermano-ruse. Kryeministri i atëhershëm Putin duhej të merrte në Berlin çmimin Quadriga, një çmim, që e kishin marrë më parë njerëz si ish-kancelari Helmut Kohl. Por kjo hasi në rezistencë. Pas kritikave të shumta publike, kuratoriumi vendosi që ta pezullojë dhënien e çmimit për vitin 2011.

Putini reagoi përmes zëdhënësit të tij me habi për zhvillimet në Berlin. Por Moska siguroi se skandali nuk i ngarkon marrëdhëniet gjermano-ruse. Megjithatë, një revistë e madhe gjermane paralajmëroi për pasojat: Putin ka një kujtesë të shkëlqyer dhe konsiderohet si njeri, që mban inat.

Ekonomia fillimisht e pangarkuar

Ekspertët rusë nuk përjashtojnë mundësinë, se mosmarrëveshjet politike mes Berlinit dhe Moskës mund të rëndojnë edhe ekonominë. Akoma nuk duket se është kështu. Kështu Angela Merkel u shpreh pozitivisht në fund të majit për mundësinë e zgjerimit të gazsjellësit të Detit Baltik nga Rusia në Gjermani. Investitorët gjermanë shpresojnë për pranimin zyrtar të Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë në muajin gusht. Dhe me 23.08.2012 u bë e njohur se vendi partner në panairin e Hannoverit në vitin 2013, do të jetë Rusia.