1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fshati Restelicë në Kosovë tronditet nga orteku

Të paktën nëntë vetë humbën jetën, nga një ortek që goditi të shtunën (11.02.2012) fshatin Restelicë të komunës së Dragashit në jug të Kosovës.

default

Lajmi për goditjen nga orteku në fshatin Restelicë, ku si pasojë kanë humbur jetën të paktën nëntë vetë, u konfirmua nga kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jonuzi. Shtatë trupa të pajetë u gjetën të shtunën në mbrëmje, ndërsa, dy trupa të tjerë u gjetën të dielën (12.02.2012) paradite. Autoritet thonë se po kërkojnë edhe një person, që mendohet se mund të ketë mbetur i ngujuar në një shtepi të mbuluar nga bora. Një vajzë pesë vjeçare u shpëtua nga gërmadhat e një shtëpie pak para mesnatës të së shtunës.

Vazhdon operacioni i emergjencës

Sipas zyrtarëve të shërbimit të emergjencave, orteku me një thellësi prej 10 metrash dhe gjatësi 500 metra ka mbuluar 15 shtëpi të fshatit Restelicë. Për të ndihmuar fshatin e goditur nga Orteku që nga pasditja e së shtunës, janë angazhuar Forcat e Sigurisë së Kosovës, trupa të KFOR-it dhe shërbimet e emergjencës të komunës së Dragashit. Ministri i infrastrukturës në qeverinë e Kosovës, Fehmi Mujota, thotë se operacioni i kërkim shpëtimit po vazhdon. "Janë të angazhuara të gjitha forcat dhe do të punojnë derisa të arrijnë të gjejnë edhe personat e fundit, që kanë mbetur të ngujuar në shtëpitë e tyre, për shkak të ortekut. Ne ende po shpresojmë që të ketë mbijetuar dikush prej tyre, por gjasat janë gjithnjë e më të vogla", tha ministri Fehmi Mujota.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e cilësoi ngjarje të rëndë dhe të trishtueshme humbjen e jetëve në Restelicë.

Në disa komuna shpallet gjendja e jashtëzakonshme

Edhe qeveria e Kosovës duke shprehur ngushëllimet e saj për jetët e humbura ka theksuar se po ndjek nga afër situatën në fshatin Restelicë por edhe në zonat e tjera të prekura nga moti i ashpër që ka përfshirë Kosovën. Për t'u njohur nga afër me gjendjen në Restelicë këtë të dielë rajonin e viziton kryeministri i Kosovës Hashim Taci. Reshjet e mëdha të borës po shkatëtojnë vështirësi të mëdha edhe në komunat perëndimore të Kosovës. Trashësia e borës ka arritur në 1.5 metra në komunën e Pejës, Deçanit dhe Junikut. Të tri këto komuna kanë shpallur gjendje të jashtzakonshme.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora