1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Frika e Polonisë nga "ariu rus"

Në konfliktin e brendshëm politik në Ukrainë, vendi fqinj Polonia ka marrë në të kaluarën gjithmonë një rol ndërmjetësues. A mund të luajë Polonia një rol afrues edhe në konfliktin me Rusinë?

Ishin fjalë dramatike, ato që përdori kryeministri i Polonisë, Donald Tusk për ta përshkruar gjendjen në Ukrainë: "Ky konflikt ka të gjitha shenjat e një konflikti, i cili mund të shkaktonte shpërthimin e një lufte, që mund të përfshjijë të gjitha shtetet e botës", paralajmëroi kryeministri. Pasoja do të ishin të rënda, për Poloninë është fjala "për çështjen të jesh apo të mos jesh", tha ai të dielën (02.03.2014) në Varshavë.

Thuajse asnjë shtet tjetër anëtar i BE nuk është më pranë konfliktit midi Rusisë dhe Ukrainë se sa Polonia. Kjo afërsi argumentohet midis të tjerash me afërinë gjeografike: Polonia ndan me të dyja shtetet një kufi shtetëror: në Veri kufirin me Kaliningradin rus, në Juglindje kufirin më se 500 km me Ukrainën.

Njëkohësisht, historia e Polonisë tregon paralele me Ukrainën. Të dyja vendet kanë qenë dikur topa futbolli të politikës ndërkombëtare dhe kanë qenë gjithmonë midis Rusisë dhe Perëndimit. Kufijtë e të dyja shteteve janë ripërcaktuar disa herë, grupe të mëdha të popullatës u desh të shpërngulen me detyrim nga territori shtetëror.

Ndërmjetësimi polak

Që në kohën e "Revolucionit të portokalltë", rreth 10 vjet më parë, Polonia ndërmori në Ukrainë një rol ndërmjetësues midis Viktor Jushçenkos dhe Viktor Janukoviçit, për të mundësuar një përsëritje të zgjedhjeve të manipuluara presidenciale të 2004-ës.

Edhe në përpjekjet e fundit ndërmjetësuese pas të shtënave në Maidan dhe para rrëzimit të Janukoviçit, Polonia ishte së bashku me Gjermaninë dhe Francën sërish e angazhuar. Plani i ndërmjetësuar nga Frank Walter Steinmeieri, ministri francez i Jashtëm, Laurent Fabius dhe homologu i tyre polak, Radoslav Sikorski pati jetëgjatësi të shkurtër, sepse vetëm pak orë pas asaj që u duk si zgjidhje kompromisi, Janukoviçin e rrëzuan dhe ai vajti në Rusi.

Presion i brendshëm politik

Ottfried Nassauer, drejtues i Qendrës së Informacionit të Berlinit për Sigurinë Transatlantike, mendon se Polonia është vetëm kushtimisht e përshtatshme për të marrë një rol ndërmjetësues midis Ukrainës dhe Rusisë. "Liria për të vepruar në mënyrë racionale një qeveri polake është e kufizuar nga politika e brendshme", tha Nassauer në bisedë me DW.

"Në aspektin e politikës së sigurisë, Polonia është e drejtuar tradicionalisht fort drejt SHBA", u shpreh Nassauer. "Polonia përpiqet vazhdimisht që t'i theksojë marrëdhëniet e saj të veçanta me Uashingtonin". Në politikën e brendshme kjo ecën krahas me një qëndrim mbrojtës përballë Rusisë. Brenda vendit ekziston, sipas Nassauerit, një frikë latente se "ariu rus mund të forcohet edhe njëherë tjetër."

Raport i vështirë

Marcin Zaborovski, drejtor i Institutit Polak për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, PISM, thekson megjithatë në bisedë me DW, se Polonia është angazhuar shpesh herë brenda BE për interesa ruse. "Polonia mbështet për shembull liberalizimin e vizave për shtetasit rusë, që duan të udhëtojnë në BE", thotë Zaborovski.

Njëkohësisht, ai e bën të qartë se qeveria polake e vështron si akt agresioni kundër fqinjit të drejtpërdrejtë veprimin rus.

Si masë ndihmëse të BE për popullin e Ukrainës, Zaborovski propozon ndihma financiare, jo ushtarake, të ngjashme me planin Marshall të SHBA në vitet '40 dhe '50 të shekullit të kaluar.