1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Frika e Ankarasë nga të vdekurit e Armenisë

Indinjatë në Turqi: A do ta përdorin presidenti i SHBA-së Obama dhe ai i Gjermanisë Gauck në mesazhet e tyre përkujtimore me rastin e 100 vjetorit të masakrës ndaj armenëve fjalën "gjenocid"?

Grindja për vlerësimin e masakrës ndaj armenëve, që është kryer më 24 prill 1915, gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një problem të politikës së jashtme turke. Pasi Ankaraja iu përgjigj me kritikë të ashpër përdorimit të termit "gjenocid" nga Papa fundjavën e kaluar si dhe duke tërhequr ambasadorin nga Vatikani, qeveria turke e hodhi poshtë në formë të ashpër edhe rezolutën e Parlamentit të BE-së lidhur me këtë temë.

Pas reagimeve në prag të 100 vjetorit veç kalkulimeve politike fshihen edhe frikëra, që shkojnë më thellë. Pranimi i gjenocidt nga Turqia as që shtrohet për diskutim nga presidenti Rexhep Taip Erdogan dhe kryeministri Ahmet Davutoglu. Turqia nuk ka asnjë njollë të zezë në historinë e saj, tha Erdogan.

Kryeministri Davutoglu akuzoi Papën, se po bashkëvepron në një komplot ndërkombëtar kundër Turqisë. Ankaraja këmbëngul, që vdekja e disa qindra mijëra armenëve mes viteve 1915 dhe 1917 është pasojë tragjike e aksionit të kushtëzuar prej luftës të shpërnguljeve, por jo gjenocid. Armenia dhe një pjesë e madhe e studimeve ndërkombëtare e shohin këtë ndryshe.

Papa në shënjestër

Në sfondin e afrimit të datës së zgjedhjeve parlamentare në Turqi më 7 korrik, grindja për gjenocidin po kthehet gjithnjë e më tepër në një temë të luftës elektorale. Meqënëse Davutoglu dhe partia e tij në pushtet AKP përpiqen të tërheqin sa më shumë vota të nacionalistëve, Papën po e bëjnë gogol në Ankara.

Davutoglu e akuzon kreun e Kishës Katolike ndër të tjera, se po nxit islamofobinë. Një diplomat perëndimor në Ankara i tha Deutsche Welle-s, se kaq pranë zgjedhjeve nuk mund të presësh tone të moderuara prej qeverisë turke lidhur me çështjen e armenëve.

Erdogani, i cili e mbështet me të gjithë forcën luftën elektorale të AKP-së, ndonëse vet nuk kandidon për parlamentin, sheh tek debati për armenët një rast, që t'u prezantojë zgjedhësve një botëkuptim nën moton "ata kundër nesh", thotë për Deutsche Welle-n avokati dhe gazetari Orhan Kemal Cengiz. Pjesërisht reagimet e ashpra nga Ankaraja kanë të bëjnë edhe me një "frikë të thellë", thotë Cengiz.

Türkische Menschenrechtsaktivisten erinnern an Armenien-Völkermord

Marshim përkujtimor i aktivistëve të të drejtave të njeriut në Stamboll më 24 prill 2014 në përvjetorin e masakrës ndaj armenëve

Myslimanët kundër kristianëve

Gazetari vitin e kaluar ndër të tjera ka marrë pjesë edhe si avokat në procesin kundër vrasësve të tre kristianëve më 18 prill 2007 në një godinë të shtëpisë botuese të biblës protestante Zirve në qytetin turk Malatya. Të pandehurit - pesë ultranacionalistë - akuzohen, se i kanë sulmuar viktimat e tyre, i kanë lidhur ato dhe u kanë prerë gërmazin. Në mars 2014 të akuzuarit u liruan prej burgut të sigurisë së lartë.

Sipas vlerësimit të Cengiz qeveria turke druhet, se njohja e gjenocidit dëmton imazhin e Turqisë në botë duke hapur edhe çështjen e zhdëmtimit për pasardhësit e viktimave armene. Por ka edhe diçka tjetër, fakti që Turqia e sotme është ngritur "duke përjashtuar jo-mysliamnët". Kjo diskutohet ndër intelektualët dhe akadimikët, por jo në opinionin e gjerë.

Vëmendja përqendrohet tek Obama

Tani për tani nuk pritet që Turqia ta trajtojë këtë temë të ndjeshme. Por vëmendja aktualisht është fokusuar tek presidenti i SHBA-së Barack Obama, i cili çdo vit më 24 prill publikon një mesazh përkujtimor në përvjetorin e masakrës ndaj armenëve. Deri tani duke qenë i kujdesshëm ndaj partnerit të rëndësishëm në NATO, Turqisë, ai e ka shmangur termin gjenocid, ndonëse si senatorët edhe deputetët e Dhomës së Përfaqësuesve si dhe shoqatat armene në SHBA vazhdimisht i bëjnë thirrje atij për këtë. Tensioni është i madh. "A do ta thotë ai këtë?" pyet gazeta "Hürriyet".

Edhe fjalimi që do të mbajë javën e ardhëshme në ceremoninë përkujtimore presidenti i Gjermanisë Joachim Gauck do të ndiqet me vëmendje në Turqi. Nëse Gauck dhe Obama vendosin të flasin për gjenocid, ky do të ishte një dështim të dhimbshëm për Turqinë, e cila do ta pengojë njohjen e gjenocidit në nivel të gjerë ndërkombëtar. Por as që mund të priten ndryshime në qendrimin e Turqisë tani për tani, thekson gazetari Cengiz. Sipas tij, presioni nga jashtë me gjasë do të çojë në një ashpërsim të pozicioneve të Ankarasë.