1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Friedrich merr në mbrojtje Mbrojtjen e Kushtetutës

Ministri i Brendshëm Friedrich vlerëson punën e Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës dhe të presidentit të saj në largim - megjithë serinë e pazbuluar të atentateve neonaziste. Islamistët mbeten rrezik.

Raporti vjetor i mbrojtjes së kushtetutës. Në foto: Ministri Fridrich

Raporti vjetor i mbrojtjes së kushtetutës. Në foto: Ministri Fridrich

Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, e kritikuar rëndë do ta mbajë edhe në të ardhmen vështrimin të drejtuar nga terrorizmi islamik. Këtë e bëri të ditur presidenti në largim i Zyrës, Heinz Fromm të mërkurën (12.07.), në paraqitjen e raportit vjetor në Berlin.

64 vjeçari del me dëshirën e tij në fund të korrikut në pension të parakohshëm. Shkas për këtë u bë asgjësimi që u mor vesh pak kohë më parë i dosjeve të serisë së atentateve neonaziste. Viktimë e këtyre atentateve, prej vitit 2000 deri në 2007 ranë kryesisht njerëz me origjinë të huaj.

Lëvdata nga ministri

Ministri i Brendshëm, Hans Peter Friedrich (CSU) e falenderoi Fromm-in për drejtimin prej për 12 vjet me radhë të Shërbimit Informativ Gjerman. Nuk ka pasur "asnjëherë shkas për mosbesim", tha politikani kristjansocial.

Megjithë dështimin në luftën kundër ekstremizmit të djathtë, Friedrichu bëri një bilanc kryesisht pozitiv të epokës Fromm. Që prej atentateve terroriste islamike të 11 shtatorit 2001 në SHBA në Gjermani janë parandaluar shtatë përpjekje të ngjashme për atentat dhe janë ndaluar shoqata islamiste, tha ministri gjerman i Brendshëm. Veç kësaj, që prej vitit 1992 janë ndaluar nëntë organizata ekstremiste të djathta, theksoi Friedrich. Kritikën për verbëri në syrin e djathtë, politikani sërish e hodhi poshtë.

Salafistët sërish nën vëzhgim të rreptë

Që rreziku më i madh për demokracinë dhe për interesin publik për të qëndron edhe më tej në spektrin islamik, këtë shefi i Zyrës së Mbrojtjes së Kushtetutës Fromm e argumentoi ndër të tjera edhe me "shumëllojshmërinë e rrjeteve", të cilat kanë kontakte edhe me botën e jashtme. Veçanërisht nën vëzhgim ndodhen salafistët, të cilët kanë kontakte të shumëllojshme me botën e jashtme. Ata vëzhgohen "si rrymë, jo si organizatë e konsoliduar", e karakterizoi Fromm-i profilin e këtij grupi.

Si "rrezik të përhershëm" ai sheh propagandën islamike gjithnjë e më të shpeshtë në internet. Ajo ofron "udhëzues për atentatorë" tha Frommi duke pasur parasysh rekomandimet që qarkullojnë prej kohësh në internet për ndërtimin e bombave.

Paralajmërim për imituesit

Ekstremizmin e djathtë, Presidenti i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës e quajti "pikërëndesë të dytë". Gatishmëria për dhunë është shtuar, problemi kryesor është skena militante neonaziste, tha ai. Në sfondin e serisë së vrasjeve me "sfond nacionalsocialist" nuk përjashtohet mundësia që "persona të veçantë t'i marrin si model këto akte", u shpreh Fromm.

Ekstremizmi i djathtë i organizuar në kuadër partish, sipas Fromm-it aktualisht ndodhet në defensivë. Numrat e anëtarëve të Partisë Nacionaldemokratike të Gjermanisë (NPD) në dy parlamente landesh lindore janë në rënie.Nga ana programatike, kjo parti përpiqet të bëjë më fort temë qendrore temën e armiqësisë ndaj fesë islame.

Pasardhësi i Frommit është ekspert i terrorizmit

Për reformimin e Zyrës Federale të Mbrojtjes së Kushtetutës do të kujdeset pasardhësi i Frommit që prej 1 gushtit, Hans Georg Maaßen.

49 vjeçari nga Renania gëzon një emër të mirë tek të gjitha partitë, të cilin ai e ka fituar që në fillim të viteve '90 në Ministrinë e Brendshme. Pikërëndesë e punës së tij në të shkuarën ka qenë e drejta e të huajve, që prej vitit 2008 Maaßeni drejton sektorin e luftës kundër terrorizmit.