Frikë nga acarimi i gjendjes në Turqi | Evropa | DW | 16.03.2014
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Frikë nga acarimi i gjendjes në Turqi

Trazirat e fundit në Turqi kanë zbuluar përmasat e polarizimit social në vend. Disa analistë kujtojnë ditët para grushtit të shtetit të vitit 1980.

Shumë turq nuk e kanë përjetuar personalisht grushtin e shtetin e 12 shtatorit të vitit 1980 për shkak se mosha mesatare në vend është rreth 30 vjeçar. Megjithatë, ky grusht shteti është ende i gjithëpranishëm në vend. Traumat e përleshjeve të përgjakshme në rrugët e Turqisë dhe arrestimeve masive të mëvonshme, torturave dhe vrasjeve nga ushtria janë edhe sot të pranishme. Termi "12 shtator" siç quhet në gjuhën politike grushti i shetit i vitit 1980, simbolizon kaosin, dhunën dhe sundimin e ushtarakëve.

Mosmarrëveshjet e kohëve të fundit mund ta ringjallin këtë traumë. Vitin e kaluar, kryeministri Rexhep Taip Erdogan iu përgjigj me aksione të ashpra policore protestave kundër një projekti ndërtimi në Gezi Park në Stamboll. Edhe funerali i të riut Berkin Elvan i cili vdiq këtë javë pasi që kishte qëndruar në komë që nga plagosja vitin e kaluar, rezultoi me dhunë. Erdogan dhe kundërshtarët e tij qëndrojnë në pozicione të papajtueshme përballë njëri-tjetrit tani kur më 30 mars pritet të mbahen në vend zgjedhjet lokale.

Pamje nga protestat në Stamboll - 12.03.2014

Pamje nga protestat në Stamboll - 12.03.2014

"Polarizim i paparë"

"Turqia po përjeton një polarizim të paparë", shkruante kolumnistja Nagehan Alci në gazetën "Milliyet" në fillim të marsit. Ngushëllim i vetëm është se ende nuk janë përdorur armët e zjarrit: "Përndryshe polarizimi i përngjan dimensioneve të para 12 shtatorit".

Ndërkohë, situata është përshkallëzuar edhe më tej. As dy javë pas publikimit të komentit të Alcis, 22-vjeçari Buran Karamanoglu u vra me një plumb në kokë gjatë trazirave pas funeralit të Berkin Elvan në Stamboll. Grupi ekstrem i krahut të majtë DHKP-C mori përsipër përgjegjësinë.

Kritikët fajësojnë Erdoganin

Vdekja e Karamanoglus ishte një shok. Pas trazirave të ditëve të fundit disa parti u bën thirrje mbështetësve të tyre për qetësi dhe përmbajtje. Në forumet e internetit turke qarkullojnë apele, në të cilat kërkohet nga njerëzit që të mos merrnin më pjesë në demonstrata deri në një njoftim tjetër, për shkak se ekziston rreziku që provokatorët të shkaktojnë gjakderdhje të reja. "Një jetë e njeriut është më me vlerë se çdo ideologji", thuhet në një prej apeleve të publikuara në internet.

Në foto: Rexhep Taip Erdogan

Në foto: Rexhep Taip Erdogan

Kritikët e qeverisë e shohin fajin për rritjen e tensioneve sidomos tek Erdogani. Kryeministri nuk ka shprehur asnjë fjalë ngushëllimi për vdekjen e Berkin Elvans dhe në vend të kësaj u ankua për dëmtimin e zyrës elektorale të partisë së tij, AKP. Protestuesit ai i përshkroi si "vandalë". Politikani i opozitës Müslim Sari tha se një kryeministër që ndan viktimat e dhunës në "të vdekurit e mi - të vdekurit tuaj", nuk duhet më të qeveris me vendin. Erdogan është duke thelluar polarizimin, shkruan i revoltuar edhe komentatori Hasan Cemal në një artikull për portalin e internetit T24. "A nuk po i dëgjoni të shtënat e armëve?", pyet Cemal. Nëse Erdogan do të vazhdojë kështu, ai do t'i "vë zjarrin Turqisë".

Gjithashtu edhe politologu i Ankarasë, Fethi Acikel mendon se Erdogan dhe AKP janë të interesuar që para zgjedhjeve të 30 Marsit të rrisin tensionet në vend. Shumë votues të AKP-së janë të shqetësuar për shkak të akuzave për korrupsion kundër qeverisë dhe për shkak të stilit qeverisës gjithnjë e më autoritar të kryeministrit, thotë Acikel për Deutsche Welle. Këta votues duhet të rifitohen sërish. "AKP dëshiron të rrisë tensionet dhe të paraqesi veten si viktimë të sulmeve me qëllim që në këtë mënyrë të bëjë sërish elektoratin për vete", thotë Acikel.