1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Frikë dhe thashetheme në Donetsk

Të shtëna, radhë të gjata para dyqaneve, shkolla të mbyllura. Në periferi të Donetskut zhvillohen luftime të rënda. Njerëzit janë të frikësuar dhe frika shtohet më tej dhe nga thashethemet.

Që nga fillimi i operacionit anti-terrorist kundër separatistëve pro-rusë mbi Donetsk qarkullojnë avionë luftarakë të ushtrisë ukrainase. Kohë pas kohe nga pjesë të ndryshme të qytetit dëgjohen sirena dhe herë pas here edhe shpërthime që u kallin njerëzve frikë dhe tmerr. Prej disa ditësh po zhvillohen luftime edhe në aeroportin e qytetit dhe aty nuk ulen më avionë, sikurse tha për Deutschen Wellen zëdhënësi i aeroportit Dmitri Kosinow.

Televizioni rus përhap lajme tmerri

Donetsk - Shumë njerëz nuk dalin prej shtëpive nga frika

Donetsk - Shumë njerëz nuk dalin prej shtëpive nga frika

Njerëzit në Donetsk kanë frikë se situata mund të bëhet edhe më e keqe. Informacionet ata i marrin kryesisht nga televizioni rus. Ai fajëson për dhunën vetëm forcat qeveritare ukrainase. Po ashtu njoftohet se ushtria ukrainase synon që pas luftimeve në aeroport të vazhdojë ofensivën kundër separatistëve pro-rusë edhe në qendër të qytetit. Televizioni rus thotë se popullsia civile është në rrezik. Qeveria në Kiev i mohon këto akuza. Edhe kryetari i bashkisë Alexander Lukjantshenko përpiqet t'i qetësojë njerëzit. Ai thotë nuk do të ketë sulme ajrore mbi qytet dhe se edhe lajmet e përhapura për evakuimin e banorëve të Donetskut nuk janë të vërteta.

Shqetësim në radhët e banorëve

Donetsk - Edhe tregu qendror është i mbyllur

Donetsk - Edhe tregu qendror është i mbyllur

Megjithatë njerëzit janë të shqetësuar dhe po përgatisin bodrumet për t'u fshehur në rast bombardimesh. Shumë prej tyre nuk dalin nga frika prej shtëpive, edhe pse jeta vazhdon normalisht. Shumë dyqane nuk po i hapin portat e tyre, madje edhe tregu qendror është i mbyllur. Nga ana tjetër mjetet e transportit publik funksionojnë rregullisht.

Pjesërisht të mbyllura janë edhe shkollat, kopshtet e fëmijëve dhe universitetet. Shumë prindër po përpiqen t'i çojnë fëmijët jashtë Donetskut, tregon një edukatore.

Gjithnjë e më shumë njerëz pyesin në agjencitë e udhëtimit, nëse mund të marrin viza për t'u larguar nga Ukraina. "Sapo më pyeti dikush për një vizë njëvjeçare për në Bullgari, sepse do ta çojë familjen atje për shkak të gjendjes në Donetsk" tha në bisedë me DW-në shefi i një agjencie udhëtimi.

Frika nga terrori i separatistëve

Ukraine Donezk Großangriff auf Flughafen 26.5.2014

Aaeroporti i Donetskut - Ofensiva e ushtrisë ukrainase kundër separatistëve pro-rusë

Nëse i pyet njerëzit në rrugë, askush nuk e dëshiron ndarjen e vendit. Shumë kanë frikë prej separatistëve, që duket se po marrin gjithnjë e më shumë me forcë kontrollin në qytet. Megjithatë shumë banorë të Donetskut përsërisin çfarë dëgjojnë në mediat ruse. "Kjo është një luftë civile. Pushtetarët në Kiev duan ta shkatërrojnë Donetskun dhe gjithë infrastrukturën e ndërtuar për Kampionatin Evropian të Futbollit 2012" - thotë një burrë.

Po ka dhe shumë banorë që tregojnë mirëkuptim për operacionin anti-terrorist të qeverisë. "Është e frikshme, por ne duhet të marrim masa kundër agresionit të Rusisë. Përndryshe terrori i separatistëve nuk do të marrë fund" thotë Ina. Edhe Serhiju beson se qeveria në Kiev duhet të veprojnë edhe më me vendosmëri. Sulmet ajrore kundër qytetit janë vetëm thashetheme, thotë Serhiju, kërcënimi i vërtetë janë kriminelët që do të sillen rrugëve të Donetskut.