1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Frika dhe shqetësimet mbeten

Bundestagu Gjerman miratoi me shumicë të gjerë zgjerimin e ombrellës së shpëtimit të euros. Megjithatë, mbetet një ndjenjë e keqe, mendon Bettina Marx. Dhe ajo pyet: Kur do të duhet paketa tjetër e shpëtimit?

Parlamenti gjerman debatoi për programin e shpëtimit të euros

Parlamenti gjerman debatoi për programin e shpëtimit të euros

Qeveria gjermane mund të marrë frymë e lehtësuar. Vendi më i fortë anëtar i BE-së dëshmoi aftësi për të vepruar dhe vendosmëri. Madje edhe opozita e miratoi gati e gjitha zgjerimin e ombrellës e BE-së për shpëtimin. Vetëm fraksioni i partisë E Majta dhe disa devijatorë të koalicionit qeveritar votuan kundër.

Megjithëkëtë, pas këtij vendimi të Bundestag-ut gjerman mbetet një ndjenjë jo e mirë. Mbeten frika dhe shqetësimet e shtetasve, sepse që prej paketës së parë të ndihmës për Greqinë në maj të vitit të kaluar, Evropa nuk po gjen qetësi. Qysh atëherë përgatiten njëra pas tjetrës paketa ndihme. Mobilizohen shuma sa vjen e më të mëdha, për të vënë në kontroll krizën galopante dhe për të shpëtuar monedhën e përbashkët. Deri tani, grekëve kjo nuk u ka bërë punë. Prej kushteve të ashpra të kursimit, të lidhura me dhënien e ndihmës, ekonomia e tyre është zhytur në një recesion të pashembullt, papunësia është rritur me nxitim, konsumi ka rënë dhe fundi i spirales për poshtë nuk mund të shihet. Zhvillime të ngjashme kërcënojnë edhe në vende të tjera të Evropës jugore dhe trazirat sociale atje nuk mund të përjashtohen më.

Parlamenti gjerman debatoi për programin e shpëtimit të euros

Parlamenti gjerman debatoi për programin e shpëtimit të euros


Pasojat në Gjermani


Mirëpo, edhe në Gjermaninë krahasimisht të pasur nuk mund të mos ketë pasoja kur miliarda të taksapaguesve futen në një fuçi pa fund, çka në fund të fundit ndihmon vetëm bankat. Edhe këtu mungojnë këto para për arsim të mirë, për infrastrukturë dhe për mbajtjen në këmbë të shtetit social të kërkuar nga kushtetuta. Prej kohësh shtetasit në Republikën Federale ndiejnë që pagat e tyre reale bien prej vitesh, që situata e tyre delikate e punë përkeqësohet, që shpenzimet e jetesës dhe kosto për arsim e kualifikim rriten. Ekonomistët, si ekonomisti i urtë Peter Bofinger dhe  kryeekonomisti i UNCTAD-it Heiner Flassbeck, paralajmërojnë se të kuryerit mbyt koniunkturën dhe acaron krizë.

Tani Bundestag-u miratoi edhe një herë fondin e shpëtimit për shtete të eurozonës të tejzhytura në hua. Kancelarja Angela Merkel dhe ministri i financave Wolfgang Schäuble janë për këtë të kënaqur dhe të lehtësuar. Ligjin e tyre e miratuan edhe vetë dy fraksionet më të mëdha opozitare, ai socialdemokrat dhe ekologjist. Mirëpo, shtetasit kanë çdo arsye që të shqetësohen sepse që tani ekziston frika se edhe kjo paketë e re shpëtimi, e cila do të vlejë deri në 2013-ën, nuk do të mjaftojë. Njerëzit në Gjermani dhe Evropë shohin drejt një të ardhmeje të pasigurt e plot halle. Për këtë nuk mund të gënjejë as uniteti i Bundestag-ut Gjerman në këtë ditë dramatike.

Autor: Bettina Marx/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama

DW.COM