1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fshatrat e zbrazur në Kosovë

Rreziku nga mjetet shpërthyese dhe pamundësia e rindërtimit janë ndër arsyet kryesore që kanë bërë që edhe 13-të vjet pas luftës, fshatra të tëra të jenë të pabanuara. Banorët e tyre jetojnë në qendra të ndryshme.

Fshati Planeja

Fshati Planeja

Hazir Veseli 71 vjeç nga Kosharja e Gjakovës, fshat në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri punon sot rrethojën e një livadhi trearësh të shtëpisë në të cilen jeton si i zhvendosur tash 13-të vjet. E teksa fytyrëngrysur kujton kotësinë e përpjekjeve të tij rreth kësaj copë toke të paujitshme, prej së cilës rrallëherë merr frytin e mbjellur, në rrudhat e thella i lexohet nostalgjia e vazhdueshme për fshatin e lindjes në të cilin jetoi në begati. “Rruga o konë e zorshme deri atje, po jeta o konë e mirë. Prej muajit kur piqej qershia e deri sa binte bora, ke pas të gjtiha llojet e pemve. Uji akull. I kam pas pesë hektarë e 75 ar tokë. I mbajsha 200 copa dhen. A e din çfarë jete o konë?! Jam detyru me lanë tokë e shpi e me ardhë me u nguju qetu, se s´kam ku me shku kur serbët m´i kanë djeg dy shpiat rrafsh me tokë... Prej 40 shpive si jemi konë të tana me mbi tetë anëtarë, asnjë prej tyre nuk asht ma. Tash, te tanë të shkapërderdhur dikush ktu e dikush atje,“ rrëfen plaku 71 vjeçar, derisa rrudhat e ballit i thellohen gjithnjë e më shumë për fshatin e tij hambar, larg të cilit jeton në skamje tash 18-të vjet. 

Ahmet Sallova

Ahmet Sallova

Nga jeta në begati-në varfëri të plotë

“Tash qe! N ´këtë shpi n´Baballoq, me këtë copë tokë pa ujë. Pa rrogë pa send. Tetë anëtarë jetojmë me 45 euro pension temin edhe dy djem më punojnë punëtor krahu ku të munden. Sot, ja, atje po punojnë! Jam afru te komuna e Gjakovës edhe n´Prishtinë. Kush s´asht interesu me m´ndihmu!”

Sipas kryetarit të komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, pas një analize të bërë është konstatuar se të gjitha shtëpitë i përkisnin kategorisë së pestë të rrënimit. Ndërsa, donacionet për ndërtimin e shtëpive i mbajti larg territori i papastruar nga mjetet shpërthyese.

“Tani meqë nuk ka donacione dhe ne nuk kemi buxhet të mjaftueshëm të investojmë, e kemi shpallur zonë turistike dhe po shohim mundësinë e investimeve në atë fshat, për të mundësuar rikthimin e banorëve që fshati të frymojë sërish. Neve na gëzon fakti se veç filluar kthimi i tri-katër familjeve që kanë renovuar shtëpitë dhe kanë filluar të mirren edhe me bujqësi. Ndërsa, para dy ditësh kam pas një takim me një grup qytetarësh ku kemi diskutuar mundësitë për gjetjen e zgjidhjes. Por, edhe pse për sivjet s´mund të premtojmë për shkak të buxhetit, në vitin 2013-të në bashkëpunim me qeverinë dhe me mbështetjen e ndonjë donatori, ne do t´fillojmë rindërtimin e shtëpive atje, meqë sivjet po përfundon rruga dhe do të fillojë ndërtimi i varrezave të dëshmorëve”. 

Koshare

Koshare

Të 40 shtëpitë e Koshares rrënoja që nga lufta

Xhevat Ibraj edhe sot ka ardhur të vizitojë pronën e familjes së tij në Koshare. Shtëpinë e lindjes, qoftë ajo edhe gërmadhë, sepse dëshira e tij dhe e bashkafshatarëve për kthim mbeti e ngrohtë gjithnjë. “Interesimi për kthim ka qënë me të përfunduar lufta. Kemi parashtruar disa herë kërkesa presidencës, qeverisë, kuvendit qendror dhe kuvendit komunal të Gjakovës. Asnjëherë asnjë lloj përgjegje për rikthim në vatrat tona. Shumë bashkëfshatarë të mi jetojnë në kushte mizore nëpër qendra të ndryshme, përderisa ndërtojnë shtëpi për serbët për t´i lënë të zbrazta. Qe 13-të vjet pas luftës nuk është menduar fare për ne. E mendoj se është e drejtë jona, nëse duhet të trajtohemi qytetarë të barabartë si në të gjitha pjesët e Kosovës. Atje as territori s´është i pastruar mirë nga mbetjet e luftës dhe ende konsiderohet zone e minuar”.

Territori i minuar njëra nga arsyet e depopullimit

Sipas Ministrisë së Forcës se Sigurisë së Kosovës, në vitin 1999 në Kosovë janë regjistruar 4,500 fusha që paraqesin rrezik për qytetarët, 114 prej të cilave kanë humbur jetën dhe 451 të tjerë janë lënduar. Ndërsa, Kosharja është vetëm njëri nga disa fshatra larg të cilave qëndrojnë banorët e tyre për shkak të territorit të papastruar ende nga mjetet e pashpërthyera nga bombarimet e NATO-s mbi caqet serbe.

Ahmet Sallova, shef i Qendrës për Deminim në kuader të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës thotë se: “Prej fillimit të operacioneve të deminimit, me 1999 janë pastruar mbi 47 milionë metër katrorë, ku janë gjetur dhe janë shkatërruar mbi 83 mijë mjete të ndryshme eksplozive. Mbesin edhe 57 zona të rrezikshme si dhe 44 zona të tjera të dyshuara, një pjesë e madhe e të cilave është e kontaminuar prej bombave kasetore, një pjesë prej minave antipersonale si dhe mjeteve te ndryshme eksplozive”.

Kufiri Kosovë- Shqipëri

Kufiri Kosovë- Shqipëri

Kosharja ka mbetur fshat fantazmë


Sipas z.Sallova, zonat me rrezikshmëri shtrihen kryesisht përreth brezit kufitar. "Si në Koshare, fshatin Milaj, në Jasiq, Ferizaj, Harilaq, Belincë, Hajvali,etj. Ne kemi filluar deminimin me dy prill dhe do të vazhdojmë gjatë gjithë vitit. Por, këtu gjenden mjete eksplozive të pashpërthyera që nga lufta e dytë botërore. Prandaj, në zonat e pastruara qytetarët lirisht mund të rikthehen dhe të vazhdojnë jetën, ndërsa zonat ku janë të shenjëzuara si të rrezikshme duhet qëndruar larg tyre derisa të pastrohen”.

Dhe zona të tilla në Koshare ka shumë. Si rrjedhojë, ky fshat malor në të cilin dikur vlonte jeta ka mbetur rrënojë dhe tash 13-të vjet pas thyerjes së kufirit Kosovë-Shqipëri, e cila bëri kthesë në historinë e Kosovës dhe të Ballkanit.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama