1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

090310 Papandreou Washington

9 Mars 2010

Pas vizitave të tij në Berlin dhe Paris kryeministri grek takohet sot me presidentin amerikan Obama. Papandreu tha në prag të takimit se nuk do të kërkojë ndihmë financiare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

https://p.dw.com/p/MO3k
Jorgos Papandreu
Jorgos PapandreuFotografi: AP

Pas vizitave të tij në Berlin dhe Paris, kryeministri grek Jorgos Papandreu takohet sot në Uashington me presidentin amerikan, Barack Obama. Në takimin që do të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë para së gjithash në qendër të vëmendjes do të jenë përpjekjet e Greqisë për stabilitet dhe zhvillim. Papandreu paralajmëroi në prag të takimit se nuk do ta lusë qeverinë amerikan për ndihma financiare, por për veprime të ashpra kundër spekulantëve. Të hënën (8.3.) ai tërhoqi vërejtjen në një fjalim të mbajtur në Uashington se dobësimi i mëtejshëm ekonomik i BE-së do të dëmtonte edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë cili është qëndrimi i qeverisë amerikane ndaj krizës në Greqi

Barack Obama deri tani ka qenë i përmbajtur me komentet për krizën financiare në Greqi. Pas një videokonference me kryeministrin britanik Gordon Brown dhe kancelaren gjermane Angela Merkel para një jave e gjysmë, presidenti amerikan Barack Obama njoftoi përmes zëdhënësit të tij: "Unë jam i mendimit se evropianët do të reagojnë në mënyrë të përshtatshme dhe efektive."

Qëndrimi i tërhequr i Obamas është politika e duhur mendon eksperti i ekonomisë Sebastian Mallaby nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë. Në radion publike amerikane NPR ai tha: " Nuk besoj që është një ide e mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe posaçërisht për dikënd si presidenti Obama që kur flitet për politikën e jashtme definohet si anti George Bush, që të marshojë në Evropë dhe të kërkojë të ketë të drejtën e barabartë të fjalës. Ky është në parim një problem evropian."

Po ashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të ushtrojnë ndikim as në Fondin Monetar Ndërkombëtar, mendon Jakob Kirkegaard nga Instituti Peterson për hulumtime ekonomike në Uashington. SHBA është aksioneri më i madh i FMN-së, i cili teorikisht ndihmon financiarisht Greqinë dhe ashtu si në raste të tjera ndihmat e saj do t'i lidhte me kufizime të ashpra buxhetore.

Megjithatë hapat që po ndërrmerren në Evropë janë plotësisht të mjaftueshme, mendon Kirkegaard: "Ajo çfarë kanë urdhëruar vendet e eurozonës është ndoshta diçka edhe më e ashpër se sa që do të ishte rasti me FMN-në, andaj nuk e besoj që qeveria amerikane ka ndonjë interes që përmes FMN-së të përzihet në programin për stabilizimin e Greqisë. SHBA shpreson që Evropa do të zgjidhë vetë këtë problem dhe nga pikëpamja amerikane kjo do të ishte qartë zgjidhja më e mirë."

Megjithë përmbajtjen Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e përcjellin me kujdes të madh krizën në Greqi, mendon Kirgegaard. Për SHBA-të problemi i vërtetë nuk është Greqia me ekonominë e saj të vogël por partnerët e tjerë të aleancës: "Ajo çfarë amerikanët e shohin në të vërtetë si rrezik është se nga kriza do të preken edhe vende të tjera. Tani kemi krizën në Greqi dhe ndoshta në radhë janë Spanja apo Portugalia. Nëse ndodh kjo dhe po të kemi parasysh madhësinë e Spanjës, ndoshta do të preket edhe Italia atëherë do të bëhet fjalë me të vërtetë për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një kuptim më të gjerë."

Kriza në Greqi ka ringjallur sërish paragjykimet e vjetra amerikane ndaj evropianëve, thotë eksperti Kirgekaard: "I gjithë ky dështim i rëndë me Greqinë sipas pikëpamjes së shumë amerikanëve tregoi që Evropa është e ajo e cila nuk mund t'i zgjidhë problemet e saj të brendshme."

Autor: Albrecht Ziegler/Esat Ahmeti
Redaktor: Pandeli Pani