1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Frikë nga burrat me mjekër

Pas revolucionit Jasmin islamistët në Tunizi po fitojnë epërsi të re. Zyrtarisht ata nuk duan të kenë të bëjnë me Al Kaida-n. Megjithatë ata ngjallin shqetësim.

default

Protesta në Avenue Habib Bourguiba

Në Bulevardin Habib Bourguiba në Tunizi disa burra me mjekra të gjata dhe petka të gjera bisedojnë për politkë. Njëri dënon ndarjen e shtetit nga feja dhe e quan «blasfemi», një tjetër ankohet për «shoqërinë e prishur». Një skenë, e cila në Tunizinë laike të disa muajve më parë ishte e papërfytyrueshme. Shërbimi i fshehtë do t'i kishte arrestuar ata menjëherë.

Flanieren in der Avenue Habib Bourguiba

Shëtitje në bulevardin Habib Bourguiba

Shëtitorja në zemër të kryeqytetit mban emrin e presidentit të parë të vendit: Bourguiba. Ai e pat qeverisur vendin nga viti 1957 gjer më 1987 dhe konsiderohet si «Ati i Kombit» tunizian. Ai donte një Tunizi laike e moderne e ku të sundonte barazia gjinore. Por këto synime ai i shihte të kërcënuara para së gjithash nga forcat islamiste, të cilat i shtypi me konsekuencë. Që nga revolucioni demokratik Jasemin dhe rrëzimi i pasardhësit të Bourguiba-s, Zine el-Abidine Ben Ali, më 14 janar 2011, ato sërish janë të pranishme si nëpër rrugë, ashtu edhe në politikë.

«Këta njerëz më frikësojnë»

Kjo gjë nuk u pëlqen të gjithëve. Jo larg Bulevardit qëndron e ulur Cyreen Belhedi me shoqet e saj në njërën nga kafenetë e shumta të Avenusë së prefereuar. Me krenari ajo prezanton çantën e dorës ngjyrë trëndafili në të kuqe me dizenjo gjarpri: «Sapo e bleva!» Të rejat dhe të rinjtë pinë të shpenguar cigare e kafe, çaj, lëng frutash, ndonjëri edhe birrë. Ata i shikojnë me dyshim burrat me mjekër. «Këta njerëz mua më fusin frikën», thotë 27 vjeçarja Cyreen, e cila gjatë revolucionit Jasemin çdo ditë dilte në demonstratë në rrugë duke sakrifikuar për këtë vendin e punës si inxhiniere. «Po e morën në dorë pushtetin islamistët, atëherë ne do të kthehemi shumë prapa», thotë ajo «madje shumë më prapa nga koha e Bourguiba-s».

Frika e të rinjve nuk ka të bëjë vetëm me burrat në cepin tjetër të rrugës. Ajo i referohet para së gjithash partisë Ennahda, grupimi islamist ndoshta më popullor në vend. Për dhjetra vjet me radhë e ndaluar, partia tani sërish ka hyrë në ballë të mekanizmit politik në vend.

Vizitë te shefi i islamistëve

Chef der Nahda Partei Rachid Al-Ghannoushi

Kreu i partisë Nahda, Rashid Al-Ghannoushi

Udhëheqës dhe baba shpirtëror i Ennahda-s është Rashid Al Ghannoushi, një burrë 70 vjeçar, me reputacion në qarqet konservatore-myslimane. Ai është anëtar i këshillit ndërkombëtar të Vëllazërisë Myslimane, shkrimet e tij vlejnë në të gjithë botën si referenca për islamizmin politik. Rashid Al Ghannoushi ka qenë i angazhuar në politikë qysh në kohën e president Bourguiba dhe është arrestuar disa herë. Pak kohë pas revolucionit Jasemin ai u kthye në vendlindje nga Londra, ku pat qëndruar 20 vjet në mërgim.

Shtëpia, në të cilën Al Ghannoushi pret mysafirët, ndodhet në një lagje të mirë në periferi të Tunizit. Te porta të pret një truprojë truplidhur me mustaqe dhe syze dielli. Në oborr, mbi një tel të tendosur mes pemëve, ndehen rroba fëmijësh dhe grash. Shumë burra që nuk e fshehin gëzimin lëvizin në shtëpi poshtë e lartë dhe telefonojnë vazhdimisht me celularë. Gazetarë, por edhe ithtarë politikë të tij, janë në pritje për një bisedë personale me «Shah Rashid»-in. Një burrë i moshuar me mjekër të bardhë dhe shami palestineze thotë, se si simpatizant i Al-Ghannoushit ai ka kaluar 16 vjet në burg dhe shumë vite të tjera në mërgim, «ndër të tjera në Fraiburg». «Flisni gjermanisht?» pyet ai dhe qesh pa pritur përgjigje. Pastaj ai shpjegon teorinë e tij se të gjithë njerëzit në këtë botë 'janë në thelb arabë': "Edhe Adami ka qenë arab. Prandaj të gjithë njerëzit duhet të bëheshin myslimanë."

Tunis Demonstrieren vor dem Stadttheater.

Demonstrata para Teatrit të qytetit në Tuniz kundër korrupsionit.

Rashid Al-Ghannoushi i pret vizitorët e tij i relaksuar, i veshur me një kostum gri, me një këmishë të bardhë dhe doreza të zeza, në një tapet të kuq berberësh në mes të një dhome të madhe ndenjeje. Nga një cep i dhomës lëvizin pamjet e «Al-Jazeera» në televizor. Frika ndaj partisë së tij është pa shkak, garanton Al-Ghannoshi. Ata ende spekulojnë me «briznesin e frikës», siç bënte ish-presidenti Ben Ali, për të eliminuar kundërshtarët e tij në politikë. Synimi i partisë së tij është «pastrimi i shoqërisë nga mbeturina e sundimit të Ben Alisë dhe ndërtimi i një shteti të lirë demokratik, i cili i trajton të gjithë qytetarët njësoj». Ndaj kësaj nuk kanë se përse të kenë frikë as qytetarët tunizianë e as Perëndimi, qetëson ai.

Islamizim si synim i fshehtë?

Me vendosmëri burri i moshuar distancohet nga ideologjia e dhunshme e Al Kaidës: «Ne e kemi thënë gjithnjë dhe ne e themi edhe sot: Aktivitetet e Al Kaidës nuk janë legjitime – ato janë terror». Ndryshe nga revolucioni paqësor në Tunizi dhe Egjipt, Al Kaida deri tani nuk ka mundur të rrëzojë asnjë regjim të korruptuar në rajon. «Përveç kësaj», plotëson Al Ghannoushi, «islami dhe lëvizjet islamike vuajnë në të vërtetë më së shumti nga pasojat e sulmeve të 11 shtatorit». Që atëherë pakicat myslimane në Perëndim «shihen në mënyrë paushalizuar si të dyshuara për terrorizëm» dhe gjenden «nën mbikqyrje të përhershme policore», ankohet ai.

«Aktet e dhunës sjellin më shumë dëm se dobi», thekson Rida Belhaj. Ai është zëdhënës i Partisë Tahrir, gjithashtu islamiste, por më radikale. Burri tepër i shkurtër me mjekër treditore dhe zë të ulët e ka lënë takimin për intervistën në një kafene në bulevardin Bourguiba. Për përndjekjet politike në regjimin e vjetër, ai nuk ka dëshirë të flasë. Nga modestia, thotë.

Belhaj preferon të flasë për revolucionet në Tunizi dhe Egjipt, të cilat për të janë ende të papërfunduara. Ato janë «hapa të rëndësishëm» në rrugën drejt «çlirimit të të gjithë myslimanëve kudo në botë», thotë ai plot pasion. «Sepse sigurisht që këto revolucione janë islamike. Njerëzit, që i kanë bërë ato, janë myslimanë», shpjegon zëdhënësi i islamistëve. Vështrimi i tij shëtit përjashta. «Korrupsioni vazhdon të sundojë në të gjithë vendin!» thërret njëzëri një grup i vogël njerëzish mbledhur para teatrit të qytetit, një ndërtesë nga koha e kolonializmit, dy statuja engjëjsh me gjoks të zhveshur zbukurojnë fasadën antike.

Tunis Demonstrieren für die Freiheit

Tunis Demonstrieren für die Freiheit


«Synimet e 9/11 ishin të mira»

Një distancim të qartë nga radikalët islamistë si ata të Al Kaida-s nuk mund t'ia nxjerrësh zëdhënësit të partisë. Dhuna është e gabuar, por synimet që qëndronin pas 11 shtatorit ishin «të mira», thotë ai: «Por për fat të keq ata kishin një pasojë negative, sepse myslimanët, ndryshe nga Perëndimi, nuk i kanë mjetet mediale, për ta bindur opinionin publik për drejtësinë e qëllimeve të tyre.» Qëllimet e veta Belhaj nuk i fsheh aspak: Synimi më i lartë i partisë së tij është një shtet tunizian me islamizmin si burim të të gjitha ligjeve, deklaron ai. Entuziazmi për një vizion të tillë i duket haptas në fytyrë.

Cyreen me shoqëri ndërkohë janë ulur në një kafene tjetër, fare pranë dhe numërojnë duke qeshur se kush nuk do të mund të jetojë kurrë në një shtet të tillë islamist. «Të gjithë tunizianët që u pëlqen të pinë nga një birrë mbrëmjeve nëpër bare», thërret njëri. Dhe një tjetër: «Të gjitha gratë që duan të shkojnë në det me rroba banje dhe burrat që pëlqejnë të shohin gratë me rroba banje tek lahen në det». «Pra një shumicë e madhe», konkludon një i tretë dhe i gjithë rrethi zgërdhihet. Por Cyreen menjëherë bëhet serioze: «Po qe se në pushtet do të vijnë islamistët, atëherë ne duhet menjëherë të emigrojmë dhe kjo do të thotë që revolucionin e bëmë më kot.»

Autor: Khalid El Kaoutit / Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora