1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Front i gjerë kundërshtimi për taksat evropiane - projektbuxheti i BE-së deri në 2020

Megjithë kundërshtimin e shteteve anëtare, Komisioni i BE-së ka propozuar burime të veta financiare për buxhetin e BE-së vitet e ardhshme. Por Gjermania dhe shumë vende të tjera anëtare, janë kundër taksave speciale.

Pamje simbolike - të ardhura për buxhetin e BE-ë.

Së shpejti taksë për BE-në?

Presidenti i Komisionit të BE-së Barroso e di mirë se si mund t'i trembë kryeqytetet evropiane. Fjala kyçe është "taksa për BE-në", ose më saktë të ardhura për BE-në. Deri tani Bashkimi Evropian varet në masë të madhe nga transfertat financiare të shteteve anëtare, të cilat skërmisin dhëmbët në kohën e kursimeve të detyrueshme.

Presidenti i Komisionit të BE-së Barroso.

Barroso kërkon më shumë pavarësi buxhetore për BE-në.

Sistem i ri të ardhurash buxhetore për BE-në

Për periudhën e ardhshme buxhetore nga viti 2014 deri 2020, Barroso nuk do të lutet më për çdo qindarkë:

"Ne propozojmë një sistem të ri të ardhurash, i cili bazohet nga njëra anë në një taksë mbi transaksionet financiare dhe nga ana tjetër në taksën mbi vlerën e shtuar."

Taksa mbi transaksionet financiare prej kohësh është në qendër të diskutimeve si instrument për t'i bërë më pak tërheqëse spekulimet në bursë. Për çdo transaksion do të paguhej një përqindje e ulët, por që në total do të sillte të ardhura të konsiderueshme. Kryesisht Gjermania dhe Franca kanë kohë që e kërkojnë një taksë të tillë, por ato në asnjë mënyrë nuk pranojnë që paratë të zhduken në buxhetin e BE-së. Edhe nga taksa mbi vlerën e shtuar ato nuk pranojnë t'i japin asgjë BE-së. Parlamenti Evropian përkundrazi e mbështet idenë pasi kjo do t'i bënte më transparente financat e BE-së. Dhe për klientët gjermanë TVSH prej 19% nuk duhet të ndryshojë detyrimisht, thotë Jutta Haug nga Partia Socialdemokrate (SPD), vetëm faturat e tyre do të kishin tjetër pamje:

"Ne duam që në të ardhmen fatura të përmbajë një TVSH prej 18%, dhe 1% TVSH për BE-në. Kështu qytetaret dhe qytetarët shohin se ajo shkon në buxhetin e BE-së."

Sistem jotransparent transfertash

E vështirë është të shihet edhe se sa para transferon secili vend në buxhetin e BE-së. Britania e Madhe prej vitesh këmbëngul në skonton për britanikët, pasi pretendon se merr shumë pak para nga Brukseli. Vende të tjera si Gjermania, gjithashtu kanë negociuar skonto për vete.

"Besoj se në të gjithë botën mund të jenë vetëm 4 ose 5 njerëz që e kuptojnë sistemin tonë të skontove mbi skonto. Ai është tejet i komplikuar", - deklaroi Barroso.

Barroso kërkon t'i heqë të gjitha këto skonto, por kundërshtimi nga Berlini, Londra dhe Parisi është i sigurtë.

Gjithsej BE do të ketë në dispozicion rreth 1 bilion euro për periudhën buxhetore 2014 deri 2020, në vit rreth 140 miliardë euro. Për krahasim: qeveria gjermane shpenzon çdo vit dyfishin e kësaj shume.

Luftë për subvencionet agrare - akush nuk pranon të humbasë favoret e deritanishme.

Luftë për subvencionet agrare - akush nuk pranon të humbasë favoret e deritanishme.

Luftë e ashpër për subvencionet agrare

Javët e ardhshme Gjermania do të luftojë me forcë për subvencionet agrare. Komisioni i BE-së jo vetëm do t'i ngrijë ato në shumën 370 miliardë euro, por synon edhe t'i shpërndajë ndryshe. Por nëse bujqit në shtetet e reja anëtare marrin më shumë subvnencione, do të reduktohen ato për bujqit gjermanë.

BE synon të investojë më shumë para në fushën e kërkimeve, në rritjen ekonomike dhe politikën sociale.

"Kush përfiton nga detyrat tona nuk është siç pretendojnë disa Brukseli. Paratë janë për rajonet tona, për punëtorët tanë në gjithë Evropën", - tha Barroso.

Shumë eurodeputetë janë të zhgënjyer nga projektbuxheti i Barrosos. Parlamenti kishte kërkuar rritjen e buxhetit. Edhe Rebecca Hams, kryetare e grupit të ekologjistëve në parlamentin evropian:

"Unë nuk jam dakord. Grupi im do të pyesë se si do t'i përmbushë detyrat në rritje BE-ja kur buxheti duket se po reduktohet."

Muajt e ardhshëm pritet të karakterizohen nga lufta e ashpër për para. Buxheti duhet të jetë gati deri në fund të 2012-s.

Autor: Katrin Brand / E.Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeti